1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi për statusin e Serbisë shtyhet për të hënën

1 Dhjetor 2011

Brukseli është i kënaqur me vazhdimin e dialogut, por edhe i shqetësuar për dhunën në Kosovë. Edhe pse ishte njoftuar se vendimi për statusin e kandidatit për Serbinë mund të mirrej sot, ai u shty për të hënën.

https://p.dw.com/p/13KmQ
Imazh simbolik
Imazh simbolikFotografi: DW

Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë të BE-së, Catherine Ashton deklaroi para takimit të sotëm të Këshillit të Ministrave në Bruksel, se është shumë e shqetësuar për shkak të dhunës në veri të Kosovës dhe se Bashkimi Evropian, është duke punuar shumë me të dyja palët për të gjetur një zgjidhje paqësore për problemet në këtë rajon. Ajo njëkohësisht shprehu kënaqësinë e saj për vazhdimin e sotëm të dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërsa ministrat e jashtëm evropianë presin rezultate konkrete të dialogut, për të rrumbullakosur mendimet e tyre mbi përparimin e Serbisë drejt BE-së, bisedimet e ditës së djeshme (30.11.2011) edhe pse zgjatën tërë ditën nuk rezultuan me asnjë marrëveshje konkrete, përveç përafrimit të qëndrimeve sa i përket pikëkalimeve në veri të Kosovës.

Boris Tadic dhe Kathrin Ashton, Bruksel, 2010
Boris Tadic dhe Kathrin Ashton, Bruksel, 2010Fotografi: Marina Maksimovic

Shefi  i diplomacisë suedeze Karl Bildt, megjithatë, beson se dialogu nuk ka përjetuar një "fiasko" dhe shton: "Sipas informacioneve që kam marrë dialogu përparon dhe vazhdon edhe sot. Ndërsa çështja e kandidaturës së Serbisë nuk është në agjendën e sotme të Këshillit. Ajo do të jetë në rend të ditës ditën e hënë (5.12.)"

Për përparimin e Serbisë nevojiten vepra konkrete

Në të njëjtën kohë ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger, i cili gjithashtu merr pjesë në takimin e Këshillit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, porositi Beogradin se për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës nuk mjaftojnë vetëm fjalët, por të nevojshme janë edhe veprat.

"Edhe pse qeveria austriake mbështet Serbinë dhe kandidaturën e saj, ngjarjet e fundit në veri të Kosovës kanë shkaktuar shqetësim të madh", tha Spindelegger. Ai theksoi se mediat serbe raportuan se ka pasur sulme nga anëtarë të KFOR-it mbi popullin serb duke konstatuar fakte që nuk mund të interpretohen ashtu në asnjë mënyrë:

"Prandaj është absolutisht e domosdoshme që presidenti Tadiq jo vetëm të thotë diçka lidhur me ngjarjet por nevojiten edhe vepra konkrete që protestuesit të gjinden dhe të dënohen. Po ashtu është e nevojshme që të gjithë të tregojnë përkushtimin e tyre për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Ky është një kusht për çdo hap përpara", nënvizoi Spindelegger në Bruksel.

Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael Spindelegger
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Michael SpindeleggerFotografi: picture alliance/dpa

Ministrat e jashtëm të BE-së sot është dashur të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre lidhur me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Të hënën (5.12.) priten konkluzionet përfundimtare mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të cilat më 9 dhjetor duhet të miratohet nga Këshilli i krerëve të Bashkimit Evropian.

Autor: Marina Maksimoviq / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama