1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Venizellos nuk i përgjigjet kërkesës për heqje të ligjit të luftës me Shqipërinë

Partneriteti strategjik Shqipëri- Greqi duhet të riformatohet për të qenë real dhe jo deklarativ. Ligji i luftës mes dy vendeve është absurditet dhe paradoks, thotë ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo.

Vizita që po kryen këtë të hënë (14.10.2013) në Tiranë, zv. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizellos, ndodh në një kohë pritshmërishë dhe zhvillimesh të rëndësishme në të dyja vendet fqinje. Më 1 janar 2014 Greqia merr presidencën 6 mujore të BE-së, kurse Shqipëria shpreson të marrë këtë dhjetor statusin e vendit kandidat dhe të nisë më 2014 hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në. Këto ngjarje të pritshme dhe mbështetja që Greqia i ka dhënë vazhdimisht procesit të integrimit europian nxisin edhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe lënien pas të problemeve që errësojnë marrëdhëniet dypalëshe.

Në foto: Paskal Milo

Në foto: Paskal Milo

Paskal Milo, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, politikan dhe historian i mirënjohur për çështjet e Ballkanit, i cilëson marrëdhëniet mes dy vendeve shumë të mira në planin teorik. “Ato janë marrëdhënie të karakterit strategjik, në kuadër të anëtarësimit të përbashkët në NATO dhe mbështejes së procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Por përtej vlerësimeve pozitive, në kuadër të vizitës së sotme në Tiranë të zv. Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Greqisë, Evangelos Venizellos, ka ende hije të së shkuarës që rrjedhin nga një mungesë besimi të ndërsjelltë, që karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve. Fjala është për këmbënguljen historike greke për të injoruar çështjen çame, lënien në fuqi të ligjit të luftës, çështjen e pazgjidhur të kufinjve detarë, mosnjohjen nga Greqia të Kosovës si shtet i pavarur dhe një qëndrim shpeshherë emocional nga pala greke në çështjet e Kishës Autoqefale Shqiptare. Të gjitha këto çështje duhen kapërcyer që të shkojnë në “zero”problemet me Greqinë, që janë jo të vogla, me prapavijë historike, por edhe të krijuara kohët e fundit”, thotë për DW, Paskal Milo.

Venizellos nuk i përgjigjet kërkesës së Shqipërisë për heqje të ligjit të luftës

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati i kërkoi (14.10.2013) në Tiranë, homologut grek Evangelos Venizellos që Greqia të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë. “Greqia të heqë ligjin e luftës dhe të njohë të drejtat pronësore të mohuara, në mënyrë që marrëdhëniet mes dy vendeve të njohin një hap më cilësor. Ligji i luftës nuk pasqyron realitetin e sotëm të miqësisë së mirë, rrugëtimit evropian dhe miqësisë së hershme mes dy popujve. Heqja e tij do të krijonte një mjedis të ri besimi të ndërsjellë dhe do të mundësonte fitimin e të drejtave pronësore të mohuara në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, hapjen e një kapitull të ri mes dy vendeve, të orientuar nga e ardhmja europiane,” tha ministri i Jashtëm, Bushati, në konferencëm e përbashkët për shtyp, të zhvilluar në Tiranë.

Zv. Kryeministri dhe ministrit i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizellos, iu përgjigj kësaj kërkese duke iu referuar vendimit të Këshillit të Ministrave, të kryeministrit Andreas Papandreu, në vitin 1987, vendim që mbeti i paratifikuar sot e kësaj dite nga parlamenti grek. “Gjendjen e paqes me Shqipërinë Greqia e ka shpallur që në vitin 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë dhe gjithkush që ka diçka për të kërkuar tek kuadri ligjor grek ka të drejtën t'i drejtohet edhe Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Greqia nuk ka frikë nga asgjë”, theksoi Venizellos, në Tiranë në konferencën e përbashkët me homologun e tij shqiptar për shtyp.

Ligj i luftës – absurd dhe paradoks që helmon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë

“Ligji i luftës është sa absurd aq edhe paradoks, pasi të dyja vendet në vitin 1996 kanë nënshkruar Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë. Ai është absurd qoftë edhe formalisht, pasi për shkak të paragjykimeve helmon marrdhëniet mes dy vendeve. Në vitin 1987, kur Qeveria Papandreu mori vendimin e heqjes së tij, nuk i kishte numrat në parlament. Që ky vendim të hyjë në fuqi duhet dekret presidencial apo miratim i parlamentit, veprime që kanë një kosto publike”, thotë Paskal Milo.

Kundërshti lidhur me kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë

Çështja tjetër e pazgjidhur e kufijve detarë në detin Jon mes dy vendeve, pati në kuadër të vizitës së Venizellos kundërshti qëndrimesh mes dy palëve. Më janar 2010 Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e hodhi poshtë si antikushtetues Paktin mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufijtë detarë, të miratuar nga qeveria e së djathtës në ish-kryeministrin Sali Berisha dhe të kundërshtuar fort nga opozita e atëhershme e majtë. Mes dy vendeve nuk ka ende një marrëveshje tjetër. Ministri i Jashtëm grek Venizellos tha në konferencën e shtypit se “Greqia pret të zbatohet edhe me Shqipërinë e drejta ndërkombëtare për detin, në atë formë që egzison dhe zbatohet sot, si ka ndodhur më 1977 edhe me Italinë, anëtare në BE, pasi edhe Shqipëria pritet të bëhet vend anëtar”. Por ministri Bushati doli kundër këtij arsyetimi. “Përgjigjen lidhur me paktin për kufijtë detarë e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, kriteret e Kartës së Kopenhagës për vendet anëtare dhe ato aspirante si Shqipëria. Krijimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi për rregullat e lojës që imponon shteti i së drejtës është një nga këto kritere të rëndësishme. Për qeverinë e Shqipërisë nuk është problem sesi lexohet vendim i Gjykatës së saj Kushtetuese, pasi ai është shumë i qartë, por si të adresojmë të gjitha çështjet e së shkuarës dhe të së tashmes me kurajo, vullnet politik në bazë të legjislacionit të vendeve respektive”, tha ministri Bushati.

Çështja çame - përsëri nuk egziston për Greqinë

Në foto: Evangelos Venizelos

Në foto: Evangelos Venizelos

Lidhur me zgjidhjen e çështjes çame, Venizellos përsëriti qëndrimin e njohur të Athinës se “çështje çame nuk egziston”. Ndërsa ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Bushati e cilësoi atë “pjesë të dosjes diplomatike të Shqipërisë me Greqinë. Ka ardhur koha që të tejkalohen pengesat historike për të pasuruar gamën e bashkëpunimit europian dhe rajonal për të mos i lënë terren nacionalizmit folklorik, në mungesë të çështjes çame në përputhje me procedurat ndërkombëtare dhe të marrdhënieve mes dy popujve miq”, tha ministri Bushati.

Koha për riformatim të partneritetit strategjik mes Greqisë dhe Shqipërisë

Nuk do të ishte realiste madje as serioze nëse gjithçka që ka ndodhur në marrëdhëniet greko-shqiptare, përgjegjësitë të kërkohen vetëm tek njëra palë. Edhe Shqipëria ka se çfarë të reflektojë: minoriteti grek duhet të ndihet më i përfaqësuar dhe përkatësia e tij etnike dhe fetare duhen respektuar plotësisht si e drejtë kushtetuese, qytetare dhe europiane”, thotë për DW Paskal Milo.

Për një varg arësyesh në këto 20 vite demokraci në Shqipëri, Greqia është konsideruar partner strategjik: të dy vendet janë anëtare të NATO-s, Greqia ka mbështetur integrimin europian të Shqipërisë. Sot ministri i Jashtëm, Venizellos e rikonfirmoi vazhdimin e mbështetjes në kushtet e marrjes nga Greqia të presidencës së rradhës së BE-së, në 6 mujorin e parë të 2014.

“Partneriteri strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të riformatohet, duhet të bëhet i prekshëm, real dhe jo deklarativ. Për t' u bërë i tillë duhet t'u jepet zgjidhje problemeve që janë, kjo është krejt e mundshme nëse ka vullnet të fortë pozitiv nga dy palët”, thotë ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo.

Zv. Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizellos, zhvillon takime me presidentin Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Janullatos.