1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Quadriga-Preis Putin

12 Korrik 2011

Vladimir Putini do të nderohet më 3 tetor në Berlin me çmimin Quadriga. Përzgjedhja e Putinit për t'u nderuar me këtë çmim po shoqërohet me kritika jo vetëm në Gjermani.

https://p.dw.com/p/11tBI

Çmimi Quadriga u jepet njerëzve shembullorë që angazhohen për të mirën e përgjithshme dhe për sqarimin. Njeriu ka nevojë për shumë fantazi për t'ia atribuuar cilësi të tilla Vladimir Putinit. Në Rusinë e sotme e cila karakterizohet nga një lloj kapitalizmi grabitqar secili shikon interesin e vet dhe e mira e përgjithshme është e fundit në radhë.

Nderimi i Putinit edhe për shkak se veprimet e tij janë të parashikueshme së bashku me aftësinë për të rezistuar është më tepër se cinike. Mos vallë komisionin që ndan çmimet mendon në këtë rast mënyrën se si sillet ai me aktivistët për të drejtat e njeriut dhe me opozitën? Apo i referohen qëndrimit ndaj ish shefit të Yukos, Michail Chodorkowski, i cili si armik i betuar i Putinit u dënua me heqje të gjatë lirie?

Apo kanë marrë vallë parasysh kufizimin konsekuent të lirisë së shtypit? Për shkak të raportimeve kritike shumë gazetarëve në Rusi u është dashur të paguajnë me jetën e tyre. Apo mos vallë juria kishte parasysh rrahjen e kthyer tashmë në ritual të opozitarëve kur këta guxojnë të protestojnë kundër sistemit të Putinit?

Mbajtja dhe sigurimi i pushtetit me çfarëdo lloj çmimi kjo është ajo që e karakterizon ish-shefin e shërbimit sekret rus.

Edhe presidenti aktual, Dimitri Medvedev, bën pjesë në sistemin Putin. Edhe pse ai ka kërkuar ndonjëherë reforma ose ka ushtruar kritikë ndaj pushtetit, së fundi Medvedevi deklaroi se ai dhe Putini kanë një program të përbashkët.

Se si e kuptojnë demokracinë që të dy po bëhet e qartë në deklaratat e tyre përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale që zhvillohen vitin e ardhshëm. Ata nuk do të dalin kurrë kundër njëri-tjetrit. Me fjalë të tjera elektorati rus duhet t'i japë votën e tij një kandidati të përzgjedhur më parë.

Në të gjitha fjalimet e tij Putini flet me forcë për luftimin e korrupsionit, ndërkohë që Rusia nën drejtimin e tij është kthyer në një nga vendet më të korruptuara në mbarë botën. Hendeku mes të varfërve dhe të pasurve po zgjerohet gjithnjë e më tepër. Edhe kjo natyrisht një lloj forme stabiliteti.

Edhe më i vështirë për t'u kuptuar është qëndrimi i Putinit për politikën e jashtme. Kuratoriumi e konsideron atë të bazuar në dyanshmëri dhe respekt? Një formulim i cili parë në sfondin e luftrave në Çeçeni dhe përdorimit brutal të armëve në Gjeorgji duhet konsideruar ose si dëshmi e mungesës së njohurive, ose si mbyllje e ndërgjegjshme sysh.

Ndër personat e nderuar me këtë çmim bëjnë pjesë edhe politikanë të tillë me emër si Vaclav Havel apo Mihail Gorbaçovi. Atyre me siguri që do t'u vijë turp që po renditen tani në një radhë me Vladimir Putinin.

Autor: Hermann Krause

Redaktoi: Pandeli Pani