1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon procesi i numërimit të votave

9 Maj 2011

Analistë të medias shikojnë elementë pozitivë nga ky proces zgjedhor, pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në votime, uljen e toneve në krahasim me fushatën e ndezur elektorale, konsolidimin e procesit të të numërimit.

https://p.dw.com/p/11Cby
Votimi në Tiranë
Votimi në TiranëFotografi: DW

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, selitë kryesore të politikës, ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë dhe monitoruesit vendorë janë fokusuar tek procesi i numërimit të votave. Përveç ndonjë komune a bashkie me numër të pakët banorësh për qytetet e mëdha e sidomos Tiranën nxjerrja e një rezultati përfundimtar për kandidatët dhe për subjektet politike do të kërkojë ende ditë. Por gjithsesi aktualisht kanë nisur të bëhen vlerësime mbi atë, që ndodhi më 8 maj, duke e krahasuar edhe me zgjedhjet e kaluara vendore të para katër viteve, ose nga ato të përgjithshme, që u mbajtën para dy vjetësh.

Analisti Lufti Dervishi
Analisti Lufti DervishiFotografi: DW

Për analistin Lufti Dervishi votimet lokale të 8 majit do të mbahen mend për pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në këtë proces. Me matematikë të thjeshtë, sipas tij, po të kemi parasysh se rreth 30 përqind e banorëve të Shqipërisë janë në emigracion, atëhere realisht kemi rreth 80 përqind të gjithë atyre, që jetojnë këtu, të cilët kanë shkuar tek kutitë të dielën. Kjo është qytetari dhe dëshirë, që demokracia të sendërtohet me votë, thotë Dervishi për DW. “Çka dëshmon se qytetarët shqiptarë morën në 8 maj notën 10. Tani është koha që do të vendoset nota për partitë politike, të cilat janë 100 për qind përgjegjëse për administrimin e procesit të numërimit. Është një votim kompleks, që kërkon një analizë komplekse. Ajo, për të cilën ka nevojë vendi, është nevoja për një lidership të fortë dhe të qartë të partive politike për të kuptuar, që mbi interesat momentiale partiake janë interesat e vendit”.

Zgjedhjet sinjal në procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat

Sipas Lutfi Dervishit këto zgjedhje, të cilat nuk kanë mbaruar ende, përbëjnë një sinjal shumë të rëndësishëm, që Shqipëria mund të dërgojë në Bruksel. Pas këtij sinjali është hapi tjetër i munguar i dialogut politik mes PD-së si forca kryesore e mazhorancës dhe PS-së si partia më e madhe e opozitës. Hapi shoqërues është realizmi i reformave, pa të cilat nuk mund të ketë asnjë “arritje në finish” në integrimin e vendit në BE, thotë Dervishi për DW.

“Në kuadrin e një realiteti të ri partitë politike duhet të ulen dhe duhet të caktojnë axhendën për vitin e ardhshëm, apo për dy vitet e ardhshme”.

Mero Baze, drejtor e së përditshmes TEMA
Mero Baze, drejtor e së përditshmes TEMAFotografi: DW

Për drejtorin e të përditshmes TEMA, Mero Baze, votimeve të së dielës i parapriu fushata më e egër dhe e tensionuar që pas zgjedhjeve të vitit 1997. Ky tension nuk ishte, sipas tij, pjesë e atmosferës në publikun e gjerë, por si pasojë e liderëve politikë në ato, që konsiderohen si “bastione” të tyre. Mero Baze mendon se votimet ishin më të qeta se fushata edhe për presionin e jashtëzakonshëm të ndërkombëtarëve, të cilët me vajtjet e ardhjet e tyre në Shqipëri, me deklarata e apele të drejtëpërdrejta demotivuan klasën politike dhe segmente ekstreme.

“Tani që ka nisur procesi i numërimit shikojmë një qetësim të situatës, një kosolidim të përvojës për procesin e numërimit të votave. Kemi krijimin e një tradite, mendoj të mirë të numërimit të votave, që i lënë kohë emocioneve pozitive të fituesve dhe emocionet negative të humbësve, u japin si të thuash kohën e duhur për ta pranuar rezultatin pak nga pak ata, që humbasin dhe ata që fitojnë”.

Nga rezultatet paraprake sipas drejtorit të TEMA-s shikohet se shoqëria shqiptare nuk është e ndarë, por ajo ka folur qartë. “Ajo, që karakterizon seriozisht procesin, ka qënë ruajtja me çdo kosto e të ashtuquajtuarave bastione partiake, të cilat për pak sa nuk njollosën imazhin e këtyre zgjedhjeve. Duke na dhënë një fushatë të shëmtuar, por rezultat të kënaqshëm”, thotë për DW Mero Baze.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica