1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vetëm të humbur moralisht dhe politikisht pas ngjarjeve të së premtes në Tiranë

Shqipëria sërish u bë objekt kryeartikujsh. Ngjarjet e së premtes kanë vetëm të humbur

default

Ajo që ndodhi të premten (21.01) në Tiranë zgjon reminishenca nga vitet 90-të të shekullit të kaluar. Një demonstratë, për të cilën bëri thirrje opozita socialiste, që drejtohej kundër qeverisë së qendrës së djathtë dhe korrupsionit në rritje në vend, pati një fund të përgjakshëm: Bilanci tre të vdekur, një i katërt që lufton me vdekjen në spital dhe dhjetra të plagosur. Tre kufomat e të qëlluarve si dhe të plagosurit u gjendën në bulevard pikërisht përballë selisë së kryeministrit Sali Berisha, i cili sipas të dhënave të veta, në atë moment ndodhej në zyrën e tij.

Shkas për demonstratën u bë publikimi në mes të janarit i videos, që tregonte zëvendëskryeministrin Ilir Meta se si negocionte me ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti për favorizimin e një miku të tij në një tenderim publik. Në fakt korrupsioni është temë e ditës në Shqipëri. Qytetaret dhe qytetarët janë të indinjuar, që bëhet shumë pak ose aspak për të luftuar korrupsionin dhe kriminalitetin e organizuar. Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet më të korruptuara të Evropës.

Përveç kësaj klima politike qysh pas zgjedhjeve të fundit parlamentare verën e 2009-ës karakterizohet prej konfrontimit të vazhdueshëm mes opozitës dhe qeverisë për manipulime në zgjedhje. Që pas fundit të komunizmit në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje të pakontestueshme. Debati politik nuk zhvillohet me argumenta parimorë, por rëndom debatohet mbi bazën e armiqësive personale. Një debat ky që vetëm krijon atmosferë të acaruar në vend.

Si rrjedhojë ishte e pritshme që në demonstratën e së premtes së shkuar mijëra vetë do t`i përgjigjeshin thirrjes së opozitës. Qysh përpara demonstratës ekzistonte frika për përshkallëzim dhe për këtë arësye, ishin veçanërisht përfaqësuesit e vendeve perëndimore, at që bënë thirrje për ruajtjen e qetësisë. Edhe pas zhvillimeve të përgjakshme atmosfera vazhdon të mbetet e tensionuar. Politikanët drejtues të partive të mëdha nuk arritën të gjejnë gjuhën e arësyes dhe të pajtimit: Përkundrazi: pikërisht nga politika i hidhet gjithnjë e më shumë benzinë zjarrit, duke bërë përpjekje që faji t‘ i atribuohet kundërshtarit. Retorika e ofendimeve reciproke dhe hedhjes së fajit tjetrit është kundërproduktive. Në vend të saj thelbi duhet të jetë kompromisi, që i duhet më shumë se kurrë kulturës politike shqiptare. Por politikanët në Shqipëri ende nuk e kanë përvetsuar leksionin e demokracisë të komunikimit fair me njëri-tjetrin dhe të dialogut konstruktiv. Ata vazhdojnë t‘ u përmbahen me kryeneçësi pozicioneve të ngurta edhe pse janë të vetëdijshëm që një krizë në politikën e brendëshme vetëm sa e vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Një dialog demokratik është rrugëdalja e vetme nga kriza, për të vendosur piketat për reformat urgjentisht të domosdoshme: Lufta kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë dhe në administratë, konsolidimi i shtetit të së drejtës dhe ruajtja e pavarësisë së shtypit janë vetëm disa nga reformat e rëndësishme, për të cilat BE-ja i tërheq vëmendjen Tiranës.

Shqipëria, e cila është sot anëtare e NATO-s, ka marrë përsipër kundrejt BE-së që t‘i realizojë këto reforma. Por ato vazhdojnë të mbeten në vendnumëro. Çdo zvarritje mjund të ketë pasoja të rënda për vendin. Demokracia mjaft e brishtë duhet të konsolidohet sa më parë. Pas ngjarjeve të së premtes së shkuar në vend ka vetëm të humbur moralisht dhe politikisht.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 23.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/101Fz
  • Data 23.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/101Fz