1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

080510 Sondergipfel Brüssel

8 Maj 2010

Vendet e euros kanë vendosur zhvillimin reformave radikale për të shpëtuar monedhën evropiane. Ditën e diel, më 9 maj do të merret vendimi për sistemin e ndihmave që do u jepen vendeve që kanë rënë në vështirësi.

https://p.dw.com/p/NJI8
Vendet e euros kanë vendosur zhvillimin reformave radikale për të shpëtuar monedhën evropiane.
Vendet e euros kanë vendosur zhvillimin reformave radikale për të shpëtuar monedhën evropiane.Fotografi: picture alliance / dpa

Ajo që kryetarët e shteteve dhe të qeverive patën diskutuar me javë të tëra, u duk ditën e premte si problemi më i vogël. Ata të gjithë aprovuan përfundimisht paketën e ndihmës prej 110 miliardë eurosh që do i jepet Greqisë, në të cilën 80 miliardë do të jepen nga vendet evropiane dhe 30 miliardë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Por ka kohë që probleme nuk ka vetëm një vend, thotë kryeministri grek, Giorgos Papandreou. „Domosdoshmëria për të mbrojtur zonën e euros, i kapërcen problemet e Greqisë. Prandaj vendimet tregojnë vendosmërinë tonë që të mbrojmë monedhën tonë por edhe stabilitetin e vetë Evropës nëpërmjet bashkëpunimit dhe stabilitetit.“

Paketat ndihmëse nuk mjaftojnë për të mbrojtur euron

Në nevojë kanë rënë ditët e fundit edhe vende të tjera evropiane, bursat kanë patur rënie të dukshme jo vetëm në Evropë por në gjithë botën. Madje SHBA, Japonia dhe Australia kërkuan nga Evropa të marrë masa të tjera. Presidenti i Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, tregoi qartë sa dramatike do të bëhet gjendja pas pak kohe. "Zonja dhe Zotërinj, të gjithë kryetarët e shteteve dhe të qeverive të zonës së euros janë të vetëdijshëm se ndodhemi para një situate serioze. Kërkohet përgjegjësi dhe solidaritet. Ne do ta përballojmë këtë situatë së bashku.“

Aprovohet përfundimisht paketën e ndihmës prej 110 miliardë eurosh që do i jepet Greqisë.
Aprovohet përfundimisht paketën e ndihmës prej 110 miliardë eurosh që do i jepet Greqisë.Fotografi: AP

Sulm i organizuar botëror kundër euros

Presidenti francez Nicolas Sarkozy foli për një "krizë sistemi" të euros, kryeministri italian Silvio Berluskoni për "gjendje të jashtëzakonshme". Jean-Claude Juncker, presidenti i Grupit të Euros, për një "sulm të organizuar botëror kundër euros".

Kështu takimi mori një kthesë dramatike dhe në të u morrën shumë më tepër vendime se sa ishte planifikuar. Kancelarja gjermane Angela Merkel e përmblodhi kështu: „Ne kemi parë se kundër euros janë bërë shumë spekullime, prandaj konfirmuam edhe një herë se jemi të detyruar kundrejt euros. Për këtë e domosdoshme është nga njëra anë që të përshpejtojmë konsolidimin e buxheteve në vendet anëtare dhe nga ana tjetër të përdorim instrumente të përbashkëta për tu mbrojtur nga spekulime të tilla dhe së treti të nxjerrim dhe zbatojmë ligje të reja për kufizimin e spekullimeve dhe të tregjeve financiare.“

Euro në vështirësi
Euro në vështirësiFotografi: AP

Mekanizma evropianë stabilizimi

Në deklaratën përfundimtare flitet tani për "mekanizma evropianë stabilizimi". Detajet do të përpunohen të dielën (9 maj) nga ministrat e financave të 27 vendeve, jo vetëm të atyre të zonës të euros. Edhe kjo tregon sa serioze është gjendja. Juncker beson se kjo krijon mundësinë e krijimit të mekanizmave të reja për mposhtjen e krizës, brenda pakteve ekzistuese.

Komisioni do të përgatisë deri ditën e diel propozimet për krijimin e një fondi emergjence për vende të tjera që mund të bien në nevojë. Bëhet fjalë për 70 miliardë euro. Ndryshe nga rasti i Greqisë, fondi duhet të administrohet nga komuniteti evropian. „Ne do e mbrojmë euron, pavarësisht sa do të na kushtojë kjo“, thotë Presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso.

Autor: Chsitoph Hasselbach/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj