1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vetëm fjalët e bukura nuk mjaftojnë - Fjala e Obamës për gjendjen e kombit

Në fjalimin e tij të parë për gjendjen e kombit, presidenti i SHBA, Barack Obama u mor dje (27.01.) në mbrëmje para së gjithash me gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.

Komentatorja e DW-së Christina Bergmann

Komentatorja e DW-së Christina Bergmann

Ishte një fjalim shumë i mirë, për këtë nuk ka dyshim. Presidenti i SHBA e tregoi veten para Kongresit dhe kombit me besim në vetvete dhe luftarak. Ai pranoi që ka bërë gabime dhe i shau bankat e Wall Street-it. Populizëm, i cili u pëlqen zgjedhësve.

Obama e vendosi luftimin e papunësisë në krye jo vetëm të fjalimit të tij, por premtoi se do ta orientojë në këtë drejtim edhe politikën e tij qeveritare. Edhe me këtë ai ka të drejtë. Sepse është krijimi i vendeve të punës ai që u intereson në radhë të parë njerëzve në vend.

Si rrjedhojë, politika e jashtme u përmend vetëm në periferi të fjalimit të tij. Obama përmendi tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe u tregua optimist për të ardhmen e Afganistanit. Dhe ai përsëriti synimin e tij, për ta çuar përpara çarmatimin bërthamor të përbotshëm. Kjo në një kohë kur SHBA mund të kishin vendosur këtu prej kohësh piketa. Por negociatat me Rusinë për marrëveshjen START-2 avancojnë ngadalë.

Ndërsa në vështimin e përgjithshëm, që u bëri temave të politikës së brendshme, presidenti nuk la asnjë pa përmendur. Secili mund të gjente diçka që i interesonte në të, premtime pati shumë: duhet të lejohet që homoseksualët të deklarohen si të tillë edhe në ushtri, për sipërmarrësit e vegjël do të ketë kredi dhe lehtësime tatimore, ai dëshiron të investojë në arsim dhe në energjitë e ripërtëritshme, megjithë gjendjen e mjerueshme të financave. Duke pasur parasysh deficitin e tmerrshëm buxhetor, ai do të ngrijë një pjesë të shpenzimeve shtetërore. Dhe Obama nuk e konsideron të humbur reformën e shëndetësisë.

Po pikërisht këtu del në pah problemi. Sepse presidenti varet për shumë prej planeve të tij nga kongresi. Sidomos pas dështimit në Masaçusets dhe humbjen e shumicës prej 60 votash në senat, ai varet edhe nga republikanët. Ata deri tani po ushtrohen në qëndrime bojkotuese. Me këtë taktikë ata kanë mjaft sukses, edhe nëse presidenti e dënon me të drejtë qendrimin refuzues dhe kërkon bashkëpunim konstruktiv.

Po nëse Obama kërkon të arrijë diçka, këto apele janë të pamjaftueshme. Me planet e tij politike ai duhet të zhvendoset më në qendër. Sepse një program liberal i majtë nuk pajtohet me një qëndrim mbipartiak. Që është i gatshëm për kompromise, këtë ai e la të kuptohet në fjalimin e tij, për shembull në politikën energjetike. Kërkimi i naftës në bregdet dhe ndërtimi i centraleve të reja bërthamore përputhen me dëshirën e republikanëve. Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojë suksese Obama.

Krahas vendeve të punës, një vend qendror në programin e tij zë reforma shëndetësore. Për të ka shumë kohë që diskutohet, heqja dorë prej saj në këtë moment do të ishte e barabartë me shpalljen e falimentimit. Por që këtu të arrihet një përfundim i suksesshëm, nuk mjafton që Obama të shprehet në mënyrë luftarake në fjalime. Për këtë ai duhet të bëjë atë që e ka shmangur deri tani me kujdes: të përfshihet edhe në luftën politike të përditshme. Ai duhet të heqë dorë së paraqituri si person i jashtëm. Sepse, edhe nëse nuk i pëlqen ta dëgjojë: ndërkohë Obama është pjesë e kësaj lufte.

Autor: Kristina Bergman
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 28.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LimK
  • Data 28.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LimK