1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Veshka e blerë - "Der Spiegel" gjurmon në Kosovë

Hetuesit e BE-së po ndjekin gjurmët e tregtarëve të organeve me aktivitet global. Rasti i një fabrikanti gjerman dhe i një emigranteje ruse, tregon se si të sëmurët e pasur zgjasin jetën në kurriz të të varfërve.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Autorët gjermanë Arndt Ginzel, Martin Kruashaar, Steffen Winter kanë botuar në numrin e së Hënës të revistës javore gjermane "Der Spiegel" një artikull të zgjeruar për tregtinë ilegale të organeve me fokus klinikën mjekësore "Medicus" në Kosovë.

Tregti me të varfërit

Autorët gjermanë kanë arritur të bisedojnë me një person të prekur. Ajo është Vera Shevdko, e cila ka rrëfyer për Spiegelin. Ja si shkruajnë autorët gjermanë për tregtinë me organet: "...Në tregtinë ilegale me organe bandat kriminale e kanë më të lehtë, sepse ka shumë njerëz si Vera Shevdko, që janë të varfër dhe të paditur dhe që janë gati të shesin pjesë të trupit të tyre për disa mijëra euro. Është në natyrën e tregtarëve të organeve, të kirurgëve të tyre dhe kontrabandistëve, që ta ofrojnë modelin e tyre të biznesit në fshehtësi. Vetëm rrallë herë makinacionet e tyre bëhen të ditura, dhe në raste edhe më të rralla ato ndëshkohen. Në rastin e klinikës Medicus në Prishtinë rrjeti kriminal është i dokumentuar mirë.

Prokurori Jonathan Ratel flet për Spiegelin

Kjo falë një njeriu trupmadh me vështrim të vendosur: Prokurori Jonathan Ratel erdhi në vitin 2010 në Kosovë, për të ndihmuar në kuadër të misionit të BE-së EULEX për ndërtimin e një sistemi konstitucional. Dhe nuk zgjati shumë kohë, derisa kanadezi nisi të merrej me hetimin e veprimtarisë së paligjshme të tregtarëve të organeve nga Klinika Medicus.

Jonathan Ratel, 51 vjeç, është i bindur se në spitalin me pronar gjerman transplantuesit e paskrupull kanë marrë 20 deri 30 veshka dhe ia kanë implantuar të sëmurëve, që janë në gjendje të paguajnë. Ndërmjetësuesi ishte nga Izraeli, blerësit e organeve nga e gjithë bota, kirurgu nga Turqia, në shtyp ai njihet si "dr. Frankenstein". Dhuruesit e veshkave, nëse mund të quhen "dhurues", vijnë nga Stambolli, nga Kisinau në Moldavi, apo ishin njerëz, që kanë emigruar para pak kohësh në Izrael. Sistemi ka mundur të funksionojë, thotë Ratel, sepse mjekët kosovarë dhe punonjësit e administratës i kanë mbuluar.

Biznes me shumë fitime

Me muaj të tërë SPIEGEL ka ndjekur gjurmët e mafies së organizuar nga klinika Medicus, kërkimet u shtrinë në Izrael, Turqi, në Bjellorusi dhe në Republikën Federale të Gjermanisë. Rezultatet e hetimeve të Ratelit dhe hulumtimet e SPIEGEL-it të lejojnë të shohësh thellë brenda strukturave të tregtisë me pjesë këmbimi të njeriut. Rasti i sipërmarrësit ëalter bën të mundur që të përshkruhet se sa thellë janë përfshirë gjermanët në biznesin me tregtimin e organeve. Janë biznese, thekson hetuesi Ratel, me të cilat mund të bësh "fitime gati skurrile". Dhe është një biznes i bandave kriminale, që "rritet me shpejtësi", siç paralajmëron Europoli.....