1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Veprimtari me rastin e Ditës së Evropës në Shqipëri

Fituesi i konkursit të njohurive për procesin e integrimit evropian shpërblehet me pjesëmarrje në një një shkollë verore në Gjermani

default

Konkurs për njohuritë dhe pikëpamjet e studentëve për procesin e integrimit evropian. Këtë format aktiviteti kanë zgjedhur në kuadër të Ditës së Evropës, përfaqësia e GTZ-së gjermane në Shqipëri, Ministria e Integrimit dhe Universiteti i Tiranës. Për fituesin e vendit të parë do të jepet e drejta e ndjekjes së një shkolle verore në Gjermani. Për pjesëmarrësit në këtë konkurs Ministria e Integrimit ka vënë në dispozicion fondin e literaturës nga Qendra e Informacionit dhe e Dokumentacionit.

Në kuadër të Ditës së Evropës në Shqipëri janë programuar një sërë veprimtarish me karakter informues dhe propagandues, ku në qendër do të jetë procesi i integrimit të vendit në BE. Në njërin prej tyre janë angazhuar studentë nga fakultete të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Është zgjedhur formati i një konkursi ku secili prej studentëve me dorë të lirë do të shkruajë pikëpamjet mbi raportet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për sfidat integruese, qytetarinë evropiane etj.

Përfaqësia e GTZ-së në Shqipëri, Ministria e Integrimit dhe fakultetet e Ekonomisë, Shkencave Sociale dhe të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës po bashkëpunojnë për realizmin e këtij projekti. Më parë një konkurs i ngjashëm është organizuar edhe me pjesëmarrjen e gazetarëve nga të gjitha redaksitë në Shqipëri.

Sipas Alida Beqirajt, zëdhënëse në Ministrinë e Integrimit në Tiranë, veprimtari të tilla synojnë të sensibilizojnë dhe të përshfaqin mendimet dhe opinionet e të rinjve studentë, t'i nxisin më shumë ata për t'u informuar rreth këtij procesi. Beqiraj thotë për DW se nuk bëhet fjalë vetëm për angazhim të pjesëmarrësve në shkrimin e një eseje, por cilido prej tyre është i ftuar këtu në ambientet e Ministrisë së Integrimit, duke patur në dispozicion të gjithë fondin e Qendrës së Informacionit dhe Dokumentacionit.

"Orientimi tematik që u është dhënë studentëve të interesuar ka të bëjë me çështje të tilla, p.sh, përfundimi i procesit të ratifikimit të MSA-së, përfitimet dhe detyrimet që burojnë prej saj, Shqipëria në BE, të prirur për të qenë sa më shpejt anëtarë, apo për të përmbushur cilësisht reformat, procesi i integrimit evropian, procesi i vullnetit politik apo i zhvillimit funksional etj. Por ka dhe nënçështje të tjera. Gjithashtu studentët janë të lirë të shkruajnë dhe për një temë tjetër të përafërt, që ka lidhje me integrimin evropian".

Pjesë e konkursit është dhe stimuli i punimeve më të mira. Për temën që do të klasifikohet në vendin e parë, autori do të fitojë të drejtën që të ndjekë një shkollë verore në Gjermani. Në një periudhë kohe katërjavore, me seminare rreth procesit të integrimit, komunikimit ndërkulturor, tregut të përbashkët etj.

Kreditet e këtyre seminareve, janë të vlefshme për studentët në provimet e mëtejshme të tyre rreth çështjeve të integrimit evropian. Për atë që do të fitojë çmimin e dytë do të akordohet një bursë për të ndjekur një kurs gjuhe gjermane, niveli i parë, ose i avancuar, nëse fituesi ka njohuri të gjuhës. Bursa do të ofrohet nga Deutschzentrum - Zyra e Projekteve të Institutit Goethe. Për fituesin e vendit të tretë do të dhurohet një set botimesh intersante. Për t'i dhënë seriozitetin e duhur këtij aktiviteti është përzgjedhur një juri eskpertësh të fushës nga Ministria e Integrimit dhe Universiteti i Tiranës.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Elert Ajazaj

  • Data 09.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HmqQ
  • Data 09.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HmqQ