1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vetëm një gur shahu i sakrifikuar?

Kryeministri rumun Emil Boc dha dorëheqjen bashkë me gjithë kabinetin. Ai e arsyetoi vendimin me fjalët: "Dua të shtendos atmosferën politiko-sociale në vend."

Kryeministri i larguar Emil Boc

Kryeministri i larguar Emil Boc

Ky hap nuk bëhet papritur. Kthesa dramatike erdhi pas protestash dhe trazirash publike disajavore, pjesërisht të dhunshme, kundër qeverisë. Ajo i ka sjellë vendit masa kursimi të thella. Nga njëra anë disiplina e rreptë në buxhetin publik pruri shumë lëvdata nga bota e jashtme (në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bruksel apo edhe në Berlin). Mirëpo, brenda vendit ky kurs i ashpër nuk pati prodhuar vetëm qëndueshmëri ekonomike dhe rritje ekonomike të shëndoshë, po pati shkaktuar edhe tensione sociale të jashtëzakonshme.

Pakënaqësia në rritje pati arritur kohët e fundit kulmin në trazirat nëpër rrugë, të shkaktuara prej reformës shëndetësore të përgatitur keq. Kjo u pasqyrua më pas edhe në rezultatet katastrofale për qeverinë dhe presidentin Traian Basescu. Nuk është për të habitur që erozioni galopant në vlerat e simpatisë e ka rritur masivisht trysninë mbi kryeministrin edhe nga radhët e partisë së vet (PDL). Pasi 2012-a është viti i zgjedhjeve, në vjeshtë ka si zgjedhje lokale ashtu edhe parlamentare.

Qëndrime armiqësore personale dhe mosbesim i ndërsjellë

Shumë rumunë e ndiejnë mjaft kursin e kursimeve të qeverisë.

Shumë rumunë e ndiejnë mjaft kursin e kursimeve të qeverisë

Mirëpo, shumë vëzhgues druajnë se ky dorëzim i kryeministrit, i kërkuar prej kohësh me zë të lartë prej opozitës, vetëm sa e përforcon rrezikun e paqëndrueshmërisë, të kaosit dhe të anarkisë në vend. Thirrja e Emil Boc-ut drejtuar parlamentit, për t'i dhënë besimin një qeverie pasuese, gati nuk ka shanse të zbatohet. Tepër të mëdha janë armiqësitë personale dhe mosbesimi i ndërsjellë midis qeveritarëve dhe opozitës.

Vërtet ish-ministri i Jashtëm Mihai Razvan Ungureanu, së fundmi shef i shërbimit të fshehtë me jashtë, emërua çuditërisht shpejt prej presidentit si kryeministër kalimtar, mirëpo nëse aleanca zgjedhore social-liberale do ta pranojë këtë zgjidhje kalimtare si zëvendësim për zgjedhjet e parakohshme të kërkuara vazhdimisht, kjo është e dyshimtë.

Rezultatet të mira

Në fund të mandatit të tij Boc do të kishte të gjitha arsyet që të ishte i kënaqur me performancën e kabinetit të tij. Mu në mes të krizës Rumania, ish-pika delikate e Bashkimit Evropian, ia doli të ishte financiarisht e fortë si shkëmb në thyerjen e valëve në Evropë dhe madje të gëzohej për njëfarë rritjeje ekonomike.

Për t'ua hequr helmin protestave, por edhe për të mos e rënduar më shumë partinë e vet konservatore në fushatën zgjedhore, Boc u sakrifikua tani në altarin e pakënaqësisë së përgjithshme. Nëse konservatorët rumunë kanë fituar kësisoj më shumë sesa vetëm një pushim të shkurtër, kjo mbetet të shihet.

Autor: Peter Janku / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti