1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vendimi përfundimtar në procesin Ergenekon

Pas gati pesë vjetësh proces gjykata në Silivri shpalli vendimet përfundimtare në rastin Ergenekon. Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm, Ilker Basbug, sipas informacioneve në medie është dënuar me burgim të përjetshëm.

default

Protestat në Turqi për procesin Ergenekon

Është një nga proceset më të kontestuara gjyqësore në historinë e drejtësisë turke - procesi Ergenekon. Në Stamboll të hënën (05.08.2013) u shpall vendimi: Për më shumë se 60 të akuzuar u kërkua burgim i përjetshëm - ndër të tjerë edhe për ish-shefin e shtabit të përgjithshëm Ilker Basbug. 21 të akuzuar nga gjithsej 300 u liruan, të gjithë të tjerët janë dënuar me heqje lirie. Ndër ta bëjnë pjesë ish-ushtarakë me grada, avokatë, biznesmenë, politikanë dhe gazetarë. Personat akuzohen se kanë qenë pjesë e rrjetit terrorist me emrin "Ergenekon", i cili nga ana e tij thuhet se është pjesë e të ashtuquajturit "Shtet i thellë", një organizatë e fshehtë, anëtarët e së cilës kanë organizuar atentate dhe vrajse kundër elitës politike dhe kulturore të Turqisë. Synimi thuhej se ka qenë zhytja e Turiqse në kaos dhe frikë, në mënyrë që ushtria të kujdesej sërish me puç "për rend dhe qetësi". Forcat e armatosura turke tradicionalisht e kanë parë veten si mbrojtëse të kombit dhe kanë kryer tre puçe. Edhe anëtarë e Ergenekonit akuzohen se janë përgjegjës për disa tentativa për puç kundër qeverisë me orientim islamik të kryeministrit Rexhep Taip Erdogan. Me procesin kundër Ergenekonit duhet të bëhet e padëmshme një pjesë e rëndësishme e "Shtetit të thellë".

Proces i kontestuar

Türkei Prozess Istanbul Ergenekon Protest

Një nga pjestarët e organizatës Ergenekon

Argumentet e qeverisë turke se Ergenekon është vërtet pjesë e "Shtetit të thellë" tashmë e kanë humbur besueshmërinë në Turqi. Shumë besojnë se prapa vrasjeve për të cilat akuzohet Ergenekon, qendrojnë qarqe nga vetë qeveria.

Procesi zgjat prej pesë vjetësh dhe kontestohet fuqishëm ndër të tjera për arrestet hetimore pjesërisht shumë të gjata për të paditurit dhe situatën jontransparente lidhur me dëshmitë. Kritikët e akuzojnë qeverinë e Erdoganit se po e shfrytëzon procesin për një gjueti shtrigash kundër kundërshtarëve politikë. Vetë Erdogan i hedh poshtë akuzat. "Ne tregojmë një qendrim të patundur dhe të guximshëm për të çliruar vendin dhe qytetarët nga bandat dhe mafia", u shpreh Erdogan në një konferencë për shtyp të enjten (01.08.2013). Askush nuk qendron mbi ligjin. "Ne jemi të vendosur të luftojmë kundër bandave ilegale", citon gazeta turke Hürriyet kryeministrin turk.

Mjaft intelektualë dhe artistë turq prej javësh i bëjnë thirrje popullit për demonstrime masive para ndërtesës së gjykatës, në qytetin Silivri, jo larg Stambollit. Ata i quajnë të burgosurit "heronj, baballarë dhe nëna". Guvernatori i Stambollit Hysein Avni Mutlu paralajmëroi ndaj demonstrimeve të tilla, të cilat i cilësoi të paligjshme. Thirrjet për protesta duhen injoruar, tha Mutlu.

A është qeveria e Erdoganit vetë pjesë e "Shtetit të thellë"?

Erdogan PK Budapest 05.02.2013

Rexhep Tayp Erdogan

Gazetari investigativ dhe autori i librave Nedim Sener prej vitesh bën pjesë në radhën e kritikëve të qeverisë Erdogan. Në mars 2011 ai u burgos për gati një vit bashkë me kritikë të tjerë të qeverisë. Akuza: Sener ka qenë anëtar i rrjetit Ergenekon. "Dëshmitë kundër nesh ishin vetëm shkrimi i librave dhe ndihma në shkrimin e librave. Arsyeja e vërtetë për burgosjen time ishin hulumtimet për vrasjen e Hrant Dink si dhe librat që kam shkruar për të", thotë Sener në bisedë me Deutshe Welle-n. Gazetari armen Hrant Dink u vra në 2007 në mes të rrugës. "Policët që ishin përgjegjës për rastin e Dink, janë ata që drejtojnë hetimet në procesin Ergenekon", thotë Sener.

Krahas vrasjes së armenit Hrant Dink, Sener tërheq vëmendjen edhe për vrasjen e priftit katolik Don Santoro, i cili u vra me armë zjarri në 2006 në kishën e tij. "Organizatorët dhe dorësit e përfshirë në këto vrasje janë të gjithë bashkëpunëtorë të autoriteteve shtetëore. Pjesërisht ata janë edhe në politikë", thotë gazetari. "Shteti i thellë" është tani në duar të tjera. "Edhe dhuna kundër atyre që protestojnë në parkun Gezi tregon se si mendon ende ky shtet. Kur vret dikë në emër të shtetit, atëherë nuk të ndodh asgjë", thotë Sener.

Kritikët flasin për një proces me motive politike

Shumë njerëz janë paditur pa shkak, thotë më tej gazetari. "Disa janë mbajtur në arrest hetimor për një kohë aq të gjatë sa do të ishte dënimi, nëse do shpalleshin fajtorë", kritikon Sener drejtësinë tuke. Shumë pyetje janë të hapura, dëshmitë janë krejt jotransparente. Rasti Ergenekon nuk do të mbetet në kujtesë si zbulimi i "Shtetit të thellë" dhe tentativës për puç. "Ai do të mbetet në kujtesë si procesi që shkatërroi opozitën", thotë gazetari.

Proteste gegen Ergenekon in Istanbul

Protestë kundër procesit Ergenekon në Stamboll

Edhe Hyseyin Ersëz e konsideron procesin Ergenekon të motivuar politikisht. Ai është avokat i gazetarit Tuncay Ëzkan dhe avokatit dhe ish oficerit të shtabit Mustafa Levent Gëktas, të paditur në proces. "Të dy akuzohen se janë anëtarë të një organizate terroriste. Për ta kërkohet dënimi me burgim të përjetshëm me argumentimin se kanë dashur të rrëzojnë me puç qeverinë", shpjegon Ersëz në bisedë me Deutsche Welle-n. Avokati i referohet numrin të madh të dokumenteve digjitale që janë përdorur si dëshmi kundër pjesës më të madhe të të paditurve. "Ato janë dokumente pa firmë, të cilat nuk mund t'i lidhësh me asnjë person konkret", thotë Ersëz.

Kështu edhe në rastin e klientit të tij. Mustafa Levent Gëktas është paditur për shkak të një CD-je të gjetur në zyrën e tij avokatore. "Përsëri një dokument digjital. Kjo CD është dëmtuar në kohën që ishte në duart e policisë. Gëktas fajësohet me një CD, e cila është e papërdorshme dhe për të cilën ai vetë thotë se nuk i përket", thotë avokati.