1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Vetëkritik dhe i gatshëm për kompromise - Fjalimi i parë i Obamës mbi gjendjen e kombit

Në fokus: situata e vështirë ekonomike në vend, krijimi i vendeve të punës, investimet në karburante biologjike dhe teknologji të pastër për shfrytëzimin e qymyrit, Afganistani, Koreja e Veriut dhe Irani.

Barack Obama gjatë fjalimit mbi gjendjen e kombit

Barack Obama gjatë fjalimit mbi gjendjen e kombit

Është para së gjithash papunësia që i mundon amerikanët. Kur presidenti i sapozgjedhur mbajti para një viti fjalimin e parë para Kongresit, ai premtoi se do të ulte papunësinë. Por shkalla e atëhershme e papunësisë prej shtatë për qind është rritur në dhjetë për qind.

Prioritet për 2010-ën krijimi i vendeve të punës

Prandaj Obama premtoi: "Për këtë arsye krijimi i vendeve të punës duhet të ketë prioritet në 2010-ën. Për këtë arsye sonte po bëj thirrje për një ligj përkatës për vende pune." Në këtë kuadër, tha presidenti, qeveria duhet të mbështesë sipërmarrjet e vogla: "Propozoj që 30 miliardë dollarë nga paratë e kthyera nga bankat e Wall Street-it t'iu jepen bankave të vogla, që këto të furnizojnë me kreditë e nevojshme sipërmarrjet e vogla. Propozoj gjithashtu një lehtësim fiskal për sipërmarrjet e vogla. Në këtë mënyrë, mbi një milion sipërmarrje mund të marrin në punë punëtorë të rinj ose të rrisin pagat."

Në fjalimin para dy dhomave të Kongresit, që zgjati mbi një orë, presidenti tha se më e vështira ishte kapërcyer dhe se ishte shmangur depresioni. Megjithatë, tha ai, duhen trajtuar problemet ekzistuese.

Në fjalimin para dy dhomave të Kongresit, që zgjati mbi një orë, presidenti tha se më e vështira ishte kapërcyer dhe se ishte shmangur depresioni. Megjithatë, tha ai, duhen trajtuar problemet ekzistuese.

Kështu që nga viti i ardhshëm do të ngrihet një pjesë e buxhetit. "Si çdo familje që duhet të shtrëngojë rripin, ne do të punojmë brenda një buxheti duke investuar në ato që na duhen dhe duke sakrifikuar atë që s'na duhet. Nëse do të më duhet që ta vendos këtë disiplinë në shpenzime me anë të vetos, atëherë do ta bëj."

Besnik programit të tij liberal të majtë

Në përgjithësi Obama i qëndroi besnik programit të tij liberal të majtë, me të cilin ishte prezantuar një vit më parë dhe që bojkotohet prej republikanëve. Por njëkohësisht presidenti u bëri edhe lëshime konservatorëve, për shembull në investimet e shtuara në sektorin energjetik. Prodhimi vendas duhet rritur, tha ai: "Kjo do të thotë që ne duhet të ndërtojmë një brez të ri stacionesh bërthamore të sigurta dhe të pastra. Duhet të marrim vendime të vështira mbi hapjen e zonave të reja në det për nxjerrje nafte dhe gazi. Ne duhet të investojmë në karburantet biologjike dhe në teknologji të pastër për shfrytëzimin e qymyrit. Kjo do të thotë gjithashtu që të miratojmë një ligj të plotë për energjinë dhe klimën me shtysa që do ta bëjnë fitimprurëse energjinë e pastër në Amerikë."

Obama nuk e harroi as temën e arsimit: "Në shekullin XXI programi më i mirë kundër varfërisë është një arsim i klasit botëror."

Bashkëpunimi me republikanët domosdoshmëri

Në të gjitha këto nisma presidentit i duhet bashkëpunimi i republikanëve, pasi demokratëve iu mungon një votë për shumicën me 60 vota, që nevojitet në senat për të miratuar ligje. Por në të kaluarën Obama ka pasur vështirësi për të disiplinuar edhe partinë e vet. Ai deklaroi: "Demokratëve u them se kemi ende shumicën më të madhe të mandateve prej dekadash dhe se njerëzit presin nga ne që të zgjidhim probleme, jo të zhdukemi. Dhe nëse udhëheqja republikane këmbëngul që në senat të duhen 60 vota për të arritur çfarëdo gjëje në këtë qytet, u them se edhe ju duhet të mbani tani përgjegjësi qeverisjeje. Të thuash 'jo' për gjithçka mund të jetë politikë e mirë afatshkurtër, por nuk tregon aftësi udhëheqëse."

Pak fjalë edhe për politikën e jashtme

Me politikën e jashtme presidenti u mor shkurtimisht në mbyllje të fjalimit më shumë se njëorësh. Ai vuri në dukje tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku dhe përforcimin në Afganistan. Ai përsëriti synimin për të bërë hapa përpara me çarmatimin bëthamor mbarëbotëror. Koreja e Veriut dhe Irani janë më të izoluar se kurrë, tha ai: "Nëse udhëheqja iraniane vazhdon të injorojë detyrimet e saj, nuk duhet të ketë dyshime se ata do të ballafaqohen me konsekuenca gjithnjë e më serioze. Këtë e premtoj."

Autor: Christina Bergmann / Elert Ajazaj
Redaktor: Pandeli Pani

DW.COM

  • Data 28.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LikS
  • Data 28.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LikS