1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Vetëm më të mirën për Turqinë"

Të dielën mbahen zgjedhjet parlamentare në Turqi. Ndërsa probleme ka sa të duash. Cenzura e mediave, konflikti me kurdët, "Shteti Islamik" dhe refugjatët janë vetëm disa prej tyre.

Si gazetar nuk është këto ditë fare lehtë të takosh një përfaqësues të partisë qeveritare AKP. Mosbesimi është shumë i madh. Ahmet Sorgun është në këtë drejtim një përjashtim pozitiv. 57-vjeçari nga Konya është shumë i sigurt përsa u përket zgjedhjeve të ditës së diel. Në zgjedhjet e fundit AKP ka fituar 66% të votave.

Sorgun beson se këto rezultate mund të shtrihen në mbarë Turqinë. "Populli kërkon më shumë stabilitet. Kjo është më së miri e mundur me sistemin njëpartiak të AKP", thotë Sorgun në bisedë me Deutsche Welle. Ai është i bindur se kështu edhe do të ndodhë.

Kristian Brakel drejton institutin Heinrich-Böll në Stamboll. Ai mendon se ky vlerësim nuk është real. "Nëse u besojmë sondazheve, atëherë rezultatet nuk do të dallojnë shumë nga ato në qershor. HDP do ta kalojë sërish pragun zgjedhor prej 10 % dhe sërish do të evitojë që AKP të ketë shumicën absolute", thotë Brakel në bisedë me DW.

Suksesi i kurdëve ia prishë punët Erdoganit

HDP ka shënuar sukses historik në zgjedhjet e qershorit. Për herë të parë në historinë e këtij vendi, një parti prokurde ka siguruar futjen në parlament. Për ekspertin Gareth Jenkins ky është një rezultat mbresëlënës. "HDP me agjendën e majtë politike ka arritur të sigurojë edhe mbështetjen e nacionalistëve të djathtë kurdë". Jenkins thotë në bisedë me DW se kjo parti ka arritur të bashkojë votat e të gjitha strukturave të kurdëve nga të gjitha pjesët e vendit, por edhe të pjesëve sekulare dhe liberale në Turqi. Kjo nuk është e shpeshtë, sepse këto grupe janë me orientim të kundërt.

Ahmet Sorgun AKP me zgjedhëse

Ahmet Sorgun AKP me zgjedhëse

Suksesi i HDP e ka goditur vetëbesimin e AKP. Për herë të parë ajo është detyruar të kërkojë një partner për koalicion, që ka dështuar. E gjitha ka rezultuar me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Yusuf Halacoglu nga MHP thotë se fajin e ka "Presidenti Erdogan". Kryeministri Ahmet Davutoglu nga AKP ka rënë dakord me koalicionin, por Erdogani ka ndërhyrë tërë kohën. Në këtë mënyrë ai ka prekur edhe Kushtetutën, sepse sipas saj ai duhet të jetë neutral.

Marioneta Davutoglu

Kristian Brakel shton se Erdogani me sjelljet e tij ka dëmtuar edhe zgjedhësit e vet. "Shumë anëtarë të partisë, ndër ta edhe kryeministri, duan që pas këtyre zgjedhjeve të ketë një koalicion. Por nuk është e qartë nëse ata do të mund ta marrin një vendim".

Shumë vëzhgues mendojnë se Ahmet Davutoglu është tepër i dobët për ta arritur qëllimin. Këtë e dëshmon edhe sondazhi i fundit i Ipsos, ku thuhet se vetëm 4% mendojnë se kryeministri është një person adapt për postin e tij. Ndërsa Tayyip Erdoganin e mbështesin 30%.

Protestat në Ankara

Sulmet terroriste në Ankara e kanë dërmuar vendin, krahas konflikteve me kurdët. Gareth Jenkins: "Këto sulme kanë bërë që njerëzit të izolohen edhe më shumë në mendimet e tyre". Mosbesimi është tepër i madh dhe palët fajësojnë njëra-tjetrën për këto zhvillime. "Kundërshtarët e AKP mendojnë se ajo vetë e ka fajin për këto sulme. Ndërsa simpatizantët e saj mendojnë se sulmet janë edhe një dëshmi tjetër se sulmet janë përpjekje për të diskredituar AKP-në".

Ahmet Sorgun AKP me zgjedhës

Ahmet Sorgun AKP me zgjedhës

Sa larg shkon urrejtja në shoqëri, u pa edhe gjatë një ndeshje të kombëtares menjëherë pas sulmeve. Me rastin e një minute heshtjeje në stadium për viktimat e sulmit, ka pasur shumë fishkëllima dhe protesta. Ka pasur edhe protesta paqësore të kurdëve, të cilat janë mbështetur nga pjesë të ndryshme të popullatës turke. Në brendësi të vendit disponimi është edhe më katastrofal. Ahmet Sorgun mendon se bota kështu duhet të jetë. Në Konya nuk ka pasur probleme si këto. "Këtu jetojmë të gjithë së bashku në paqe dhe qetësi: të krishterët, armenët, turqit dhe kurdët".

Po sa shpejt mund të provokohet zoti Sorgun dhe bashkëmendimtarët e tij në AKP shihet kur i bën pyetjen për lirinë e shtypit dhe konfliktin me kurdët. "Këto nuk kanë të bëjnë fare me fushatën parazgjedhore. Ndaj nuk dua të përgjigjem." Ndërsa për Ahmet Davutoglun dhe Tayyip Erdogan thotë se "të dy janë karaktere shumë të forta dhe kanë mendimet e tyre". Sipas tij, të dy ata "duan më të mirën për Turqinë".