1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vendimet për kursime duhet të zbatohen

Vendimet për kursime janë vetëm hapi i parë drejt konsolidimit të buxhetit shtetëtor gjerman. Por ende mbeten për t'u tejkaluar shumë pengesa si brenda ashtu edhe jashtë parlamentit.

80 miliardë Euro duhet të kursehen deri në vitin 2014

80 miliardë euro duhet të kursehen deri në vitin 2014

Para mbledhjes së qeverisë ku do të vendosej për paketën e kursimeve në Berlin flitej për "orën e fatit të koalicionit qeverisës". Kjo kishte krijuar një situatë të tensionuar pas së cilës tani mund të mirret frymë më lirisht: sfida e parë kaloi si duhet, qeveria përmbushi qëllimin ambicioz për të kursyer dhjetë miliardë në vit, bile e tejkaloi atë, tani nuk mund të ketë ndonjë dështim.

Por në fakt, puna me të vërtetë nuk ka filluar ende. Pothuajse për gjithçka që është vendosur të dielën dhe të hënën në zyrën e kancelares janë memorandume mirëkputimi për zbatimin e të cilave duhet të miratohen ligje të veçanta. Një shembull: taksa shtesë për energjinë bërthamore. Ajo duhet të sjellë në arkën e shtetit për çdo vit nga dy miliardë euro ndërsa si kompensim centralet bërthamore mund të vazhdojnë punën më gjatë se sa që parashihet në marrëveshjen e lidhur në kohën e kancelarit Gerhard Schröder. Por zgjatja e këtij afati duhet të bëhet me ligj dhe nga ana juridike është e diskutueshme se a mjafton për këtë vetëm miratimi i parlamentit ku koalicioni qeverisës ka shumicën apo për të duhet dhe miratimi i Këshillit Federal ku koalicionit i mungon shumica. Një e pesta e shumës së planifikuar për tu kursyer varet nga kjo taksë shtesë për energjinë bërthamore.

Po ashtu janë planifikuar, edhe pse fillimisht nga viti 2012 të kursehen për çdo vit nga dy miliardë nga një taksë për transaksionet financiare të bankave. Por në të vërtetë ajo mund të aplikohet vetëm pasi që për të të jetë arritur një marrëveshje në rrafsh ndërkombëtar apo të paktën në rrafshin evropian. Kjo tregon se sa i pasigurtë është ende realizimi i planeve për kursim.

Po të lihet kjo jashtë vëmendjes atëherë paketa e kursimeve përmban disa befasi pozitive. Paketa parasheh heqjen e lehtësimeve për ndërmarrjet që shpenzojnë shumë energji. Kjo do të jetë ngarkesë për ndërmarrjet por e mirë për klimën botërore. Me një taksë të ambientit për shoqëritë e fluturimeve ajrore provohet që edhe ato të futen në sistemin e mbrojtjes së klimës siç ështe vepruar shumë kohë më parë me transportin rrugor dhe hekurudhor.

Në përgjithësi tatimet e reja dhe taksat për ndërmarrjet përkatësisht heqja e privilegjeve tatimore bartin një pjesë të konsiderueshme të kontributit për paketën e konsolidimit. Kështu që shkurtimet në fushën sociale para së gjithash tek personat që janë të papunë për një kohë të gjatë nuk duken aq të ashpra. Por në të vërtetë për të prekurit këto shkurtime janë mjaft të rënda. Protesta ndaj këtyre shkurtimeve me siguri që do të ketë, tashmë janë paralajmëruar protestat e para. Qeveria do të duhet të përballet me to nëqoftëse dëshiron të arrijë objektivat e saj të kursimeve.

Qeverisë federale dhe shumicës mbështetesë të saj në parlament nuk i mbetet rrugë tjetër. Freni i kursimeve që hyn në fuqi në vitin 2011 detyron për kursime të kësaj shkalle. Çdo pikë e vendosur tani e cila nuk do të zbatohet do të detyrojë qeverinë të bëjë kursime në një vend tjetër. Kështu që sfida nuk ka mbaruar, kemi të bëjmë me një sfidë të vazhdueshme.

Autor: Peter Stützle / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani

DW.COM

  • Data 08.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NkId
  • Data 08.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NkId