1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vetëkallëzimi – Shpëtues i imazhit, apo model i kapërcyer?

Feministja e njohur gjermane Alice Schwarzer ka mashtruar në pagimin e taksave. Kjo e dëmton emrin e saj. Duke bërë vetëkallëzim, ajo ka shmangur dënimin. Por çështja e mospenalizimit vihet tani për diskutim.

Pas ikonës së futbollit Uli Hoeneß tani edhe Alice Schwarzer: feministja më e njohur e Gjermanisë ka pranuar evazionin fiskal. Sipas zbulimeve të reja të një reviste informative ajo ka bërë vetëkallëzim që vitin e kaluar, për shkak se nuk ka deklaruar interesat e fituara në një llogari bankare në Zvicër. Ajo ka pohuar se e ka hapur llogarinë në vitet 80-të, kur mendonte të shkonte jashtë për shkak të armiqësive personale. Ndryshe nga rasti i Uli Hoeness, kundër Schwarzer nuk do të ketë procedurë penale. Vetëkallëzimi i saj duhet të ketë qenë i plotë: 200.000 euro thuhet se ka paguar, me to ka mbuluar të gjitha borxhet, të paktën ato, për të cilat nuk kanë kaluar afatet kohore.

Prej kohësh Zvicra është e njohur si oaz fiskal, ku herë pas here njerëz me të ardhura të larta përpiqen t'i shpëtojnë autoriteteve tatimore gjermane. Po atëherë përse është kaq i madh zemërimi për mashtrimin tatimor të bërë nga Schwarzer?

Një rast veçanërisht i thellë

71 vjeçarja është prej dekadash si të thuash gishti qortues i kombit, kur bëhet fjalë për të drejtat e gruas. Ajo është kryeredaktore e revistës feministe "Emma" dhe ftohet në të gjitha emisionet televizive, në të cilat trajtohen temat si dallimet e pagave ndërmjet gjinive, apo prostitucioni. Në fushën e saj ajo konsiderohej si instancë morale, që shpesh kritikonte ashpër të tjerët për pikëpamje, që ajo i konsideronte të gabuara. Autoriteti i Alice Schwarzer dëmtohet rëndë me këtë sjellje të gabuar.

Reagimi i Schwarzer ndaj zbulimeve të revistës "Spiegel" shkaktoi pakënaqësi të mëtejshme. Në faqen e saj të internetit feministja e cilësoi publikimin e të dhënave të saj tatimore si fushatë diskretituese. Të ftuarit në emisionin televiziv "Hart aber Fair" (I ashpër por i drejtë) të hënën (03.02.2014) kritikuan faktin, që Alice Schwarzer nuk kishte bërë një pranim të qartë të fajit duke shprehur keqardhje. Kryetarja e grupit parlamentar të të Gjelbërve, Katrin Gëring-Eckardt, tha: "Kur bën një gabim, atëherë e pranon, në vend që ta heqësh vetën si viktimë.“

Një shembull i kundërt me këtë Margot Këßmann. Teologia protestante në shkurt 2010 dha dorëheqjen nga posti i kryetares së Kishës Protestante në Gjermani, kur u kap duke i dhënë makinës pasi kishte pirë alkool. Ajo shprehu publikisht keqardhjen për gabimin dhe meritoi respekt. Që nga vera 2011 Këßmann ka përsëri poste në kishën protestante.

'Gabueshmëria e qytetarëve'

Manfred Lütz, teolog katolik .

Manfred Lütz, teolog katolik .

"Alice Schwarzer nuk tregon tani atë shkallë përulësie, që pritet në këtë situatë", tha Manfred Lütz, teolog katolik dhe psikiatër në bisedë me DW. "Përulësia nuk është një nga pikat e forta të saj, për këtë arsye ajo ka qenë edhe e suksesshme.“

Drejtori i klinikës Aleksiane në Këln kritikon mënyrën, se si sillen mediat dhe rrjetet sociale me feministen. "Ajo ka bërë një hap shumë të gabuar, i cili pa dyshim që duhet kritikuar“, thotë Lütz. "Por gjithçka duhet të ketë kufi." Përveç kësaj nuk mund të thuhet se arritjet kulturore të Alice Schwarzer „duhen hedhur tani në kosh“.

Tek njerëzit e njohur, shumat janë natyrisht më të mëdha, por edhe shumë qytetarë të zakonshëm mashtrojnë për taksat. Dëshira për të arritur fshehurazi përfitime ndodh tek njerëzit, thotë Lütz: "Vetëkallëzimi presupozon që qytetarët gabojnë." Ai e konsideron të arsyeshëm ligjin, që parashikon mospenalizim por kuptim dhe gjobitje suplementare.

A është vetëkallëzimi një model i dalë nga moda?

Disa politikanë e shohin këtë ndryshe. Evazioni fiskal është e vetmja vepër e dënueshme në Gjermani, nga e cila mund t'i shpëtosh dënimit me anë të një vëtëkallëzimi. Për abuzim me drogë apo për vjedhje kjo nuk vlen. "Ne duhet të diskutojmë, nëse vetëkallëzimi që të liron nga dënimi, është ende aktual", tha nënkryetari i grupit parlamentar të PSD, Hubertus Heil. Edhe zëvendëskancelari Sigmar Gabriel (PSD) është për ndjekjen më të rreptë dhe dënimin e evazorëve fiskalë.

Ministri i Financave të landit Nordrhein-Westfalen Norbert Walter-Borjans (PSD)

Ministri i Financave të landit Nordrhein-Westfalen Norbert Walter-Borjans (PSD)

Ministri i Financave të landit Nordrhein-Westfalen Norbert Walter-Borjans (PSD) kërkon që "lirimi nga dënimi të reduktohet." Ai propozon, për shembull, rregulla më të ashpra, kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash: "Përjashtimi i dënimit duhet të kufizohet në raste më të vogla, sepse te të mëdhatë, nuk mund të presupozosh, se është bërë ndonjë gabim, por se është mashtruar me vetëdije.“

Partneri në koalicionin qeveritar është më i kujdesshëm. Eksperti i financave i CDU Norbert Barthle tha: "Ne kemi nevojë për vetëkallëzimin, përderisa ka oaze fiskale. Vetëm kështu shteti arrin të marrë paratë, që i takojnë.”