1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vdiq Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës së pas luftës

Ish-kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi (63), ka ndërruar jetë sot (e hënë) në mëngjes në një spital në Turqi.

Bajram Rexhepi (AP)

Bajram Rexhepi, kryeministri i parë i Kosovës, pas luftës së vitit 1999, ndërroi sot në mëngjes jet në një spital në Turqi.

Ai ndodhej prej muajsh në gjendje kome, pas sulmeve të pësuara në tru. Rexhepi fillimisht ishte dërguar për shërim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku i qe nënshtruar operacionit pas hemoragjisë cerebrale. Por për shkak të gjendjes së rëndë, ishte transferuar për shërim në Turqi.

Kryeministri i parë i Kosovës

Bajram Rexhepi ka lindur  më 3 qershor të vitit 1954 në Mitrovicë. Në vitin 1979 ka përfunduar fakultetin e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ndërsa studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 1985 në Zagreb të Kroacisë. Bajram Rexhepi ka punuar si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik në spitalin rajonal të Mitrovicës deri në vitin 1990.

Michael Steiner und Bajram Rexhepi (AP)

Bajram Rexhepi dhe Miachael Steiner

Gjatë luftës së viteve 1998-1999, dr. Bajram Rexhepi iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mediat në Kosovë njoftojnë se ai gjatë luftës ka kaluar tre muaj në male, duke shërbyer si mjek në zonën operative të Shalës.

Postet e tjera 

Pas luftës, Bajram Rexhepi është zgjedhur kryetar bashkie në jug të Mitrovicës. Më 4 mars të vitit 2002, pas tre muaj bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës e zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës. Ndërkohë që Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës.

Në periudhën 2010-2014, Bajram Rexhepi ka qenë ministër i Brendshëm i Kosovës. Vitet e fundit u tërhoq nga politika, për shkak të zhgënjimit me zhvillimet politike në vend. Në zgjedhjet e parafundit parlamentare (2014) nuk u përfshi fare në listën zgjedhore të partisë që i takonte, Partisë Demokratike të Kosovës. Prej atëherë punonte në profesionin e tij si mjek në Mitrovicë.