1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vazhdon ofensiva ajrore e Izraelit kundër Gazës

Në konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve të gjitha shenjat flasin për luftë. Izraeli nuk përjashton as mundësinë e ofensivës tokësore. Presidenti palestinez Abas akuzon Izraelin për "gjenocid".

Shkatërrime në Gazë

Shkatërrime në Gazë

Dhuna në rajonin e Lindjes së Afërt nuk ka të ndalur. Të enjten militantët palestinezë kanë hedhur disa herë raketa në drejtim të metropolit izrealit, Tel Aviv. Në qytet shpesh dëgjoheshin sirenat, ndërkohë që njerëzit vraponin të kërkonin një vend për t'u mbrojtur. Televizioni izraelit raportoi për pesë raketa të eliminuara me sistemin antiraketor në hapësirën ajrore të Tel Avivit.

Më parë ushtria izraelite kishte goditur nga ajri 320 objektivë në Rripin e Gazës, me qëllim të shkatërrimit të vendqëndrimeve të raketave dhe qendrave të komandimit të Hamasit e grupeve të tjera terroriste.

Viktimat më së shumti janë civilë

Gjatë këtyre bombardimeve duket se kanë humbur jetën 17 vetë. Ndërkohë që mediat palestineze bëjnë fjalë për 75 të vdekur që nga fillimi i bombardimeve. Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës bën të ditur se gati të dy të tretat e viktimave janë civilë, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa. Radioja palestineze bën të ditur se në qytetin e Gazës janë vrarë edhe tra militantë pas një sulmi nga ajri, por në qytetin Kan Junis u vranë tre gra dhe katër fëmijë, ndërsa nëntë të tjera u gvranë duke parë një ndeshje të botërorit në kafene.

Fëmijët izraelitë luajnë në një bunker të mbrojtur nga raketat e Hamasit

Fëmijët izraelitë luajnë në një bunker të mbrojtur nga raketat e Hamasit

Presidenti palestinez, Mahmud Abas akuzoi Izraelin për "gjenocid" ndaj popullit palestinez. Ndërsa kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu bëri të ditur se misioni luftarak "kundër Hamasit dhe terroristëve të tjerë" do të forcohet. Ai nuk përjashtoi mundësinë e një ofensive tokësore. "Hamasi do të paguajë një çmim shumë të shtrenjtë për sulmet me raketa kundër civilëve izraelitë", citojnë agjencitë e lajmeve kryeministrin izraelit, Netanjahu.

Ban Ki Moon: "Rripi i Gazës në tehun e thikës"

Sipas të dhënave të ushtrisë deri më tani janë mobilizuar 20.000 rezervistë. Bëhet fjalë për gjysmën e rezervistëve që ka miratuar qeveria izraelite, tha Peter Lerner, një zëdhënës i ushtrisë izraelite. Sipas tij sulmet nga ajri kundër Rripit të Gazës janë më intensive se ato të nëntorit të vitit 2012.

Shtohen reagimet e bashkësisë ndërkombëtarepas shkallëzimit të dhunës në rajon. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e ka cilësuar këtë shkallëzim të ri si një nga krizat më rrezikshme në rajon në vitet e fundit. Para gazetarëve në selinë qendrore të Kombeve të Bashkuara Nju Jork, Ban u shpreh se "Gaza ndodhet në tehun e thikës". Shpërthimi i një spiraleje të tillë të dhunës të çon në një rreth vicioz, i cili mund të dalë jashtë çdo lloj kontrolli, tha ai. Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara zhvillon konsultime këtë të enjtë për situatën e dhunës në Lindjen e Afërt. Disa shtete të botës islame kishin bërë kërkesën për një takim urgjent të instancës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.