1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Verhofstadt: Ndihma për Ukrainën po aq e rëndësishme sa sanksionet

Ish kryeministri belg Guy Verhofstadt flet për sanksione të tjera ndaj Rusisë. Ato mund të jenë mjaft të ndjeshme për Kremlinin, nëse zgjidhen personat e duhur.

Pyetja, që ngrihet në këtë situatë, është se nëse Bashkimi Europian ka nënvlerësuar ambiciet e Putinit. Verhofstadt pranon se Unioni nuk ishte i gatshëm për tu përballur me një situatë të tillë dhe sipas tij lista me me 21 persona nga Rusia dhe Ukraina, që u ndalohet hyrja në Bashkimin Europian, nuk është një sanksion i vërtetë. „Moska është duke qeshur me këtë. Ne nuk duhet të nënvlerësojmë në asnjë mënyrë atë, që do Putin. Por ne nuk duhet të nënvlerësojmë edhe mundësitë tona për të vendosur sanksione më të forta“, thotë për Deutsche Welle ish kryeministri belg.

Ajo, që pritet tani nga Bashkimi Europian, është vendosja e sanksioneve konkrete ekonomike. Verhofstadt i trembet faktit se BE do ta ketë të vështirë të bjerë dakord për një gjë të tillë. Britanikët do të thonë „Sanksionet janë të mira, por të mos preken shërbimet financiare!“, francezët do të thonë “Po sanksione, po jo sa i përket armatimeve”, ndërsa gjermanët me siguri nuk do të duan të vendosin sanksione ndaj gazit.

“Prandaj në pikëpamjen time mënyra më e mirë është të arrihet një kompromis. Ne duhet të jemi dakord për të vendosur sanksione për personat e rëndësishëm në Kremlin, ata që që janë më afër Putinit. Të ngrijmë investimet e tyre në Perëndim”, thekson Verhofstadt, duke shtuar se paralelisht me këtë presion, BE duhet të fokusohet tek ndihma për Ukrainën.

Ndihma për Ukrainën po aq e rëndësishme sa sanksionet ndaj Rusisë

Politikani belg thotë se Europa nuk duhet thjesht të thotë ‘Ne duhet të ndihmojmë Ukrainën' dhe më pas Putin të vazhdojë të ndjekë politikën e tij. Ai është duke luajtur të njëjtin rol si në konfliktin e vitit 2008 me Gjeorgjinë dhe Osetinë e Jugut. Sipas Verhofstadt ndihma ndaj Ukrainës është pista e dytë që duhet të ndjekë BE.

Qeveria e përkohshme në Ukrainë në përbërje të saj ka edhe elementë të ekstremit të djathtë dhe një gjë e tillë nuk shihet me sy të mirë nga disa politikanë europianë. Për Verhofstadt kjo është vetëm një qeveri e përkohshme dhe tani i takon popullit ukrainas të zgjedhë në zgjedhjet e 25 majit partinë që do. “Unë isha në Maidan dhe kam para në sytë e njerëzve, inatin për çdo parti në Ukrainë. Ukrainasit thjesht duan të jetojnë në një vend pa korrupsion dhe me rregull”, thotë ai.