1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vendi i harruar – Haiti ka nevojë për shumë më tepër se sa për ndihma të dhëna me gjysëm zemre

Varfëri, diktatura, anarki dhe stuhi të forta: Gjendja në Haiti ka qenë katastrofale edhe përpara tërmetit, e megjithatë bashkësia ndërkombëtare nuk është kujdesur sa duhet.

Ndihma në Haiti.

Haiti ka nevojë për shumë më tepër se sa për ndihma të dhëna me gjysëm zemre.

Haiti është një vend i harruar. I harruar prej dekadash. Në këtë vend nuk ka lëndë të para të rëndësishme, nuk ka interesa strategjike, nuk ka tregje eksporti, por ka vetëm njerëz të varfër. Ka edhe shumë katastrofa: diktatura të përgjakshme, e fundit nën Jean Bertrand Aristide, i cili morri arratinë në vitin 2004 duke e lënë vendin në kaos dhe anarki. Në 2008-ën pasuan revoltat e urisë. Pak muaj më vonë ciklonet e rrafshuan vendin dhe shkaktuan qindra viktima. Janë këto çastet e shkurtra kur Haiti ka tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar dhe pas tyre ky vend sërish ka kaluar shumë shpejt në harresë.

Ushtarë të misionit të OKB-së, MINUSTAH.

Ushtarë të misionit të OKB-së, MINUSTAH.

Në këtë mënyrë edhe bashkësia ndërkombëtare është bashkëpërgjegjëse, që pasojat e tërmetit mundën të marrin këto përmasa, siç po i shohim tani në të gjitha edicionet e lajmeve: Kjo pasi Haiti nuk ka qenë i përgatitur për një katastrofë të tillë. Kujdesi shëndetësor ka qenë edhe përpara me mangësi, edhe uji e ushqimet kanë qenë të pakta. Kushdo që i ka parë kasollet e varfëra në kodrat e Port-au-Prince-it menjëherë e ka kuptuar, që ato nuk mund t' i bënin ballë një tërmeti të tillë.

Por rrallëherë vëmendja është përqëndruar në këtë vend: Me përjashtim të disa organizatave të vogla ndërkombëtare Haitin e kanë lënë vetëm në varfërinë dhe problemet e destabilitetit politik të tij. Në këtë drejtim as trupat e OKB-së nuk kanë mundur të ndryshojnë shumë. Trupat e OKB-së arritën ta çlirojnë vendin nga anarkia totale, nga bandat, që mbanin nën kontroll pjesë të tëra të qytetit duke luftuar deri në pikën e fundit të gjakut. OKB-ja u kujdes që në këtë kaos politik të riktheheshin nismat e demokracisë - në këtë drejtim nuk duhet nënvleftësuar merita e saj.

Por OKB-ja nuk arriti të hapë vende pune, të ngopë të uriturit, të thithë investime në vend dhe të shmangë klientelzimin dhe korrupsionin, që po i marrin frymën vendit qysh prej 200 vjetësh.
Konferenca donatorësh, deklarata solidariteti dhe të ngarkuar të posaçëm në të shkuarën kanë rezultuar më shumë si gjeste të pashpresa të bashkësisë ndërkombëtare. Në konferencën e fundit të donatorëve për Haitin pranverën e kaluar 30 shtete ranë dakord për një ndihmë të përbashkët në vlerën e 320 milionë dollarëve. Sa për krahasim: vetëm SHBA-ja ka dhënë për bankat e rrezikuara 700 miliardë dollarë.

Raboteau, Haiti

Raboteau, Haiti



Ajo për çfarë ka nevojë Haiti është ndihma afatgjatë dhe që interesimi për këtë vend të vazhdojë edhe pasi nga ekranet tona televizive të zhduken sërish pamjet tronditëse të viktimave dhe të rënojave dhe kur ndihma e emergjencës të kthehet në ndihmë për rindërtimin. Haiti ka nevojë për ndihmë, tani menjëherë, kjo është e qartë, por ai ka nevojë për ndihmë edhe në dhjetë e ndoshta njëzet vitet e ardhëshme. Bashkësisë ndërkombëtare i duhet qëndrueshmëri dhe durim - në mënyrë që Haiti të mos kalojë sërish në harresë.

Autor : Ina Rottscheidt / Vilma - Filaj Ballvora

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYk6
  • Data 18.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LYk6