1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit

Bekim Shehu10 Korrik 2016

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre.

https://p.dw.com/p/1JMdD
Fotografi: DW/B. Shehu

Zëvëndëssekretarja amerikane e shtetit Victoria Nuland, porositi udhëheqësit e vendeve të Ballkanit që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, duke tërhequr vërejtjen se vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit.

Victoria Nuland, të dielën me (10.07) qëndroi në Kosovë ku takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Takimet u zhvilluan të ndara dhe më dyer të mbyllura, me presidentin e Kosovës Hashim Thaci, kryetarin e parlamentit Kadri Veseli, kryeministrin, Isa Mustafa dhe zëvëndëskryeministrin në qeverinë e Kosovës nga radhët e komunitetit serb, Branimir Stojanoviq.

“Vëmendja e BE-së është zhvendosur nga rajoni i Ballkanit, ndërsa SHBA-të në vjeshtë do të jenë të përqendruara në zgjedhjet presidenciale, prandaj vendet e Ballkanit Perëndimor duhet që vetë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konsolidimin e shteteve të tyre, por edhe të marrëdhënieve të tyre. Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, thuhet në një deklaratë për media e lëshuar nga zyra e Presidentit Thaci, pas takimit me Nuland.

“Ishim bashkë me presidentin Obama në Varshavë dhe presidenti ju dërgon përshëndetjet e tij, sikur edhe zëvendëspresidenti Joe Biden, i cili mirëpret përparimin në hapat e rëndësishëm që duhet të ndërmarrë Kosova në muajt në vijim”, citohet të ketë thënë Victoria Nuland, e cila ka përshëndetur arritjet e Kosovës, veçanërisht në luftimin e korrupsionit.

Victoria Nuland
Fotografi: Reuters/S. Karpukhin

“Drejtësia mbetet prioritet për SHBA-në”

Në takimin e zëvendëssekretares amerikane të shtetit Victoria Nuland me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, është diskutuar edhe cështja e demarkacionit të Kosovës dhe malit të Zi. Nuk jepen shume detaje, por vetëm thuhet se, “Ndihmës sekretarja amerikane, theksoi rëndësinë e adresimit të çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi si një proces shumë i rëndësishëm për hapjen e perspektives eurointegruese të Kosovës”.

Demarkacioni me Malin e Zi

Problemi i demarkacionit me Malin e Zi, ka kohë që në Kosovë është bërë temë përplasjesh ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kjo e fundit nuk e pranon një marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi të nënshkruar me 26 gusht të vitit të shkuar. Megjithkëtë, Presidenti Hashim Thaci, tha sot se kjo cështje shumë shpejtë do të dalë në parlamentin e Kosovës për ratifikim.

“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë. Pa të drejtë është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave, por duke e vonuar edhe konsolidimin e shtetit”, u shpreh presidenti Hashim Thaçi.

Ai tha se Kosova promovon marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke përfshirë edhe Serbinë.

“Të dyja palët duhet të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Është koha për një kualitet të ri në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, që do të sjell pajtim dhe marrëdhënie fqinjësie më të mira dhe më bashkëpunuese”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi foli edhe për zhvillimet në fushën e sigurisë, duke theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit, por edhe në përmbylljen e procesit të ndërtimit të arkitekturës së sigurisë, përfshirë themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Do të shterojmë të gjitha mundësitë për dialog me të gjitha komunitetet, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Por, Kosova nuk mund të pranojë që Beogradi të ketë ‘veto' në procesin e formimit të armatës së Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se “institucionet e Kosovës, duke u bazuar edhe në përkrahjen e ofruar nga SHBA-të, do të adresojnë çështjen e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, duke i hapur udhë lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në vendet e BE-së”.

Zëvendëssekretarja amerikane e shetit Victoria Nuland, vizitoi Kosovën në kuadër të turneut në rajonin e Ballkanit. Gjatë pasditës së diel Nuland, udhëtoi për në Tiranë ndërsa, më 11 korrik do të vazhdojë vizitat edhe në Beograd e Shkup. Siç është thënë më herët në një njoftim të Departamentit Amerikan të Shtetit, qëllimi i vizitës së ndihmëssekretares Victoia Nuland në Kosovë, është diskutimi me udhëheqësit institucional lidhur me përparimin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për procesin e integrimeve evropiane dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.