1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Vendimi për pafajësi nuk mund të jetë përfundimi i të gjitha hetimeve!"

Në intervistë me Deutsche Welle, deputeti demokristian Kiesewetter shprehet për procesin gjyqësor për 21 janarin dhe vizitën e ardhshme në Kosovë dhe Serbi.

Deputeti demokristian në Bundestag, Roderich Kiesewetter.

Para pak ditësh një gjykatë në Tiranë vendosi në lidhje me paditë kundër pjesëtarëve të Gardës së Republikës për vrasjen fillimisht të tre demonstruesve më 21 janar 2011. Prokurori i përgjithshëm pati kërkuar 23 respektivisht 25 vjet heqje lirie. Vendimi ishte: Pafajësi. Çfarë na tregon kjo shpallje vendimi?

Këtu dua t'i bashkohem kritikës së shprehur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Natyrisht, unë nuk i njoh rezultatet e hetimeve, por kur është evidente që prokuroria ka konstatuar që këtu bëhet fjalë për vepra penale të shkallës më të rëndë (pasi përndryshe nuk kërkohen 23 dhe 25 vite dënim) dhe më pas vjen një vendim pafajësie, këtu lipset një hetim i veçantë. Në Gjermani kjo do të shpinte në ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar. Kjo sepse këtu me sa duket ekziston paqartësi për mënyrën sesi u arrit në këtë vendim. Po, e dëshirojmë një drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri, por midis kërkesës për 23 dhe 25 vjet heqje lirie dhe shpalljes së pafajësisë ka një dallim gjigant, dallim i cili është i pakuptueshëm për vendet e Bashkimit që i duan të mirën Shqipërisë (dhe këtu bën pjesë Gjermania). Për këtë arsye mendoj që kjo doemos duhet hetuar, aq më tepër që Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Besoj që këtu së paku duhet shmangur përshtypja që vendimi mund, mund, të jetë arritur në rrugë jo të ligjshme.

Pas ngjarjeve të 21 janarit nga vëzhguesit u konstatua se viktimat qëndronin qartë jashtë kufizimit të selisë së kryeministrit dhe mbi të gjitha ata po qëndronin, dhe po silleshin paqësisht. Këtu lind detyrimisht pyetja se sa i përligjur ishte reagimi ndaj tyre, pra mbi përpjestueshmërinë e mjeteve të reagimit?

Qysh në janar 2011 e kam kritikuar sjelljen e autoriteve të drejtësisë. Këtë e kam bërë të qartë asokohe edhe kundrejt kryetares së parlamentit, zonjës Topalli, (të cilën e vlerësoj shumë). Ne si palë gjermane e kemi shoqëruar asokohe në mënyrë tejet kritike këtë. Asokohe nuk ekzistonte përpjestueshmëri e mjeteve. Besoj që në këtë pikë pajtohemi të gjithë. Për këtë arsye kemi shpresuar edhe më fort për një zbardhje të qartë të këtyre ndodhive. Vendimi për pafajësi nuk mund të jetë përfundimi i të gjitha hetimeve. Dhe duke pasur parasysh statusin e vendit kandidat për Shqipërinë (të cilin unë e mbështes shumë fort dhe edhe në Gjermani jam një përkrahës shumë i fuqishëm në parlament që Shqipëria ta marrë statusin e kandidatit) një vendim i tillë (duke mos qenë i shoqëruar nga shpjegime dhe gjëra të ngjashme) fiton një peshë të veçantë.

Gjykata duket të mos ketë marrë parasysh as ekspertizën balistike të FBI-së (e kërkuar vetë prej Shqipërisë). Si ndikon kjo ndaj aspiratës së Shqipërisë për integrim në BE kur është theksuar se ngjarjet e 21 janarit janë një nga kriteret vendimtare kur është fjala për integrimin? A është një vend, i cili i gjykon në këtë mënyrë ngjarjet e 21 janarit, i aftë të futet në BE ose të nisë procesin e negociatave?

Përgjegjësit politikë në Shqipëri: qeveria, partitë në parlament (edhe opozita) duhet të kenë të gjitha së bashku interes që emri i Shqipërisë në botën e jashtme të mbetet i padëmtuar. Këtu kërkohet vërtet bashkëpunim midis partive qeveritare dhe opozitës në parlament si dhe me qeverinë. Pëndryshe do të lindte përshtypja se Shqipëria ka këtu mangësi. Bashkimi Evropian nuk mund t'i lejojë vetes që të kandidojnë për aderim shtete, të cilat nuk kanë trajtuar sipas rregullave të caktuara pjesë të rëndësishme të çështjeve të hapura juridike. Apeli im për përgjegjësit në Shqipëri është që të kujdesen bashkarisht për zbardhjen e ngjarjeve dhe të bëjnë reklamë për vendin jashtë. Këtu bën pjesë edhe që krime të pazgjidhura (e këtu me sa duket është fjala për shkelje të ndalimit të tejkalimit të masës, për shkelje të proporcionalitetit, për mungesë të zbardhjes së plotë, për mospërfshirje të ekspertizës mjekoligjore) - që këto gjëra të eliminohen. Sepse kur të jenë përsëri për t'u marrë vendime për statusin e vendit kandidat (kjo do të jetë këtë vjeshtë), natyrisht që kjo gjë do të vlerësohet veçanërisht. Dhe BE-ja është shumë e interesuar, edhe qytetaret e qytetarët në Gjermani, që të dijë përse erdhi deri në këtë vendim, pra duhen zbuluar të gjitha të dhënat dhe duhet të bëhet e qartë që drejtësia shqiptare ka interes në zgjidhjen e rasteve. Nuk lejohet të krijohet përshtypja që këtu mbulohen pazarllëqe. Në qoftë se këto gjëra nuk zgjidhen - ndofta vendimi për pafajësi ishte i përligjur - por ekziston ende dyshimi se ai nuk ishte i përligjur, pra nëse nuk kryhet kjo zbardhje e plotë, atëherë edhe të gjithë përkrahësit e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të tërhiqen dhe do të thonë: Shqipërisë iu dashkërka më shumë kohë. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet në Shqipëri dhe që Shqipëria ta mbledhë veten dhe t'i zgjidhë shpejt e pa vonesë në javët e ardhshme incidentet e 21 janarit.

Ç'do të thotë kjo po të kemi parasysh zgjedhjet në qershor të këtij viti në Shqipëri? Si do ta shoqërojë Gjermania këtë proces?

Fillimisht, Shqipëria është një shtet sovran dhe duhet ta kryejë këtë vetë. Unë mendoj që Gjermania nuk duhet të përzihet në fushatën elektorale, kjo nuk është detyrë e jona. Mirëpo është detyrë e partive demokratike të Shqipërisë, e të gjitha partive demokratike të Shqipërisë, që këtu të garantojnë për zgjidhjen e çështjeve [në drejtësi]. Mendoj se këtu ka një interes të madh që këto gjëra të jenë zgjidhur deri në fushatën elektorale, pasi po të bëhet kjo gjë temë e fushatës zgjedhore, atëherë çështje të tjera si kriminaliteti i organizuar, shteti ligjor, siguria kontraktuale dhe e investimeve, besueshmëria në marrëveshje, pra në kontrata, etj. do të ishin dytësore dhe do t'i nënredoheshin kësaj teme emocionale. Për këtë arsye të gjithë personat me përgjegjësi në Shqipëri duhet të jenë të interesuar që kjo akuzë, e cila gjendet në vlerësimin e vendimit, të mënjanohet sa më shpejt.

Ju do ta vizitoni së afërmi rajonin. Për çfarë do t'i inkurajoni bashkëbiseduesit e atjeshëm, para së gjithash kur kemi parasysh Kosovën dhe dialogun Kosovë - Serbi?

Në mes të marsit do të jemi me disa kolegë në Kosovë dhe në Serbi. Për ne ka së pari rëndësi që pakicat në Serbi (meqë bie fjala: edhe në Maqedoni kështu është) të trajtohen në mënyrë të atillë që ato të qëndrojnë në vendin e tyre dhe të mos kërkojnë për arsye të tjera strehim politik në Gjermani. Nuk bën që shtete të Ballkanit të sillen me popullin e tyre në mënyrë të tillë që individë të caktuar, qoftë për arsye ekonomike a për arsye të tjera, të kërkojnë azil në Gjermani. Këtë do të theksojmë në takime, që shtete të cilat duan të hyjnë në BE të sillen me kujdes me pakicat në vendet e tyre, ashtu siç duhet.

Së dyti, kemi cekur një sërë pikash që duhen zgjidhur për sa i takon Serbisë, për shembull zbardhja e sulmit mbi ambasadën gjermane (zjarrvënia e para disa viteve). Këtu nuk ka ndodhur ende asgjë. Tjetra, që nga pala serbe të mos ngrihen struktura paralele në veri të Kosovës, po që të respektohet sovraniteti i Kosovës. Së treti, që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë që kanë nisur në Kosovë të mos rrezikojnë të prishen dhe të mos pengohen, sepse si Serbia ashtu edhe Kosova duhet të kenë interes të përbashkët që aftësia për t'u pranuar, dmth. nisja e negociatave të aderimit për Serbinë, të mund të ndodhë në kohë jo të largët - me siguri që nuk ka për të qenë sivjet - dhe që Kosova ose procesi midis Kosovës dhe Serbisë të çojë në përfundimin që të dyja shtetet të shkëmbejnë amasadorë ose së paku të dërguar. Pra, që kjo të shpjerë në fund në njohjen e sovranitetit të Kosovës dhe anasjelltas, Kosova të bëjë gjithçka për mbrojtjen e pakicës serbe në Kosovë dhe të mirat kulturore serbe. Këto janë një sërë pikash që do t'i hetojmë dhe trajtojmë atje.

Deputeti demokristian Roderich Kiesewetter, është anëtar i komisionit për politikë të jashtme  dhe evropiane në Parlamentin Federal (Bundestag) si dhe zv.president i shoqatës së Evropës Juglindore.

Intervistoi: Elert Ajazaj