1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Vend pune si i bërë me porosi për Pofallën?

Deri dje shefi i zyrës së kancelares, nesër në bordin e hekurudhave? Kalimi i Ronald Pofallas (CDU) tek Hekurudha Gjermane ka rindezur diskutimin për afërsinë, që duron politika dhe biznesi.

Deri para disa javësh Ronald Pofalla (CDU), në qeverinë e vjetër shef i zyrës së kancelares, deklaronte se në të ardhmen dëshiron t'i përkushtohet më shumë jetës së tij private. Tani u bë e ditur, se në vend të kësaj ai do të kujdeset për nevojat e hekurudhave gjermane, Deutsche Bahn. Që këtë pranverë ai mund të hyjë në këshillin drejtues të kompanisë. Sektori, që duhet të krijohet për të, përfshin strategjinë afatgjatë të korporatës dhe veçanërisht kontaktet me politikën.

I besuari dhe bashkëpunëtori i ngushtë i kancelares Angela Merkel me kontakte të shkëlqyeshme politike, kryelobist i Hekurudhave Gjermane? Opozita në Bundestag reagoi me indinjatë dhe madje edhe disa politikanë të partnerit në koalicion, PSD, kritikuan kalimin e papritur të ish-shefit të zyrës së kancelares.

Ndërmarrjet shtetërore-destinacionet e fundit të politikanëve?

Që Ronald Pofalla, i cili në fakt nuk është ekspert për transportin, do të punojë për Hekurudhat Gjermane, ka të bëjë ndoshta me faktin se kompania i takon e njëqind për qind shtetit. Megjithatë ky është pikërisht problemi, thotë Gerd Aschoff, zëvendëskryetar i shoqatës së pasagjerëve Pro Bahn. Në thelb ai nuk ka asgjë kundër, që politikanët pas përfundimit të mandatit të tyre të kalojnë te ekonomia: "Në hekurudhat gjermane kemi të bëjmë me një situatë të veçantë, sepse është një ndërmarrje shtëtërore, e cila në shumë mënyra është e varur nga federata si pronare", thotë Aschoff në intervistë me DW. "Dhe kjo është problematike."

Stacioni hekurudhor në Voerde

Stacioni hekurudhor në Voerde

Më problematike, mendon ai, është se poltikani i CDU Pofalla dëshiron ta mbajë mandatin e tij si deputet. Aschoff mendon se ky është një konflikt i paevitueshëm interesi. Përveç kësaj ka edhe një problem shumë praktik, sepse puna si deputet ështe një punë me kohë të plotë: "Dhe tani ai dëshiron që krahas tij të marrë një punë tjetër me kohë të plotë, domethënë një punë të paguar mirë te Deutsche Bahn. Unë mendoj se kjo nuk shkon për arsye kohe." Një kryesi e hekurudhave merr zakonisht nga 1,3 deri 1,8 milionë euro pagë në vit.

Vend pune i bërë me porosi për Pofallën?

Christian Humborg, drejtor i organizatës kundër korrupsionit Transparency International në Gjermani, në parim nuk sheh ndonjë problem, kur politikanët kalojnë në ekonomi. "Kjo duhej të ishte madje normale, që një politikan, i cili e ka përfunduar karrierën e tij, të mund të gjejë një punë tjetër pa kufizime."

Por ai përmend një kufizim shumë të rëndësishëm. aktiviteti i ri nuk duhet të ketë lidhje me aktivitetin e mëparshme politik. Kjo përjashton aktivitetin lobues, që ushtrohet gjithnjë e më shpesh nga personat, që janë marrë më parë me politikë. Për këto raste TI kërkon një periudhë pushimi prej 3 vjetësh pas largimit nga politika, për të penguar "që të ndodhë një rrokadë e tillë". Sepse në këto raste nuk është e qartë, nëse dikush flet në emër të një ndërmarrjeje, apo të shtetit.

Christian Humborg nga Transparency International, Gjermani

Christian Humborg nga Transparency International, Gjermani

Në rastin aktual të Ronald Pofallas të krijohet madje përshtypja, thotë Humborg, sikur ky post është krijuar enkas për të besuarin e Merkelit. Sepse për mendimin e drejtuesit të Transparency International nuk ka asgjë, që ta veçojë ish-shefin e zyrës kancelarore dhe juristin Pofalla për punën e tij të re. Prandaj Humborg ishte shumë i çuditur se "si dikush, që deri tani nuk ka përvojë në një kompani logjistike dhe as në planifikimin strategjik, bëhet papritmas shefi strategjik i njërës nga korporatat më të medha të mobilitetit në botë."

Ish-kancelari këshillon Gazpromin, ish-ministri i transportit industrinë e automobilëve

Diskutimi për kalimin nga politika në ekonomi nuk është i ri. Para pak muajsh ka qenë një tjetër rast. Politikani i CDU-së, Eckart von Klaeden, ishte madje akoma ministër Shteti në Kancelari, kur njoftoi se do të kalojë si lobist në koncernin e automobilëve Daimler.

Edhe ish kancelari Gerhard Schröder (SPD) u kritikua, që disa javë pas humbjes së zgjedhjeve më 2005 mori një post në Nord Stream AG, një degë e koncernit energjitik të kontrolluar nga shteti rus, Gazprom. Wolfgang Clement, gjithashtu nga partia Socialdemokrate pak pas aktivitetit si ministër federal i Ekonomisë kaloi në bordin mbikqyrës së koncernit energjitik RWE. Otto Schily, gjithashtu PSD, gjatë kohës së ishte ministër i brendshëm u angazhua shumë për futjen e shenjave biometrike në pasaporta. Pas kohës si ministër ai u bë anëtar i bordit të dy sipërmarrjeve, që prodhojnë aplikime biometrike.

Gerhard Schröder në inaugurimin e gazsjellësit Nord Stream

Gerhard Schröder në inaugurimin e gazsjellësit Nord Stream

Mund të përmendeshin dhjetra shembuj të tjerë. "Efekti i derës rrotulluese" e quan gazetari dhe autori Pascal Beucker fenomenin në (Politika e gënjeshtërt: Pushtet me çdo kusht): "Një politikan del nga një derë dhe pastaj kthehet si lobist, për të shfrytëzuar kontaktet e tij të mira në politikë për punëdhënësin e tij të ri. "Kjo është në shumicën e rasteve legale, por "së paku me reputacion të dëmtuar".

Ish politikanët si hapës porte për ndërmarrjet e biznesit? Nga këndvështrimi i Gerd Aschoff nga Pro Bahn dhënia e posteve si në rastin e Ronald Pofallës në bordin hekurudhave mund të dëmtojë së fundi të dy palët: politikanët, të cilët tashmë vuajnë nën akuzën se mendojnë për përfitimin e tyre dhe një kompani si Hekurudhat Gjermane, që gjithsesi ka reputacionin, se i shërben vetëm interesave të politikës, por jo të pasagjerëve.