1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vendimi i Hagës: Drejtësi e vonuar, por zbardhja ende nuk ka marrë fund

Vendim i drejtë ai i gjykatës holandeze, që bën bashkëpërgjegjëse Holandën për vdekjen e 300 myslimaneve, komenton Benjamin Pargan. Por nuk të quhet fundi i përballimit me të shkuarën e masakrës së Srebrenicës.

Megjithëse një vendim pak a shumë i njëjtë ekzistonte po nga një gjykatë apeli holandeze, dhe vendimi i ri ende nuk ka hyrë në fuqi, kjo ditë meriton vendin e saj në historinë europiane. Ky vendim është një provë tjetër për dështimin kolektiv të Europës perëndimore në verën e vitit 1995.- Ai dokumenton me fjalën e drejtësisë, bashkëpërgjegjësinë e konfirmuar të helmetkaltërve për gjenocidin më masiv në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Po, helmetkaltërit holandezë mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë, së paku për ata njerëz që në korrik 1995 nga baza e tyre u dorëzuan në duart e ushtarëve serbo-boshnjakë. Sjellja e padenjë e ushtarëvë holandezë të Kombeve të Bashkuara është konfirmuar në shumë raporte.

Pafajësi për veten

Vlerësimet e gabuara dhe dështimi i tmerrshëm i oficerëve, arroganca e tyre ushtarake, gabimet banale në komunikim, një apati demonstrative. Të gjitha të regjistruara me saktësi dhe me shkrim. Megjithatë qeveria holandeze në verën e vitit 2003 i dha vetes pafajësinë e plotë. Nuk mund të bëhet fjalë për një faj të Holandës në masakrën e Srebrenicës, pretendoi asokohe kryeministri kristiandemokrat, Jan Peter Balkenende. Paraqitje të tilla publike ishin dhe janë skandaloze. Ato janë një shuplakë në fytyrë për të afërmit e viktimave të Srebrenicës.

Disa nëna ende kërkojnë kufomat e bijve të tyre, bashkëshortëve, vëllerzërve, të cilët ushtarët holandezë nga baza e tyre në territorin e mbrojtur të Kombeve të Bashkuara i dorëzuan drejt e në duart e përkrahësve të gjeneralit Ratko Mladiç. Shumë ushtarë të batalionit "Dutchbat" ndihmuan madje me zell në ndarjen e grave nga burrat, megjithëse në atë moment dihej, që këta burra dhe djem të rinj do të deportoheshin apo vriteshin. Fakti që disa ushtarë holandezë me vite heshtën për masakrën, për të cilën ata ishin dëshmitarë tregon, i jep kësa ngjarjeje një notë veçanërisht të hidhur dhe cinike.

Benjamin Pargan komenton

Benjamin Pargan komenton

Bashkëpërgjegjësia e Holandës e konfirmuar nga ana civile ligjore për herë të dytë është një satisfaksion i pritur për një kohë të gjatë. Në reagimet e para ata bënë fjalë për drejtësi të vonuar dhe bënë të ditur padi të reja. Por është e gabuar dhe e padrejë që roli i padenjë i ushtarëve holandezë ta largojë vëmendjen nga bashkëpërgjegjësia fatale dhe direkte e protagonistëve të tjerë të tragjedisë së Srebrenicës.

Zbardhja e masakrës së Srebrenicës ende nuk ka marrë fund

Roli i komandantit të atëhershëm të trupave të Kombeve të Bashkuara në ish-Jugosllavi, Bernard Janvier duhet po ashtu të sqarohet me po aq konsekuencë dhe pa paragjykime. Gjenerali francez mohonte me kokëfortësi sulme ajrore kundër tankeve serbo-boshnjake në përparim e sipër, megjithëse për këtë ishin përmbushur kushtet e kërkuara: Ushtarët e trupës së OKB-së u sulmuan drejtpërdrejt dhe Ratko Mladiç e shkeli pamëshirshëm ultimatumin që i ishte vënë. Lutjet për mbështetje nga ajri që i ishin drejtuar gjeneralit Janvier në ditët para pushtimit të Srebrenicës u refuzuan prej tij disa herë. Çështjes së fajit të gjeneralit i kushtoi vëmendje një komision hetimor, i ngarkuar nga Asambleja Kombëtare franceze. Madje aty u shqyrtua edhe teza, sipas së cilës gjenerali Bernard Janvier dhe Ratko Mladiç në ditët e korrikut 1995 kishin rënë në ujdi: asnjë goditje nga ajri - si këmbim do të liroheshin pengjet franceze, që ndodheshin në dhunën e ushtarëve boshnjako-serbë dhe milicëve të tyre.

Negociatat për lirimin e pengjeve franceze u vërtetuan, por me gjasë "ato janë kryer përmes kanaleve të tjera", u tha në raportin përfundimtar. Shumica e anëtarëve të komisionit hetimor francez e refuzuan asokohe tezën. Me këtë edhe një qeveri tjetër europiane ia dha vetes pafajësinë e rehatshme. Ky është edhe një shembull tjetër për atë që në rastin e masakrës më të madhe në Europë, që nga Lufta e Dytë Botërore ende nuk ka marrë fund zbardhja e plotë dhe e pavarur e dështimit kolektiv të bashkësisë ndërkombëtare me OKB-në në krye. Edhe pas këtij vendimi të gjykatës holandeze. Nënat e Srebrenicës kanë të drejtën dhe detyrimin të vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën.