1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Vetëm hiri nuk do të ishte problem, por elementet që ai çliron janë të rrezikshme"

Intervistë me vulkanologun Ulrich Schreiber

default

Re hiri, që del nga vullkani Eyjafjallajokull në Islandë, 14 prill 2010

Reja e hirit e shkaktuar nga vullkani në Islandë, përveçse ka paralizuar transportin ajror në Evropë, përbën rrezik edhe për jetën e kafshëve. Dhe në ato vende, ku mund të ketë përqëndrime të larta të dioksidit të squfurit, njerëzit, që janë të sëmurë me astma, mund të kenë probleme me shëndetin. Kështu shprehet ndër të tjera në intervistë me Deutsche Wellen Prof. Ulrich Schreiber, vulkanolog në Universitetin Duisburg-Essen.


Prof. Schreiber, në jug të Islandës ka shpërthyer sërish një vullkan. Ky është shpërthimi i dytë brenda katër javësh. Ishte shpërthimi i dytë i papritur?

Ulrich Schreiber: Poqese shohim gjeologjinë e Islandës, atëherë mund të themi se kemi të bëjmë me një gjendje tjetër prej rajoneve tjera vullkanike, për shkak se kemi të bëjmë me të çara të mëdha, që hapen edhe më shumë. Plasaritja mund të fillojë në një vend, të vazhdojë të zgjatet dhe shpërthimet tjera mund të ndodhin në vende të tjera të së çarës. Kjo nuk është diçka e pazakontë për Islandën.

DW: Tani mbi vendin e shpërthimit është krijuar një re e madhe hiri. Ndërkohë si pasojë janë mbyllur edhe aeroportet në Britaninë e Madhe dhe Norvegji. Po ashtu është paralizuar në masë të madhe trafiku ajror edhe në Suedi, Danimarkë dhe Gjermani. Kemi të bëjmë me një shpërthim të madh, apo përse janë pasojat kaq të mëdha?

Schreiber: Ky mund të jetë një kombinim i dy shkaqeve. Nga njëra anë ndoshta shkrirja është përqëndruar në një dhomë magme me disa gazra të shkaktuara nga shkrirja. Kjo do të thotë se ndoshta presioni i avullt i materialit të mbledhur ka qenë në vetvete shumë i lartë. Nga ana tjetër për këtë kontribuon edhe kontakti me ujin pas shkrirjes së akullnajave. Kështu krijohen forca të fuqishme shpërthimi. Uji në kontakt me temperatura shumë të larta nën presion shkakton shpërthime."

DW: Kjo do të thotë se në Islandë sundon një gjendje e veçantë për shkak se atje vullkanet janë të mbuluara nga bora dhe akulli?

Schreiber: E saktë, kjo është një gjendje e veçantë!


DW: Hiri i ngritur po vështirëson shikimin për pilotët dhe dëmton motorët e avionëve. Po ashtu bujqit në Islandë janë rekomanduar që të mbajnë të mbyllura kafshët nëpër stalla. Përse ky hi është kaq i rrezikshëm edhe për kafshët?

Schreiber: Vetëm hiri nuk do të ishte e keqja, por janë elementet e tjera, që lirohen nga gazi si fluori dhe komponimet e squfurit, të cilat janë shumë të dëmshme për kafshët. Komponetet e hirit pastaj ngjiten fort pas barit dhe kafshët bashkë me barin marrin si ushqim pastaj edhe elementet e liruara nga hiri. Ka pasur raste në të kaluarën, në historinë e Islandës raste të shpeshta, ku kafshët kanë ngordhur si pasojë e ngrënies së barit me përmbajtje të lartë squfuri.

DW: Dhe kjo prek vetëm kafshët, apo përbën rrezik edhe për njerëzit?

Schreiber: Kjo ndodh për shkak se kafshët hanë bar dhe në këtë mënyrë preken drejtpërdrejt. Për njerëzitë, pasi që ato ushqehen ndryshe, nuk është rrezik. Vetëm në ato vende, ku mund të ketë përqëndrime të larta të dioksidit të squfurit, njerëzit që kanë astma, apo probleme shëndetësore mund të kenë probleme.

Autor: Andreas Ziemons

Redaktoi: Angelina Verbica