1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Veto e parashikueshme e SHBA-së kundër kërkesës së palestinezëve

Në rast se palestinezët bëjnë një kërkesë për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara, SHBA-ja do të vërë veton në Këshillin e Sigurimit. Presidentit amerikan Obama nuk i mbetet zgjedhje tjetër.

Ende e hapur nëse palestinezët do të paraqesin kërkesë për njohjen e shtetit të tyre në OKB.

Ende e hapur nëse palestinezët do të paraqesin kërkesë për njohjen e shtetit të tyre në OKB.

Më të qarta se kaq deklaratat e qeverisë amerikane në lidhje me kërkesën e planifikuara palestineze në Kombet e Bashkuara nuk mund të ishin. Që në maj presidenti amerikan Barack Obama pati deklaruar gjatë një konference për shtyp në Londër:

Presidenti Barack Obama

Obama nuk ka alternativë tjetër veç vetos ndaj kërkesës palestineze...

„Jam plotësisht i bindur, se është gabim, sikur palestinezët të vendosnin për rrugën nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, në vend që të ulen me izraelitët dhe të bisedojnë."

Dhe vetëm pak ditë më parë ministrja e jashtme Hillary Clinton pati konfirmuar në Uashington: "Rruga e vetme drejt një zgjidhjeje afatgjatë kalon përmes bisedimeve të drejtpërdrejta midis palëve në konflikt, dhe kjo rrugë kalon nga Jeruzalemi dhe Ramallahu, jo nga Nju-Jorku."

Ende në shtator 2010 presidenti amerikan Obama ishte shprehur optimist. Në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ai deklaroi asokohe, se ishte e mundur, që brenda një viti të arrihej një marrëveshje midis izraelitëve dhe palestinezëve, e cila çon në një shtet Palestinë, të pavarur e sovran palestinez. Viti ka kaluar, një marrëveshje gjendet mjaft larg, dhe presidenti amerikan do të bëjë pikërisht të kundërtën e asaj, që pati paralajmëruar para një viti (në OKB, më saktë në Këshillin e Sigurimit, të mos votojë për, po kundër një shteti palestinez).

Kongresi është i një mendjeje

Por nuk është vetëm qeveria amerikane, që e refuzon kërkesën e planifikuar të palestinezëve para OKB-së. Në një seancë dëgjimore të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për punët e jashtme javën e kaluar esenca ishte e njëjta. Mbështetja, që gëzon Izraeli ndër kongresmenët, është e madhe. Ish-kryetari i komisionit, demokrati Howard Berman, paralajmëroi:

"Ky hap, i cili është në kundërthënie si me lutjen e përsëritur të SHBA-së, ashtu si edhe me premtimet e kaluara palestinezëve, do të ketë me gjasa pasoja katastrofale." Me siguri të madhe ai do t'i largojë shumë perspektivat e shtetit palestinez, vijoi Bermann.

Ndihmat financiare për palestinezët mund të ndërpriten

Edhe më tej të kontestuara - ngulimet hebreje në territoret palestineze

Edhe më tej të kontestuara - ngulimet hebreje në territoret palestineze

Njëra prej pasojave, me të cilat duhet të llogarisin palestinezët në rast të kërkesës së tyre në Kombet e Bashkuara, është kufizimi i ndihmës financiare, që kanë përfituar vitet e kaluara nga ana e SHBA-së. Këtë e bëri të qartë Ileana Ros-Lehtinen, kryetarja aktuale e komisionit. Sepse, kështu tha republikanja, "sikur sot të shpallet një shtet palestinez, atëherë ky nuk do të ishte as demokratik, as paqësor, as i gatshëm për të negociuar me Izraelin."

2,5 miliardë dollarë ndihma janë transferuar në pesë vitet e fundit te palestinezët. Për Ros-Lehtinen-in me këtë "sjellja e keqe" e palestinezëve "edhe u shpërblye". Steve Chabot, deputet republikan nga Ohio-ja, foli edhe më qartë: "Sikur palestinezët ta vazhdojnë rrugën e nisur, atëherë ky Kongres nuk do t'i bëjë vetes pyetje se cilën pjesë të ndihmës do të shkurtojë, po më tepër, se sa ka për të mbetur në fund."

Obama duhet t'i përkulet opinionin publik

Konsensusi në këtë çështjen është ndërpartiak. Demokratë dhe republikanë pajtohen një herë të vetme, si përjashtim. Prandaj, presidenti Obama nuk ka as zgjedhje tjetër, veçse t'iu dalë kundër palestinezëve në Këshillin e Sigurimit, shpjegon Graeme Bannerman i ‚Middle East Institute' në Uashington. Obama plotëson me këtë vullnetin politik jo vetëm të Kongresit, po edhe të publikut të gjerë amerikan, i cili ka tradicionalisht probleme me ushtrimin e trysnisë mbi Izraelin, thotë ai: "Politikisht në SHBA ka aktualisht vetëm një mundësi: Të vihet vetoja kundër kërkesës."

Dhe kjo, megjithëse pjesa më e madhe e botës mbërrin në një gjykim tjetër. Por, presidenti Obama do që të rizgjidhet vitin që vjen dhe nuk mund t'ia lejojë vetes një mbështetje kaq demonstrative të palestinezëve, e cila perceptohet si përballje me izraelitet. Republikanët vetëm sa presin, që presidenti të bëjë një gabim. Megjithatë, kjo nuk do të thotë, që presidenti amerikan duhet bërë i vetëm përgjegjës për mbetjen në vend-numëro në Lindjen e Afërme, thotë Aaron David Miller, ekspert për Lindjen e Afërme në qendrën ‚Woodroë-Wilson Center':  "Ai nuk mund të akuzohet, se nuk e ka zgjidhur statusin e Jeruzalemit, çështjen e sigurisë së kufijve dhe atë të refugjatëve. Këtu, qëndrimet e izraelitëve dhe të palestinezëve janë thjesht tepër larg njëri nga tjetri, mosbesimi është i ngulitur tepër thellë" , thotë Miller.

Miller ka qenë këshilltar për Lindjen e Afërme për gjashtë ministra të jashtëm të SHBA-së. Ai mendon se Obama megjithatë ka bërë gabime, dhe kjo është e padiksutueshme: "Presidenti Obama e ka përkeqësuar gjendjen, duke u përqendruar te gjërat e gabuara, duke zgjuar pritje, duke i bërë ngulimet temën kryesore."

Obama pati këmbëngulur për ndalimin e ndërtimit të ngulemve të izraelitëve, por në fund ishte detyruar të lëshonte pe, kur izraelitët e rinisën ndërtimin e ngulimeve.

Edhe për një gjë tjetër duhet të presë kritikv presidenti, thotë Miller: Obama nuk ia ka dalë të ndërtojë një marrëdhënie konstruktive me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, nuk ka arritur të vendosë, nëse i bën thirrje Netanjahut apo e ndëshkon atë.

Vota kundër kërkesës së palestinezëve në Këshillin e Sigurimit është e detyrueshme edhe për një tjetër arsye thotë Miller: "Nuk mund të flaken tutje 25 vjet politikë amerikane."

Pasi bindja themelore e amerikanëve ka qenë dhe është, që negociatat janë rruga e vetme, për t'i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Afërt.

Autor: Christina Bergmann

Redaktoi: E. Xhani