1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vendoset guri themeltar për Republikën islamike të Iranit - Largimi i Shahut para 30 vjetësh

Në Iran revolucioni islamik në vitin 1979 shënon një kthesë të madhe në historinë e vendit.

default

Shahu u Persisë Reza Pahlavi me bashkëshorten Farah Diba

Shkas për këtë revolucion u bënë ngjarjet që i paraprijnë atij: Në një kohë që Shahu i Persisë dhe familja e tij jetonin në lluks të tepruar, shtresa të tëra të popullsisë zhyteshin në varfëri të thellë, pavarësisht burimeve të pasura me naftë dhe rezervave gjigande të gazit, që ka ky vend. Në këtë mënyrë po thellohej gjithnjë e më shumë humnera mes Shahut, që synonte të vazhdonte traditën e shkëlqyer të perandorisë antike persiane, dhe zërave në rritje që kërkonin kthesën politike. Këto ngjarje çuan në shpërthimin e fuçisë së barutit në vitin 1979.


Gazetat iraniane kanë si kryetituj me shkronja të mëdha: "Shahu tërhiqet", "Shahu është larguar".


Në rrugët e Teheranit njerëzit festojnë. Ithtarë të grupimeve dhe drejtimeve të ndryshme politike, fetare dhe jo fetare, festojnë fundin e një epoke.


16 janar 1979.


Shah Muhamet Reza Pahlavi dhe gruaja e tij Farah kanë udhëtuar me helikopterë për në aeroportin Mehrabad të qytetit të Teheranit. Ai ndahet nga disa miq besnikë të tij dhe nga disa bashkëpunëtorë të ngushtë. Vetëm në një intervistë me radion shtetërore iraniane, ai u përpoq ta prezantonte të gjithën si një lloj rutine: "Prej kohësh unë e ndieja se isha i lodhur dhe kisha nevojë për qetësi. Dhe unë kisha thënë se në qoftë se qeveria stabilizohet , unë do të largohem."


Ai e dinte mirë se avioni i dytë do të ishte për të i fundit për në emigracion dhe se ai nuk do të kthehej më aty. Prandaj ai mori me vete një qese me dhe nga toka e atdheut. Avioni fluturoi për në Kajro. Më pas, si një Odise, ai do të shkonte nga Maroku në Amerikën Qëndrore dhe më pas në SHBA. Por Shahu nuk ishte i mirëseardhur për disa miq dhe aleatë. Vetëm në Egjipt ai gjeti mbështetje tek presidenti Sadat. Ai vdiq po në Egjipt në vitin 1980, ku u varros në xhaminë Rifai të Kajros.


Në vitin 1941 Reza i ri iu desh të përjetonte se si britanikët e shkarkuan babain e tij dhe e dërguan atë në emigracion. Ai pasoi fronin. Ndonëse ai krijoi lidhje me Perëndimin, si p. sh. në vitin 1955 me Paktin e Bagdatit kundër Bashkimit Sovjetik (Një aleancë mbrojtëse, që hyri në fuqi në vitin 1955 dhe që u shfuqizua në vitin 1979, për të kishte rëndësi të madhe të theksonte pavarësinë e Iranit nga Perëndimi. Veçanërisht kjo doli qartë në pah në konfliktitin për naftën:

Shahu shtroi pyetjen: "Shtetet industrialiste të Europës: Përse Ju duhet të fitoni më shumë nga tatimet, se sa ne me lëndën tonë të parë të përkohshme?"


Dhe vetë ai do të përgjigjej: "Nafta duhet të jetë në duart e shtetit dhe jo të shoqërive, që vetëm për këtë vit kanë pasur fitime me nga 500, 600, 700 përqind. Për këtë askush nuk thotë gjë."


Shahu e kupton shumë vonë këtë: Ndërsa kryeministri i zgjedhur Muhamet Mosaded shtetëzon shoqërinë e naftës, Shahut i duhej për herë të parë të braktiste vendin. Në vitin 1953 CIA nxit rrëzimin e kryeministrit me popullaritet duke i mundësuar kthimin Shahut, i cili qysh atëherë ishte afruar më shumë me SHBA-në. Ai e sheh veten dhe Iranin jo vetëm si aleatin më të rëndësishëm , por edhe si fuqinë më të rëndësishme në rajon. Me pompozitet ai vetëkurorëzohet si perandor. Për të dokumentuar forcën e vendit të tij, Shahu bëhet edhe blerësi më i madh i armëve në rajon: Forcat ushtarake iraniane u pajisën me mjete ushtarake nga më të rejat dhe më modernet. Në këtë mënyrë një pjesë e parave nga nafta derdhen sërish në SHBA. Shahu vendosi - edhe me ndihmën amerikane dhe franceze - gurin themeltar për studimet iraniane në fushën e energjisë atomike. Ai përdor në këtë kontekst të njëjtat argumenta siç i përdorën dhjetë vjet më vonë ata që ishin përgjegjës në Teheranin: Duhet të mendojmë për ditën, kur rezervat e naftës do të konsumohen. Ai i drejtohet Perëndimit: "Ne nuk jemi në gjendje që t´i gjejmë këto burime të reja energjie. Ne nuk kemi mundësi as për laboratorëve dhe as për teknologji. Por Ju, Perëndimi i keni këto mundësi."

Ayatollah Khomeini

Udhëheqësi i revolucionit Ayatollah Ruhollah Khomeini, kthehet më 1 shkurt 1979 në Teheran pas emigracionit 15 vjeçar në Francë


Pavarësisht të gjitha këtyre Shahu ishte shkëputur shumë prej popullit të vet. Reformat e ndërrmara nga Shahu kritikohen nga aktivistët fetarë si "antiislamike" dhe nga Perëndimi si "jo të mjaftueshme".


Pa u turbulluar Shahu beson, se populli e do atë, paçka se ai e shtyp popullin përmes shërbimit sekret dhe policisë. "Për aq kohë sa ekziston lidhja e veçantë mes meje dhe popullit tim, unë nuk e di se ku dhe si ndokush mund të hyjë në mes për ta prishur atë."

Opozita shtoi presionin ndaj Shahut deri sa ky dorëzohet. Ai emëron si kryeministër Shapour Bakhtiar (i cili më vonë do vritej në emigracion në Paris) dhe shpreson që opozita me këtë do të kënaqej.


Por një javë më vonë, pasi Shahu u largua nga Irani, kthehet nga emigracioni në Paris Ayatollah Khomeini. Kështu shpallet Republika Islamike.

(MCK/VFB)



  • Data 15.01.2009
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GZGX
  • Data 15.01.2009
  • Autor Peter Philipp
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GZGX