1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vendimmarrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i mungon transparenca

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri - misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it paraqet raportin paraprak.

Shefen e Misionit të OSBE/ODHIR, Conny McCormack.

Shefen e Misionit të OSBE/ODHIR, Conny McCormack.

Misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri publikoi të premten në mbrëmje ( 7 qershor 2013) raportin paraprak. Në krye të tij theksohet se “këto zgjedhje konsiderohen nga të gjitha palët si një test i rëndësishëm në lidhje me aspiratat e Shqipërisë për hyrje në BE”. Nisur nga ky përcaktim raporti evidenton zhvillimet pozitive të deritanishme në procesin zgjedhor. Ai vë në dukje që këto zgjedhje parlamentare do të kryhen në baze të një kuadri ligjor që siguron ” një bazë të shëndoshë ligjore për zgedhje demnokratike, nëse ai zbatohet plotësisht nga të gjitha palët e përfshira në procesin zgjedhor.” Misioni i vëzhgueve ndërkombëtarë thekson se një pjesë e mirë e rekomandimeve kryesore të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet e kaluara janë pasqyruar në Kodin Elektoral të amenduar në vitin 2012, me pjesëmarrjen e forcave politike kryesore dhe shoqërisë civile. Raporti vlerëson pozitivisht edhe atmosferën në të cilën po zhvillohet deri tani fushata elektorale. Ai e cilëson këtë atmosferë “ në përgjithësi të qetë dhe paqesore”.

KQZ i paplotësuar – pengesë për administrimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin

Krahas vlerësimeve positive për kuadrin ligjor dhe atmosferën e zhvillimit të fushatës elektorale rapori paraprak i OSBE/ODIHR-it paraqet edhe shqetësime për procesin zgjedhor. Sipas tij ka vonesa dhe ka raste të mosrespektimit të afateve ligjore. Por shqetësim kryesor, i shprehur në këtë raport, për vëzhguesit ndërkombëtarë mbetet KQZ. “Vendimeve të KQZ u mungon transparenca dhe disa prej tyre janë kritikuar për mungesë të motivimit të shëndoshë ligjor ”, vihet në dukje në këtë raport.

Raporti përmend rastin e largimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës,shkarkimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, zëvendësimin e tij me një anëtar nga Partia Republikane, gje që solli edhe dorëheqjen e tre anëtarëve të opozitës, ende te pa zëvendësuar. Në të tërhiqet vëmendja se KQZ aktualisht miraton akte normative vetëm me 4 vota. për “vendime specifike për të cilat kërkohet që KZQ të ketë mazhorancë të kualifikuar prej 5 votash”
Raporti i misionit të OSBE-ODIHR thekson se funksionimi aktual i KQZ vetëm me 4 anëtarë e pengon atë të administrojë zgjedhjet në përputhje me ligjin. Për këtë, në raport kujtohet se Kolegji Zgjedhor ka shqyrtuar 11 ankesa kundër vendimeve të KQZ-së.

Paanësia dhe efektshmëria e administrimit të zgjedhjeve e rrezikuar

Një tjetër shqetësim i shprehur në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it janë ndryshimet politike që partitë u bëjnë Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor. “Partitë vazhdojnë të zëvendësojnë anëtarët e KZAZ-ve, pas përfundimit të trajnimit të tyre, duke rritur shqetësimin për paanësinë dhe efektshmërinë e administrimit të zgjedhjeve”-thekson raporti.

Klimë politike e polarizuar, mosbesim mes dy forca kryesore PD- PS

Raporti e cilëson klimën politike në prag të zgjedhjeve të 23 janarit “ të karakterizuar nga polarizimi i gjatë dhe mosbesimi mes dy partive të mëdha Partia Demokratike dhe Partia Socialiste” Ai vë në dukje përdorimin e aktiviteteve qeveritare për qëllime elektorale.
Lidhur me mbulimin mediatik të të fushatës elektorale, raporti paraprak , vë në dukje se ka një mbulim të zgjeruar nga media, por mungon informacioni për votuesin. Shqetësuese mbetet transmetim i kasetave të gatshme, që u serviren kanaleve televizive nga subjektet politikene gare.


Teknologjitë e reja – mundësi manipulimi


Raporti publikon edhe shqetësimin e disa partive dhe shoqërisë civile për pamundësinë e sistemit elektronik të numërimit të votave, që do të përdoret per here te pare në qarkun e Fierit, për të lexuar kartat e dëmtuara të indentitetit ose për të parandaluar votimin e shumëfishtë në qendra të ndryshme votimi.

Raporti paraprak i vezhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it i takon periudhes 15 maj - 3 qershor 2013.