1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Vdekja e tij e bën botën më të sigurt" - NATO dhe EU përshëndesin aksionin amerikan për mënjanimin e Bin Ladenit

NATO dhe BE përshendetën vrasjen e udhëheqësit të Al Kaidës Osama Bin Laden. Megjithatë pyetja nëse aksioni i ushtrisë amerikane e ka bërë botë më të sigurtë nga terrorizmi merr përgjegje të ndryshme.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike Anders Fogh Rasmussen, e uroi presidentin Barack Obama për operacionin në Pakistan. Sipas tij ky aksion përbën "një sukses të rëndësishëm për sigurinë e aleatët e NATO-s". Rasmussen premtoi para së gjithash vazhdimin e angazhimit të aleancës në Afganistan "në mënyrë që ky vend të mos kthehet më asnjëherë në strehimore për eksremistët". "Ne do të angazhohemi edhe më tej për vlerat e lirisë, demokracisë dhe njerëzimit të cilat deshi t'i mposhte Osama bin Ladeni", tha Anders Fogh Rasmussen.

Presidenti i Komisionit Evropian José Manuel Barroso, dhe presidenti i Këshillit të BE-së Herman Van Rompoy, kanë përpiluar një deklaratë të përbashkët, e cila u lexua në mesditë në Bruksel nga zëdhënësa e Komisionit Pia Ahrenkilde. "Osama bin Ladeni ishte një kriminel dhe përgjegjës për sulme të neveritshme terroriste, të cilat u kushtuan me jetë mijëra njerëzve të pafajshëm. Vdekja e tij e bën botën më të sigurtë dhe tregon se krimet e tilla nuk mbeten të pandëshkuara. Ky është një sukses i madh në përpjekjet tona për çlirimin e botës nga terrorizmi. Bashkimi Evropian qëndron edhe më tej për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partnerëve ndërkombëtarë dhe miqve tanë në botën arabe në luftë kundër kërbaçit të terrorzimit mbarëbotëror dhe në krijimin e një bote të paqes, sigurisë dhe mirëqënies për të gjithë", thuhet ndër të tjera në deklaratën e BE-së.

Ahrenkilde u konfrontua në konferencën e shtypit edhe me pyetje kritike lidhur me rretanat e vdekjes së bin ladenit. Ajo hoshi poshtë pohimet se vrasja siç duket e qëllimshme është më tepër një ekzekutim dhe bie në kundërshtim me vlerat evropiane. Por Guy Verhofstadt, kryetari i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropain shprehu keqardhjen që bin Laden nuk do të japë llogari para një gjykate ndërkombëtare. Gilles de Kerchove, koordinatori për çështje antiterror të BE-së, e mbrojti vrasjen e Ladenit si diçka të pashmangshme. "Sigurisht që unë e përshndes këtë operacion të vështirë nga forcat speciale amerikane, i cili kishte për qëllim kapjen e bin Ladenit dhe dorëzimin e tij tek organet e drejtësisë. Rrethanat e sakta të këtij operacioni shumë të ndërlikuar nuk kanë lejuar që ai të kapet gjallë gjë që ka çuar në vrasjen e tij. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta për të penguar dhe luftuar terrorizmin."

Po ashtu edhe Jerzy Busek, president i Parlamentit Evropian nuk ka probleme morale me vrasjen e shefit të Al Kaidës. "Aktivitetet e bin Ladenit kanë shkaktuar vuajte dhe vdekje të njerëzev në mbarë botën, në Shtetet e Bashkuara, në Evropë, në Afganistan dhe përtej tij. Të gjithë jerëzit të cilët besojnë në një bashkëjetesë paqësore mund të ndihen sot më të sigurtë."

Megjithatë Martin Schulz, kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve dhe socialistëve në Parlamentin Evropian relativizoi deklaratat për më shumë siguri. Në një intervistë me radio gjermane, ai paralajmëroi nga sulmet hakmarrjes të Al Kaida. "Ne me siguri që duhet të përgatitemi që rrjeti i Al-Kaidës do të bëj përpjekje për të kundërgoditur. Prandaj unë besoj që në ditët dhe javët e ardhshme është e nevojshme vëmendja më e madhe për shkak se pritet që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe në Evropë të ketë sulme terroriste apo të paktën përpjekje për kryerjen e sulmeve terroriste."