1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Një turp për demokracinë"

Kirstin Hausen / Esat Ahmeti25 Qershor 2013

Zemërimi në Partinë "Populli i Lirisë" pas shpalljes fajtor të Silvio Berluskonit është i madh. Vendimi ka dëmtuar rëndë edhe imazhin e ish-kryeministrit. Megjithatë, pasojat praktike në politikën italiane janë të vogla.

https://p.dw.com/p/18vR5
Fotografi: picture-alliance/ROPI

Dënimi i Silvio Berluskonit me shtatë vjet burg dhe ndalim të përjetshëm për të mbajtur poste publike, ka shkaktuar polemika në politikën italiane. Kolegët e partisë së Berluskonit, Maurizio Gasparri dhe Fabrizio Cichitto e quajtën vendimin si "një turp për demokracinë" dhe shprehën indinjatën e tyre në të gjitha kanalet televizive.

Pamje nga procesi kundër Silvio Berluskoni)
Pamje nga procesi kundër Silvio BerluskoniFotografi: Reuters

Politikanët e kampit të majtë si Nichi Vendola, presidenti i rajonit të Pulias, shfrytëzuan vendimin e gjykatës si një rast për t'i bërë thirrje Berluskonit që të tërhiqet nga politika. Para Pallatit të Drejtësisë në Milano ishin mbledhur disa dhjetëra qytetarë për të uruar prokuroren Ilda Boccassini për rikonstruktimin e suksesshëm të ngjarjeve në vilën e Berluskonit në Arcore. Berluskoni ka keqpërdorur postin e tij për të liruar nga arresti policor Karima El-Mahroug-in, e njohur me nofkën Ruby dhe ai e ka paguar atë për shërbime seksuale në kohën, kur ajo ishte ende e mitur. Sipas gjykatës provat për këtë janë të mjaftueshme.

Dëmtim i madh i mazhit

Pala mbrojtëse e Berluskonit është e bindur se Gjykata e Apelit nuk do të mbështesë vendimin. Vendimi i shkallës së parë për dënim me shtatë vjet burgim dhe ndalim të përhershëm që të mbajë funksione publike, nuk mund të jetë i plotëfuqishëm pa kaluar edhe në Gjykatën e Apelit. Kështu Berluskoni nuk është i detyruar ende që të lirojë vendin e tij në senat. Në aspektin praktik, vendimi në procesin Ruby nuk ka asnjë ndikim në karrierën politike të Silvio Berluskonit. Por dëmtimi i imazhit të tij është i madh. Tani edhe stacionet televizive të Berluskonit do ta kenë të vështirë ta portretizojnë atë si të pafajshëm. Ashtu si në rastet e dënimeve në të shkuarën, Berluskoni nuk është shprehur ende lidhur me vendimin. Para procesit ai e ka quajtur veten si i "persekutuar i gjyqësorit".

Në foto, Karima El Mahrough
Në foto, Karima El MahroughFotografi: picture-alliance/dpa

Gjyqtarët e motivuar politikisht?

Gjyqtarët e Milanos, para së gjithash prokurorja Ilda Bocccassini, do ta shihnin me dëshirë për shkaqe politike Berluskonin në burg, është teza e palës mbrojtëse. Por të gjitha përpjekjet që proceset kundër mandantit të tyre të kalohen nga Milano në qytete të tjera janë bllokuar nga Këshilli i pavarur Gjyqësor. Kjo ka ndodhur edhe në rastin Ruby. Gruaja marokene, ndërkohë e martuar me një sipërmarrës gati 50-vjeçar dhe nënë e një vajze të vogël, ka mohuar të ketë patur seks me Silvio Berluskonin. Ajo aktualisht ndodhet me pushime në Meksikë dhe nuk dëshiron të flasë me askënd për këtë temë.