1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese - kënaqi të gjitha palët

Bekim Shehu1 Janar 2016

Vigan Qorrolli, ligjërues i të drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në UP, në një intervistë për DW, shpjegon rëndësinë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e komunave më shumicë serbe.

https://p.dw.com/p/1HWSk
Vigan Qorrolli
Vigan QorrolliFotografi: DW/B. Shehu

Deutsche Welle: Zoti Qorrolli, Gjykata Kushtetuese ditë më parë doli me vendimin lidhur me përputhshmërinë e parimeve të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, marrëveshje e nënshkruar me 25 gusht të këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shumë pika të kësaj marrëveshje u tha se nuk janë në pajtim me Kushtetutën. Mirëpo, nuk e tha prerazi që është shkelur kushtetuta apo jo? Si duhet vepruar në raste të tilla palët që i prekë vendimi?

Qorrolli: Në radhë të parë, duhet thënë se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e lejoi krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Edhe pse me disa kufizime legale, ky Aktgjykim arriti të prodhojë një xhevahir juridik duke konstatuar se disa parime të këtij Asociacioni e shkelin frymën kushtetuese të Republikës së Kosovës. Por jo edhe germën/shkronjën e saj. Ky është një shembull tipik i prodhimit mekanik të drejtësisë, ku Gjykata në mënyrë elokuente arriti t'i kënaq të gjitha palet e përfshira në proces, elitën politikën vendore, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, madje edhe vet palën lehtësuese të dialogut, Bashkimin Evropian. Qartësisht vërehet reagimi pozitiv i të gjitha palëve pas shpalljes së këtij vendimi.

Në kuptimin juridik ky Aktgjykim përbën një rast tipik të interpretimit dhe pozicionimit abstrakt, ku me gjuhë dykuptimëshe arrihet efekti “makiavelist” i paqes, të cilin Gjykata nuk e ka për detyrë. Prandaj në mënyrë jomodeste ajo u pozicionua gabimisht në mes të sigurisë juridike dhe paqes politike, duke qenë hapur në favor të kësaj të dytës.

Pala e cila afektohet më së shumti nga ky vendim, në këtë rast Qeveria e Kosovës, tash e tutje ndodhet para një situate kritike, sepse kjo nënkupton zbatim të një obligimi ndërkombëtar, të nënshkruar më vullnetin e saj të lirë, siç janë dy marrëveshjet me Serbinë, ajo e prillit 2013, dhe e gushtit 2015. Qeveria do të sfidohet në momentin kur ta hartojë statutin e Asociacionit meqë i duhet t'i ketë në dorë katër dokumente: Marrëveshjen e parë (prill 2013), Marrëveshjen e Parimeve (gusht 2015), Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese (dhjetor 2015) dhe Kushtetutën e Kosovës, të cilën, në bindjen time, do t'i duhet ta riinterpretojë, për shkak të kësaj mossaktësie gjuhësore/juridike të Aktgjykimit. Statuti duhet të përmbajë “frymën” e këtyre katër dokumenteve në mënyrë që të jetë juridikisht i pastër dhe që kontrolli i tij i sërishëm nga kjo Gjykatë të mos prodhojë ndonjë befasi të radhës, si në kuptimin juridik edhe në atë politik.

DW: Partitë në pushtet e interpretuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese se marrëveshja për Asociacionin nuk e ka shkelur Kushtetutën. Opozita pohon të kundërtën. Ka vend për interpretime “politike”, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Qorrolli: Kjo çështje shkon përtej konvencionit legal ngase Gjykata nuk e ka për detyrë t'u tregojë palëve se si të veprojnë pas një vendimi të saj. Zatën, në këto shtatë vite të funksionimit të gjyqësisë kushtetuese në Kosovë, kjo Gjykatë ka riprodhuar një doktrinë të njohur të së drejtës ndërkombëtare, sipas të cilës vendosja meritore duhet të bëhet mbi bazën e parimit se, çka nuk duhet të bëhet dhe jo çka duhet të bëhet. Përveç paqartësive për shkak të mossaktësisë gjuhësore në kuptimin juridik, palët politike do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë të bëjnë dallimin midis krijimit të Asociacionit, si çështje fakti dhe hartimit të Statutit për jetësimin e tij praktik. Gjykata, në një rast më të favorshëm është dashur ta instalojë doktrinën juridike “të veçantë, por të barabartë” për të dy Asociacionet, atë ekzistuesin të Komunave të Kosovës dhe këtë me shumicë serbe. Gjykata përveç se nuk i lejoi të jenë të barabartë në organizim, ajo arriti t'i ndajë si në aspektin juridik të themelimit, si dhe në aspektin organizativ të funksionimit të tyre. Elita politike duhet ta shfrytëzojë këtë rrethanë të re juridike, duke mos i dhënë emër të keqes së mirë dhe duke mos lejuar që ky Asociacion të funksionojnë me rreziqe për sistemin juridik të Kosovës.

DW: Sa mund të ketë lidhshmëri, apo a duhet të ketë lidhshmëri të saktë ndërmjet një marrëveshje ndërkombëtare, apo ndërshtetërore, me kushtetutën e vendeve përkatëse. Sa është reale kjo?

Qorrolli: Së pari, me Kushtetutën e Kosovës, e drejta ndërkombëtare ka supremaci dhe rrjedhimisht mbizotëron karshi të drejtës vendëse. Lidhshmëria është kauzale, sepse sistemi ynë kushtetues – marrëveshjet ndërkombëtare të cilat ratifikohen nga Kuvendi dhe shpallen në gazetën zyrtare – i mishëron në rendin juridik dhe i vendos nën Kushtetutë, por mbi ligjet e zakonshme. Kjo do të thotë se marrëveshjet ndërkombëtare, përveç se nuk janë të vet-ekzekutueshme, atyre ju duhet edhe një akt tjetër përcjellës juridik, siç ishtë rasti i Marrëveshjes së Parimeve, në mënyrë që të jenë të zbatueshme. Gjykata Kushtetuese në vendin tonë ka jurisdiksion vetëm për interpretim të Kushtetutës dhe jo të traktateve/marreveshjeve ndërkombëtare. Këtë e ka thënë në Aktgjykimin e 9 shtatorit 2013, pas kërkesës për vlerësimin e Marrëveshjes së parë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ka tradita juridike të cilat e njohin të drejtën e “kontrollit të traktateve” para se këto traktatet të ratifikohen, krahas kontrollit të kushtetutshmërisë së tyre. Kosova, sipas kësaj Gjykate nuk e ka këtë të drejtë dhe këtë e ka sqaruar në aktgjykimin e saj lidhur me Marrëveshjne e Parë. Prandaj ky standard i dyfishtë i kësaj Gjykate është i çuditshëm.

Gjykata nuk arrriti ta cilësojë natyrën juridike te Dokumentit (Parimeve), por ajo e konfirmoi faktin juridik se “Parimet” rrjedhin nga Marrëveshja e parë. Rikujtojë se, Gjykata pati vendosur në Aktgjykimin KO 95/13 të 9 shtatorit 2013 se nuk ka jurisdiksion ‘ratione materiale' që të merret me Marrëveshjen e parë. Ndërsa tani e bën të njëjtën gjë, duke vlerësuar kushtetutshmërinë e Parimeve, që në thelb do të thotë se e “legalizoi” në frymë dhe germë Marrëveshjen e 19 prillit 2013 midis Kosovës dhe Serbisë. Ironikisht sërish e njëjta gjyqtare raportuese vendosi, dhe kjo i bie që të kemi dy standarde të ndryshme të gjyqësisë kushtetuese. Kështu që, Gjykata krijoi pasiguri kushtetuese për sa i takon jurisdiksionit për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare, m'u për shkak të supremacisë së të drejtës ndërkombëtare karshi të drejtës së brendshme.

DW: Gjykata në vendimin e saj dha sugjerime, apo udhëzime se si duhet themeluar statuti i Asociacionit të komunave me shumice serbe, është ky rast precedent apo është në kompetencë të Gjykatës ta bëjë një sugjerim të tillë?

Qorrolli: Gjykata ia la në dorë tërësisht Qeverisë që të merret me hapin e radhës, atë të krijimit të Asociacionit përmes statutit, dhe kjo gjë do të thotë së “karremi” i kësaj gjuhe jo të saktë juridike nga ana e Gjykatës, do ta vë në vështirësi Qeverinë. Udhëzimet janë të natyrës administrative më tepër dhe duhet ta përmbajnë frymën e Marrëveshjes së Parimeve dhe të jenë në përputshmëri kushtetuese, duke mos ia lejuar këtij statuti të krijojë relacion të ndryshëm me Qeverinë, por në një formë të jetë i ngjashëm si ai i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Precedenti i krijuar mund të sjellë pasoja të pariparueshme për rendin juridik meqë çdo obligim ndërkombëtar i Kosovës mund të dërgohet për kontroll nga Gjykata, dhe kjo është një praktikë e rrallë në vendet me demokraci të forta. Siç vërehet, ky Aktgjykim nuk ka ndonjë referencë juridike nga praktikat e vendeve të tjera. A domethënë që janë të rralla këto praktika, nuk ekzistojnë fare, apo Gjykata jonë ka dashur të krijojë precedent krye në vete. Këtë duhet ta sqarojë bota akademike me pikëpamje që lidhen me standardet kushtetuese botërore.

Implementimi i Aktgjykimit do të jetë i zorshëm dhe problematik. Dilema ime kryesore në kuptimin legal është nëse Marrëveshja e Parimeve përcakton lindjen e një të drejte të re në kushtetuese/ligjore për rendin tonë juridik, siç Gjykata e ka lejuar të ndodh, me “defektet” e saj për frymën kushtetuese.

Gjykata, në Aktgjykimin e saj, gjithashtu ka dështuar të dallojë karakterin multietnik të shoqërisë sonë dhe kjo nënkupton mbrojtje të barabartë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe – kompetenca të njëjta si për atë ekzistues, domethënë Asociacionin e Komunave të Kosovës. Lejimi i krijimi të Asociacionit nga ana e Gjykatës nuk e garanton këtë barazi – prandaj këto të drejta të garantuara me Kushtetutë nuk duhet të jenë të lira nga diskriminimi nga ana e shtetit. Gjykata, ka dështuar të përcaktojë nga fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nëse dy Asociacione të Komunave që në këtë rast janë monetnike, e lejojnë diskriminimin dhe nëse po, deri në ç'masë, ndërkohë ajo gabimisht u jep strehim të barabartë në sistemin tonë juridik.

DW: Cilat janë konsekuencat e moszbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, në rastin konkret ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku lehtësues apo ndërmjetësues ishte BE-ja?

Qorrolli: Ekziston parimi i mirëbesimit në të drejtën ndërkombëtare, i cili presupozon së shtetet lidhin dhe hyjnë në marrëveshje ndërkombëtare sipas bindjes së lirë dhe të pacenuar nga askush. Kodifikimi i së drejtës ndërkombëtare nuk i lejon shtetet me demokraci kushtetuese, të bëjnë gabime të cilat atyre ua shkelin rendin juridik të brendshëm.

Ndaj pasojat e moszbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare janë të lidhura me faktin, që në teori njihet, si sanksion diplomatik. Përveç mosseriozitetit si aktor në arenën ndërkombëtare, Kosova do të mund të përballet me disa lloj sanksionesh ta zëmë, të kufizohet për transaksionet financiare apo ngrirje të aseteve. Tjetri sanksion bazohet në kufizimet në lirinë e lëvizjes së personave. Kjo nënkupton se moszbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare shkel një regjim të veçantë ligjor, të cilin e merr përsipër vet ta zbatojë. Ne jemi edhe ashtu të izoluar si popull në lëvizjen e lirë drejt vendeve të BE-së, por shtrëngimet Kosova mund t'i vuajë në aspektin e donacioneve nga BE-ja, ku shtetet veç e veç, mund të vendosin sanksione autonome. E njëjta gjë vlen edhe per Serbinë, me mospërkrahje financiare apo mosvazhdim negociatash për kapitujtë e anëtarësimit në BE. Prandaj, BE kërkon që ky normalizim problematik i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë të kryhet sa më parë në mënyrë që mos t'i bartë problemet e tyre të brendshmë, në një të ardhmë kur këto shtete do të bëhen anëtare të saj.