1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese në prag të procesit ndaj NSU-së

Mediet e huaja mund ta ndjekin procesin ndaj NSU-së. Kështu vendosi Gjykata Kushtetuese. Vendimi i kushton rëndësi transparencës, dhe kjo është e drejtë, thotë në komentin e saj, Ute Schaeffer.

Kryeredaktorja e DW, Ute Schaeffer

Kryeredaktorja e DW, Ute Schaeffer

Gjykata Kushtetuese, instanca më e lartë gjyqësore në Gjermani, vendosi atë që mund ta kishin vendosur më parë edhe gjykatësit e Gjykatës së Apelit në Mynih: mediet e huaja mund të marrin pjesë, në numër të përshtatshëm, në procesin gjyqësor ndaj organizatës terroriste të djathtë, NSU.

Me këtë vendim Gjykata Kushtetuese i dha fund ashpërsimit të mëtejshëm të zënkës për raportimin mediatik, në një nga proceset më të mëdha në Gjermaninë e pasluftës. Dhe ky ishte vendimi i duhur! Zvarritjet rreth pyetjes nëse gazetarë nga Turqia dhe vende të tjera, mund të merrnin pjesë në proces dhe në ç'numër, e kishin vënë Gjermaninë në një dritë negative në mediet ndërkombëtare, para së gjithash në Turqi.

Takt politik

Gjykatësit supremë nuk vendosën për arsye politike por e argumentuan vendimin e tyre me konstatimin e cënimit të së drejtës për trajtim të barabartë në konkurencën publicistike. Vendimi dëshmon takt politik, pasi gjykata zgjidhi kështu, në çastin e fundit, një zënkë, e cila do ta kishte influencuar shumë negativisht procesin ndaj NSU-së. Nuk duhet harruar se opinioni publik në Gjermani dhe jashtë saj do të merret me këtë proces të paktën dy vitet e ardhshme.

Ky vendim është i drejtë edhe në aspektin politik: gjykatat vendosin në Gjermani në mënyrë të pavarur për pyetjen "si", për lejimin e medieve të huaja. Nga ana tjetër për sistemin juridik gjerman ka rëndësi qendrore që proceset të zhvillohen të hapura. Për këtë ekziston një ligj, i cili nuk duhet keqkuptuar: "Procesi ... përfshirë këtu shpalljen e gjykimeve dhe vendimeve është publik." Kjo hapje dhe transparencë për publikun është një e mirë shumë e rëndësishme kushtetuese. Ajo e dallon shtetin ligjor nga ai joligjor.

Nën vëzhgim

Kryeredaktorja e departamentit Multimedia-Rajonet në DW, Ute Schaeffer.

Kryeredaktorja e departamentit Multimedia-Rajonet në DW, Ute Schaeffer.

Në Gjermani nuk ka procese farsë dhe fiktive si në rajone të tjera të botës. Zbardhja juridike në Gjermani është logjike dhe nuk ka asgjë për të fshehur. Ajo vlen njëlloj për të gjithë. Janë mediet ato të cilat i përcjellin këto informacione dhe ato kujdesen për transparencën dhe praninë publike, që e forcon shtetin ligjor dhe e bën atë të besueshëm.

Kjo vlen në mënyrë të veçantë për procesin që duhet cilësuar "historik" për NSU-në. Një proces ku bëhet fjalë për terrorin e djathtë në Gjermani. Dhjetë vrasje kanë kryer komandot ekstremiste të djathta, kanë vrarë p.sh. një tregtar perimesh dhe pronarin e një internet-kafeje, sepse ishin me origjinë turke apo greke. Natyrisht trajtimi juridik i kësaj teme shihet me vëmendjen më të madhe jo vetëm në Gjermani por edhe jashtë. Gjatë 25 viteve të kaluara në Gjermani kanë rënë viktimë e dhunës së djathtë 150 vetë. Në mediet e huaja ngrihet pyetja: sa i madh është rreziku i ekstremizmit të djathtë në Gjermani?

Procesi ndaj NSU-së vëzhgohet nga mbarë bota

Ky proces nuk është çështje thjesht gjermane. Për këtë arsye, sy dhe veshë nga e gjithë bota janë kthyer drejt Gjermanisë dhe ne gjermanët duhet të bëjmë gjithçka që ata të mund të shohin dhe dëgjojnë me vëmendje. Vetëm kështu mund të kundërshtohet përshtypja e shprehur në mediet e huaja, se matet me kute të ndryshme dhe se nuk është vepruar me vendosmëri apo se zbardhja nuk është e plotë.

Në procesin ndaj NSU-së bëhet fjalë për trajtimin juridik të vrasjeve, por sipas opinionit publik brenda dhe jashtë vendit bëhet fjalë për më shumë: për gabimet në hetime ndaj dhunës së djathtë. Si ishte e mundur që autoritetet bënë sikur nuk shihnin, që u asgjesuan dosje, që nuk pati bashkëpunim mes autoriteteve për mbrojtjen e kushtetutës? Shteti ligjor në Gjermani ka dështuar në shumë hallka të zbardhjes së krimeve nga dhuna e djathtë, dhe opinioni brenda dhe jashtë vendit, kërkon të dijë se si trajtohet kjo juridikisht në Gjermani. Që procesi tani do të bëhet më publik tregon edhe se nuk ka asgjë për të fshehur dhe që rastet do të zbardhen!