1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vendim me vdekje për korrupsion

Shumica e kinezëve e aprovon vendimin

default

Teatri i ri kombëtar në Pekin i ndërtuar me rastin e Lojërave Olimpike

Në vitin 2006 Partia Komuniste e Kinës pati shkarkuar nga detyra nënkryetarin e bashkisë së Pekinit. Me vonë ai u dënua për korrupcion. Nënkryetari i atëhershëm ishte përgjegjës për shpërndarjen e projekteve për ndërtimet e nevojshme për Lojërat Olimpike. Për të thuhet se ka marrë ryshfet. Javën e kaluar kundër tij iu shqiptua dënimi me vdekje. Ky vendim shkaktoi reagime jashtë vendit ndërkohë që në Pekin ky është vetëm një rast në mesin e shumë rasteve të tjera.

Marrja përsipër e ndërtimit të stadiumit olimpik ishte ëndërr për shumë firma në Kinë. Një ëndërr, të cilën disa e blenë me para. Bashkëbiseduesi i duhur për këtë çështje ishte ish-nënkryetari i bashkisë, Liu Zhihua. Ai ishte përgjegjës për miratimin e projekteve ndërtimore. Thuhet se ai ka marrë rreth shtatë milionë euro ryshfet. Si kundërshpërblim Liu Zhihua ka ndihmuar firma të caktuara, që të fitojnë tenderat për kryerjen e punimeve. Ky skandal doli në shesh para dy vitesh. Thuhet se njëra prej shumë të dashurave të Liut e ndjeu veten të trajtuar më keq se të tjerat dhe ka dhënë informacionet e duhura. Autoritetet qendrore ndoqën gjurmët dhe arrestuan menjëherë Liu Zhihuan. Gjykata vendosi dhe shqiptoi dënimin me vdekje. Dënimi më i lartë me të cilin është dënuar ndonjëherë një politikan i Pekinit. Për shumë pekinas vendimi i gjykatës ishte i drejtë

"Nuk është me rëndësi se a është zyrtar i lartë apo qytetar i thjeshtë - nëse ai ka kryer një vepër të rëndë atëherë edhe duhet dënuar. Ai duhet dënuar me vdekje".

Dy vite i janë dashur gjykatës, që të marrë vendimin. Vazhdimisht thuhej se gjykata ka vonuar me qëllim shpalljen e vendimit. Lojërat Olimpike duhet të ishin të pastra dhe jo të kalonin në hijen e një skandali të tillë, në fund të të cilit qëndron dënimi me vdekje. Nga ana tjetër dënimi me vdekje nuk është përfundimtar. Në rast se Liu Zhihua sillet mirë në arrest, atëherë pas dy vitesh dënimi mund të kthehet në dënim të përjetshëm. Kjo nuk është e drejtë, thotë pensionistja Vang:

"Ata e keqpërdorin pushtetin për interesat e veta. Ata marrin para. Kjo është shumë e përhapur. Natyrisht që ai duhet të dënohet me vdekje. Atë mund ta vrasësh dhjetë herë dhe prapë do të mbeten sa të duash njerëz të korruptuar pas tij".

Kinezët janë të ndjeshëm, kur flitet për temën e korrupsionit. Kina është e mbushur me korrupsion. Shembuj ka sa të duash: funksionarë lokalë keqpërdorin taksat, pronarë të fabrikave, policë dhe nëpunës bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin në këtë fushë. Nga ana tjetër qeveria e Kinës ka shpallur si prioritet të saj luftën kundër korrupsionit. Rastet e arrestimit të nënpunësve janë të shpeshta. Rasti i nënkryetarit të bashkisë së Pekinit nuk është rast i veçantë.

  • Data 21.10.2008
  • Autor Petra Aldenrath
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fe2i
  • Data 21.10.2008
  • Autor Petra Aldenrath
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Fe2i