1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendim provokues

Barbara Wesel27 Dhjetor 2008

Fjala alternative e Ahmadinexhadit në televizionin britanik me rastin e krishtlindjeve

https://p.dw.com/p/GNot
Logoja e televizionit britanik 'Channel 4'.Fotografi: AP Graphics

Në Britaninë e Madhe kanali televiziv BBC tradicionalisht çdo vit transmeton fjalën e mbretëreshës me rastin e Krishtlindjeve. Traditë është gjithashtu transmetimi nga kanali privat Channel 4 në ditën e parë të krishtlindjeve (25.12.) i një fjalimi alternativ. Ai duhet të jetë veçanërisht sfidues dhe mundësisht sa më i ndryshëm. Por këtë vit përgjegjësit duket se e kanë tepruar. Ata ftuan përpara kamerave pikërisht presidentin e polemizuar iranian Ahmadinexhad. Ministria e Jashtme në Londër dhe të gjitha partitë politike në Britaninë e Madhe reaguan të indinjuara.

Kush e ka tani radhën të mbajë fjalimin alternativ të krishtlindjeve në kanalin telviziv britanik Channel 4? A mos vallë diktatori i Zimbabves Robert Mugabe? Deputetja laburiste Luiz Ellmën (Louise Ellman) bën pjesë në radhën e atyre politikanëve britanikë, që reagojnë të zemëruar me gjithë atmosferën tradicionalisht të qetë të krishtlindjeve. Vendimi i kanalit televiziv privat Channel 4, për të transmetuar rreth dy orë pas fjalimit tradicional të Mbretëreshës një mesazh të një natyre krejt tjetër, kritikohet shumë ashpër nga të gjitha partitë politike të Britanisë së Madhe.


Në këtë rast nën kritikë nuk është edhe aq mesazhi i rregjistruar i presidentit iranian, se sa vetë personi. Ahmadinexhad flet i përmbajtur: ai uron popujt për lindjen e Krishtit:


"Sot popujt kërkojnë ndryshim, drejt më shumë vlerave njerëzore. Popujt kërkojnë nga udhëheqësit e tyre një përgjigje të vërtetë për këtë sfidë. Duhet të hartohen objektiva të rinj dhe një ndryshim drejtimi."


Ahmadinexhad foli në gjuhën persiane, shikuesit mund të kuptonin vetë nga titrat në anglisht përmbajtjen e mesazhit jo shumë të qartë. Nëse Jezusi do të jetonte ende sot, ai me siguri do të ishte kundër pushtuesve, luftënxitësve dhe terroristëve, thuhej ndër të tjera në mesazh.


Që pikërisht presidenti iranian, në vendin e të cilit përqafimi i fesë së krishterë nga shtetasit dënohet me vdekje, bën Jezusin dëshmitar të bindjeve të tij politike me rastin e krishtlindjeve, shihet përgjithësisht si skandal. Ministria e Jashtme në Londër publikoi të premten (26.12.) një kritikë të ashpër: Ahmadinexhad ka bërë një numër deklaratash indinjuese antisemite dhe mohon Holokaustin. Mediet britanike mund të marrin vendimet e tyre redaksionale, por ftesa bërë Ahmadinexhadit për këtë mesazh shihet si fyerje jo vetëm në Britaninë e Madhe por edhe jashtë vendit dhe shkakton irritime. Për t'u shprehur me fjalë të buta!


Ambasadori izraelit në Londër foli për mungesë shijeje dhe një ironi perverse. Deputetët konservatorë britanikë tërhoqën vëmendjen nëse pas shfaqjes së Ahmadinexhadit në Channel 4, kanali duhet të marrë në të ardhmen më shumë mjete financiare publike për programet e tij. Pasi pikërisht ky është sfondi i këtij vendimi provokues për programin e kanalit privat: Channel 4 ndodhet në vështirësi t ë mëdha financiare. Mesa duket pronarët shpresojnë numër të lartë shikuesish dhe shumë vëmendje për "mesazhin e tyre alternativ të krishtlindjeve". Por kjo gjueti për kuota sa më të larta shikuesish në ditët e festave mund të shkojë në dëm të tij. Pasi kanali televiziv ka një mision publik, megjithëse financohet privatisht.

EXH / Aj