1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vendet e industrializuara shfrytëzojnë rezervat e naftës

Për shkak të trazirave në Libi, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) do të shfrytëzojë rezervat strategjike të naftës. Gjermania shet për herë të parë që prej gjashtë vjetësh një pjesë të rezervave të saj të naftës.

default

Rezervat e naftës në Gjermani (tabela në anglisht)

Në luftën kundër çmimeve të larta të naftës dhe për shkak të vështirësive në nxjerrjen e naftës vendet e industrializuara shesin pjesë të rezervave të tyre strategjike të naftës. Nën kujdesin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në korrik do të dërgohen në treg 60 milionë fuçi (me 159 litra secila). Agjencia këshillon 28 vendet e industrializuara në çështjet e energjisë, duke përfshirë edhe Gjermaninë.

Eshtë hera e tretë në historinë e vendeve anëtare të IEA, që shtetet anëtare përdorin rezervat e tyre strategjike të naftës, tha Drejtori i Përgjithshëm i IEA, Nobuo Tanaka, të enjten (22.06.2011) në Paris. Agjencia e justifikoi këtë masë me faktin se pasojat e ndërprerjes së prodhimit në tregun libian të naftës sa vijnë e rriten. Kjo mund të kërcënojë rimëkëmbjen e brishtë në ekonominë botërore. Për shkak të luftës civile në Libi deri në fund të majit kanë munguar 132 milionë fuçi naftë.

Çmimi i naftës bie

Vendet anëtare të IEA sipas agjencisë duan të shesin 30 ditë rresht dy milionë fuçi nga rezervat e tyre. Gjysma e tyre vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjermania shet për herë të parë që prej gjashtë vjetësh një pjesë të rezervave të saj, gjithsej 4.2 milionë fuçi, siç bëri të ditur Ministria gjermane e Ekonomisë.

Infografik Karte Ölreserven in der Welt Spanisch

Rezervat e naftës në botë të shënuara në gigabarrelë. (Tabela në spanjisht)

Pas njoftimit të lajmit çmimet e naftës fillimisht ranë. Çmimi për një fuçi naftë të papërpunuar Brent të Detit të Veriut ra të enjten në 107,90 dollarë. Kjo ishte një rënie prej rreth pesë për qind në krahasim me një ditë më parë. Megjithatë të premten (24.06.2011) çmimi u rrit përsëri në 108,34 dollarë.

Mungesë mirëkuptimi tek ekspertët e lëndëve të para dhe OPEC-u

Specialistët mendojnë se vendimi i IEA ka ardhur shumë papritur. "Është e çuditshme, që tani hidhet naftë shtesë në treg", i tha eksperti i lëndëve të parë në institutin e ekonomisë botërore të Hamburgut (HWWI), Leon Leschus, agjencisë së lajmeve Reuters. "Sepse në SHBA dhe Kinë, shtohen dëshmitë për ngadalësimin e koniunkturës, e cila do të ulë kërkesën për naftë." Përveç kësaj Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka rezerva të mjaftueshme për të kompensuar mungesat e furnizimit nga Libia.

Masa e marrë nga IEA has moskuptim tek OPEC-u. Çmimi i naftës nuk është ngjitur në 150 dollarë dhe nuk ka mungesa, tha një përfaqësues i OPEC-ut nga Shtetet e Gjirit. "Nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë."

Rezervat e vendeve të industrializuara

IEA është themeluar pas krizës së naftës të viteve 1973-1974, kur furnizimet nga Lindja e Mesme rrezikonin të ndërpriteshin. Rezervat e përgjithshme të naftës të vendeve anëtare të IEA përfshijnë aktualisht, sipas informacioneve të veta, rreth 4, 1 miliardë fuçi. Rezervat janë të mjaftueshme, për të mbuluar në raste emergjence për 90 ditë konsumin mesatar të çdo vendi. SHBA kanë rezervat më të mëdha botëtore të naftës me 727 milionë fuçi. Ata janë së bashku me Kinën konsumuesit më të mëdhenj të naftës në botë.

Gjermania depoziton ndërmjet 20 dhe 25 milionë ton naftë. Së fundi Republika Federale ka prekur rezervat e saj në vitin 2005, kur stuhia "Katrina" në Gjirin e Meksikës ndërpreu prodhimin e naftës atje dhe shkaktoi rritjen ekstreme të çmimeve.

Frankreich Einwanderungsminister Eric Besson

Ministri francez i Energjitikës, Eric Besson

Pasojat të paqarta në pikat e shpërndarjes së karburantit


Nëse çmimi i benzinës do të bjerë në ditët, apo javët e ardhshme, ishte fillimisht e paqartë pas njoftimit të IEA. Qeveria franceze i kërkoi në mënyrë preventive operatorëve të pikave të karburantit, që t'ia transmetojnë menjëherë konsumatorit rënien e pritshme në çmimet e naftës. Çdo ulje çmimi duhet të jetë e dukshme në pompat e benzinës, bëri të ditur Ministri i Energjisë, Eric Besson.

Autor: AG/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi