1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vendimi të enjten: BE shtyn sanksionet për Rusinë

BE diskuton sanksionet e zgjeruara ekonomike me qëllim të ndryshimit të kursit të Rusisë. Por vendimi shtyhet deri ditën e enjte. Kërcënimi me kalimin në shkallën e tretë të sanksioneve është afati i fundit për Rusinë.

Pamje nga takimi i ministrave të Jashtëm: Frans Timmermans, ministri i Jashtëm holandez në qendër

Pamje nga takimi i ministrave të Jashtëm: Frans Timmermans, ministri i Jashtëm holandez në qendër

Të enjten (24.07 )Bashkimi Europian do të paraqesë një listë me persona dhe firma ruse, të cilat do të goditen me sanksione për shkak të krizës me Ukrainën. Në rast se Rusia deri në këtë moment nuk e mbyll kufirin me Ukrainën dhe nuk distancohet nga rebelët prorusë në Lindjen e Ukrainës, BE parashikon të zgjerojë sanksionet pas një kërcënimi të përsëritur. "Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier tha në Bruksel pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së se "në rast se Rusia nuk është e gatshme për bashkëpunim, atëherë me këtë vendim janë vendosur piketat. Ky është mesazhi që del nga takimi i sotëm."

Deri të enjten BE do të përgatisë një listë me sanksione të zgjeruara ekonomike. Këto parashohin ndalim të eksportimit të teknologjisë së lartë në fushat e mbrojtjes dhe ekonomisë energjitike. E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme, Catherine Ashton tha se nga sanksionet preken infrastruktura e mbrojtjes që mund të përdoret si për qëllime ushtarake ashtu edhe civile.

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

Vendimi pas samitit të posaçëm të enjten

Nëse ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier i pyetur për një datë konkrete të vendimit nuk u shpreh qartë, kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton bën deklarata konkrete mbi sanksionet. "Mbi këtë bazë të enjten do të merret një vendim, nëse Këshilli Europian do të mblidhet edhe njëherë për këtë çështje, apo nëse ato mund të vihen në jetë në një formë tjetër. Këtë do ta vendosë Presidenti i Këshillit Europian." Me këto sanksione kalohet në fazën e tretë të ashpërsimit, që mund të vihet në jetë vetëm nëse të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së i miratojnë ato njëzëri. Rusia duhet "të ndryshojë kurs menjëherë, me qëllim të mënjanimit të masave më të ashpra", kërkoi kryediplomatja Ashton.

BE: Rusia të ndikojë në kërkimin e arsyeve të rrëzimit të avionit

Rrëzimi i avionit të pasagjerëve MH17 të enjten e kaluar në Ukrainën lindore, sipas gjasave i qëlluar raketë, duket se e ndryshoi atmosferën mes ministrave të Jashtëm, që e filluan takimin me një minutë heshtje. Frans Timmermans, ministri i Jashtëm i Holandës iu drejtua me një fjalim prekës kolegëve të tij. Holanda pësoi numrin më të madh të viktimave nga rrëzimi i avionit, 193 vetë. Rusia bëhet bashkëfajtore për rrëzimin e avionit, sipas gjasave i qëlluar me raketë. "Gëzohem që ka kaq shumë solidaritet mes kolegëve dhe përkrahje për viktimat dhe të afërmit", tha Timmermans. Me kërcënimin për sanksione të zgjeruara, BE ka marrë një vendim të fuqishëm, vlerëson ministri i Jashtëm holandez. "Ky vendim u mor njëzëri dhe kjo është shenjë e mirë."

E ngarkuara e BE-së për politikën e Jashtme Catherine Ashton u shprehu ngushëllimet e saj familjeve të viktimave dhe i adresoi Moskës një mesazh të qartë. "Ata që direkt ose indirekt janë përgjegjës për rrëzimin e avionit, duhet të dalin para drejtësisë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të japin kontributin e tyre dhe sidomos kërkojmë nga Rusia që të ushtrojë ndikimin e saj të plotë ndaj milicëve të armatosur pa të drejtë, më qëllim që të sigurohet akses i plotë në vendin e ngjarjes". Ndërkohë një vagon me ftohje me trupat e viktimave ka mbërritur në Charkiv, një zonë kontrolli e trupave ukrainase.

BE shpreh keqardhjen për viktimat në konfliktin e Gazës

Ministrat e jashtëm të BE -së u konsultuan edhe për rajonin e krizës në Lindjen e Mesme, por pa marrë vendime konkrete. BE shpreh keqardhjen për humbjen e jetëve të njerëzve në konfliktin aktual mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë. Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier konfirmoi se një familje gjermane me origjinë palestineze është vrarë gjatë luftimeve në Gaza. "Kjo thekson edhe njëherë se sa e rëndësishme është që të vendoset armëpushimi", tha Steinmeier. Ministri i Jashtëm gjerman nuk donte të shprehte kritikë ndaj Izraelit. "Sigurisht që Izraeli ka të drejtë të mbrojë popullin e tij ndaj sulmeve me raketa të Hamasit. Por duhet bërë e pamundura që të mos rritet edhe më numri i viktimave civile." Ndërsa kryediplomatja e BE-së, Catherine Ashton i bëri thirrje Izraelit në çarmatosjen e Hamasit të ruajë proporcionalitetin. Të dyja palët duhet të bien dakord për një armëpushim dhe të kërkojnë një zgjidhje paqësore, tha Ashton. Ndërkohë shumë shoqëri fluturimi kanë bërë të ditur se kanë anuluar fluturimet drejt Izraelit për shkak të luftimeve, një pasojë kjo edhe e rrëzimit të avionit në Ukrainë.