1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Video anti-islame: Lëvizja qytetare Pro Gjermanisë relativizon deklaratat

Pas këtyre deklaratave thuhet se nuk ka ende asnjë lloj vendimi për shfaqjen e kësaj videoje, e cila u bë shkas për sulmet e fundit ndaj ambasadave të SHBA, të Britanisë së Madhe dhe asaj gjermane në Sudan.

Politikisht më tepër një fenomen margjinal "Lëvizja qytetare Pro Gjermanisë" tërheq vëmendjen mbi të gjitha me veprime dhe aksione populiste, anti-islame, anti-salafistische dhe ksenofobe. Pak ditë më parë kjo parti njoftoi në faqen e saj të internetit se dëshiron të shfaqë në Berlin filmin "Innocence of Muslims" - "Pafajsia e myslimaneve". Përfaqësues të kësaj partie në Berlin kanë vendosur ta bëjnë këtë pas akteve të dhunshme të ekstremistëve myslimanë në Egjipt dhe Libi, thuhet në faqen e internetit.

Revista "Der Spiegel" citoi të hënën kryetarin federal të Lëvizjes qytetare Pro Gjermanisë, Manfred Rouhs, me fjalët se filmi i diskutueshëm për Mohametin duhet të shfaqet i plotë. Sipas Rouhs kjo për partinë e tij ka të bëjë me "lirinë e artit dhe të shprehjes."

Pa e parë videon

Këto plane i relativizoi në një intervistë me Deutsche Wellen (më 17.09.2012) zëvedëskryetari federal, Alfred Dagenbach. Sipas Dagenbach nuk ka ende asnjë lloj vendimi për shfaqjen e kësaj videoje, e cila u bë shkas për sulmet e fundit ndaj ambasadave të SHBA, të Britanisë së Madhe dhe asaj gjermane në Sudan. Ai tha se vetë mendon se, "tani nuk i duhet hyrë një historie të tillë, sidomos sepse videoja sipas tij është aq primitive, saqë shkon në nivelin e atyre që përhapen nga rajoni arab në lidhje me krishterimin." Dagenbach tha se deklaratat e Rouhs kanë qenë "një ide - e hedhur në një moment që përmbajtja e videos nuk ishte mjaft e njohur." Tani që ai e kishte parë këtë video, mendon se ajo është "kaq e ulët sa në të vërtetë nuk mund ta përkrahësh." Edhe brenda radhëve të partisë së tij, tha Dagenbach ideja e shfaqjes së filmit nuk ka shumë përkrahës.

Parti e vogël - dëm i madh?

Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Friedrich (CSU) paralajmëroi në revistën "Der Spiegel" prej provokimeve që mund të shkaktohen nga përhapja e videos anti-islamike të prodhuar në SHBA. Friedrich njoftoi se një gjëje të tillë do t'i kundërvihej me "të gjitha mjetet e ligjshme". Me njoftimin për shfaqjen e filmit në publik "Lëvizja Pro Gjermanisë i hedh pa u menduar benzinë zjarrit"- tha Friedrich.

Veprimet dhe aksionet e deritanishme të lëvizjes Pro Gjermanisë duhet të jenë marrë vesh me sa duket edhe jashtë vendit. Sipas njoftimeve të revistës "Spiegel" në fillim të muajit shtator një sërë imamësh radikalë në kryeqytetin e Sudanit, Khartum kanë tërhequr vëmendjen për demonstratat e kësaj partie para xhamive në Berlin, ku pjesëtarët mbanin në duar pankarta me karikaturat e Muhametit dhe të tilla ku kërkonin ndalimin e xhamive. Sulmet me zjarrvënie ndaj ambasadës gjermane nga ekstremistët islamikë dyshohet se mund të kenë qenë si hakmarrje për këtë demonstratë.

Lëvizja qytetare Pro Gjermanisë konsiderohet si grup i ekstremit të djathtë. Ajo ka dalë në fillim të vitit 2005 prej Lëvizjes qytetare Pro Këlnit. Sipas raportit vjetor që japin partitë politike në Gjermani, në fund të vitit 2010 lëvizja "Pro Gjermanisë" kishte 256 anëtarë. Sipas vetë partisë sot ajo ka 1.760 anëtarë. Partia financohet kryesisht nga donacionet. Politikisht, ajo thuajse nuk ka asnjë rëndësi.