1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vendimi i Hagës pritet pas tre muajsh

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë përfundoi të premten procesi i dëgjimit publik në procesin e vlerësimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. 30 vende paraqitën argumentet pro dhe kundër pavarësisë.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Rezultati përfundimtar pas dëgjimeve publike që zgjatën nga 1 deri me 11 dhjetor ishte 14:12 në favor të pavarësisë së Kosovës. Dëshmitë e para pro dhe kundër pavarësisë i paraqitën delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina. Delegacioni serb theksoi se "Kosova është djepi i Serbisë", se duhet respektuar integriteti territorial dhe sovraniteti i Serbisë, dhe se Kosova mund të ketë vetëm autonomi në kuadër të Serbisë. Ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq para gazetarëve theksoi: "Kosova ishte, është dhe do të jetë pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë". Jeremiq refuzoi t`i përgjigjet pyetjes çfarë do të bëjë Serbia në qoftë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vlerëson se Deklarata e pavarësisë nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Delegacioni nga Prishtina theksoi se Deklarata e pavarësisë është shpallur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me vullnetin e popullit. Ministri i jashtëm Skender Hyseni tha se ata kanë besim të plotë tek Gjykata. "Presim që të respektohet vullneti i popullit të Kosovës dhe që pavarësia të shpallet legjitime."

Pavarësinë e Kosovës e kanë mbështetur edhe Shqipëria, Gjermania, Arabia Saudite, Austria, Bullgaria, Kroacia, Danimarka, SHBA-ja, Finlanda, Franca, Jordania, Norvegjia, Holanda dhe Britania e Madhe. Ndërsa kundër, përveç Serbisë, argumentuan edhe Argjentina, Azerbejxhani, Bjellorusia, Bolivia, Brazili, Kina, Qipro, Spanja, Rusia, Rumunia, Venezuela dhe Vietnami. Ndërsa Burundi nuk u deklarua qartë as pro as kundër pavarësisë.

30 vende paraqitën argumentet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

30 vende paraqitën argumentet pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës.

Ishte kjo hera e parë që në një proces në këtë Gjykatë marrin pjesë të pesë vendet anëtare të përhershme të KS të OKB-së. Përfaqësuesja e Kinës Xue Hanqin, paraqitjen e aprë të Kinës para këtij institucione e shpjegoi me fjalët: „Kina është e mendimit se vlerësimi i ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës është i një rëndësie të veçantë për paqën dhe stabilitetin në Ballkan dhe të drejtën ndërkombëtare.“

Argumentat kundër

Argumentat më të shpeshta kundër pavarësisë ishin: Kosova nuk ka të drejtën e vetvendosjes, duhet respektuar parimi i ruajtjes së integritetit territorial, duhet respektuar Rezolutën 1244 e KS të OKB, Kartën e OKB-së, Dokumentin final të Helsinkit.

Ambasadori rus në Holandë, Kiril Govergian, ishte i mendimit se pavarësia e Kosovës është në kundërshtim me të gjitha dokumentet ndërkombëtare. Ai kërkoi vazhdimin e negociatave, me shpjegimin se: "Asnjë institucion nuk ka të drejtë të shpallë pavarësinë e njëanshme të Kosovës.“

Argumentet pro

Në anën tjetër, argumentet më të shpeshta të mbështetësve të pavarësisë ishin: Deklarata e pavarësisë është shpallur nga organet legjitime, populli i Kosovës ka të dretjën e vetvendosjes, pavarësia gjen mbështetje tek dokumentet e OKB-së dhe vendimet e Tribunalit për krime lufte, ku është dëshmuar se Serbia ka bërë krime dhe spastrime të mëdha etnike kundër shqiptarëve të Kosovës, pavarësia nuk është në kundërshtim me Rezolutën 1244, negociatat me ndërmjetësim ndërkombëtar kanë dështuar, Kosova është rast sui generis.

Përgjigja e përfaqësuesit të SHBA-së, Harold Hongju Koh, në pyetjen a është pavarësia në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ishte: "Përgjigja në këtë pyetje është po!"

Dëshmitë e para i paraqitën delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina.

Dëshmitë e para i paraqitën delegacionet nga Beogradi dhe Prishtina.

SHBA-ja dhe mbështetësit tjerë theksuan se pavarësia e Kosovës sjell paqe dhe stabilitet në Ballkan. Koh theksoi se Serbia në të kaluarën ka bërë krime të rënda kundër shqiptarëve. „Më shumë se dhjetë mijë kosovarë janë vrarë, ndërsa më shumë se një milionë janë dëbuar nga shtëpitë e tyre. Në Kosovë janë bërë spastrime brutale etnike të shqiptarëve, prandaj nuk mund të kërkohet prej tyre të jetojnë në Serbi“, theksoi përfaqësuesi amerikan.

Në Evropë ka hapësirë të mjaftueshme për të dy shtetet

Përfaqësuesja gjermane, Susane Wasum-Rainer ishte e mendimit se Kosova nuk mund të përdoret si shkas për secesione të tjera. "Kosova nuk është një rast precedencë. Rasti është specifik dhe unik".

Përfaqësuesja e Gjermanisë foli edhe për ardhmërinë e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. "Qeveria ime është e bindur se në shtëpinë e përbashkët, në Evropë, ka hapësirë të mjaftueshme për të dyja shtetet – Kosovën dhe Serbinë.“

Kroacia ishte vendi i vetëm nga hapsirat e ish - Jugosllavisë, që u paraqit para Gjykatës. Andreja Metelko Zgombiq theksoi se Kosova kishte të dretjën e vetvendosjes që në kohën e Kushtetutës së vitit 1974. Autonomia e saj është hequr me dhunë në vitin 1989, ndërsa në vitet 90 janë bërë spastrime etnike. Këto pohime kanë shkaktuar reagime të shumta negative të palës serbe.

Dëshmitë me shkrim në këtë proces i kanë paraqitur 36 vende, që e bën atë procesin më të gjërë në historinë e GjND-së. Mendimi këshilldhënës i Gjykatës e cila përbëhet prej 15 gjykatësish, nuk është i obligueshëm dhe zakonisht pritet pas rreth tre muaj.

Autor : Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 12.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L10A
  • Data 12.12.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/L10A