1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vazhdon migrimi i shtetasve të Kosovës

Ekonomia e dobët, papunësia dhe mungesa e perspektivës janë ndër arsyet kryesore që shtyjnë kosovarët të braktisin vendin. Shteti po bën përpjekje për parandalimin e dukurisë së migrimit ilegal.

default

Papunësi e madhe në Kosovë

Hedije Q., nga komuna e Pejës, të birin dhe dy nipa i ka përcjellë nga shtëpia para një muaji. Për ku, s´e din as vetë? E di vetëm se ka dhënë më tepër se ç'kishte, për të lëshuar djemtë në duar e trafikantëve në një rrugë pa krye. “Janë nis nga Prishtina n´Suboticë e prej atje, n´Hungari. Me 13 korrik kanë mbërri në Francë e janë lajmru azil. Lidhje pas lidhje i kemi çu, nuk di as vet si as me kënd? I kemi pagu nga 2000 euro për të tre. Unë i shita katër lopë me ia ba paret që i duheshin. Udhëtimi ka zgjat 6 ditë e netë. Kanë vuajt boll, nëpër male e nëpër ujë, si asht ma zi...Me një fjale, djali im e dy djemtë e vëllait m´kanë lindë për së dyti!”, rrëfen Hedija për të pyetur e dëshpëruar:”E çka me ba kur rrugë tjetër nuk patën? Të tre të rinj, prej 17 deri në 22 vjeç. Kushte të rënda ekonomike, pa mundësi shkollimi, pa mundësi punësimi, pa kurrfarë perspektive!”

Migrimi nga Kosova s'është zgjidhje - Qëndrimi pa perspektivë

Jungs im Jugedntreff spielen Kicker in Rahovec

Të rinj të papunë dhe pa perspektivë në Kosovë.

Sipas Ministrisë për Integrime Evropiane, informata për rritje të numrit të azilkërkuesve vijnë nga Hungaria, ku vetëm në periudhën janar - qershor 2013, numri i ka arritur në 4000, disa prej të cilëve kanë dalë në Francë, Gjermani, Suedi, Austri e shtete të tjera. Por, asnjëra nga arsyet që shtrojnë shtetasit e Kosovës tek vendet përkatëse nuk është e mjaftueshme për të fituar mbrojtje humanitare ndërkombtare për faktin se Kosova llogaritet një vend i sigurtë dhe i qete ku respektohen të drejtat e cilitdo individi dhe komuniteti, thonë nga Zyra për Informim e Ministrisë për Integrime Evropiane. “Nëse një person ose familje ka gjëndje të rëndë ekonomike, migrimi ilegal nuk do t´ua zgjidhë problemin. Përkundrazi, do ta përkeqësojë gjëndjen, pasi mjetet financiare që ata do ti shpenzojnë për të migruar ilegalisht do t´i humbin, sepse shtetet e BE-së nuk llogarisin që kosovaret të kualifikohen për mbrojtje humanitare ndërkombetare”, thonë nga kjo zyrë.

Aktivitete në parandalimin e migrimit

Fushata informuese rreth pasojave të migrimit ilegal është një ndër format e parandalimit të kësaj dukurie. Institucionet për parandalimin dhe luftimin e kontrabandimit me migrantë po ndermarrin hetime për të ndalur dhe arrestuar trafikantët, që merren me këtë fenomen pasi një rol ka edhe bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar. Ndërsa, ndër aktivitetet e planit afatmesëm janë zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve, hapja e vendeve të punës për të rinj, ofrimi i ndihmës sociale për nevojtarët, thonë nga Zyra për Informim e Ministrisë për Integrime Evropiane.„Sipas informatave që kemi, ditëve të fundit ka një rënje të theksuar të migrimit ilegal dhe kjo na bën optimist. Përndryshe, të gjithë ata që migrojnë ose qëndrojnë ilegalisht do të riatdhesohen shume shpejt pasi që Kosova gëzon reputacion si vend i sigurtë dhe mbi këtë bazë, edhe kosovarët nuk kualifikohen për mbrojtje humanitare ndërkombtare“.

Kosova i ka mbi 20 marrëveshje riatdhesimi

Regierungsgebäude im Kosovo

Ndërtesa e qeverisë së Kosovës në Prishtinë

Kosova aktualisht ka mbi 20 marrëveshje riatdhesimi, ndaj personat që kërkojnë azil ose qëndrojnë ilegalisht brënda një afati të shkurtër do të riatdhesohen. Autoritetet kosovare vazhdojnë t'u bëjnë thirrje qytetarëve të mos bien pre e trafikantëve duke marrë rrugën e migrimit ilegal, meqenëse shtetet përkatese do t´i rikthejnë prapë në Kosovë. Kështu do të ndodhë shume shpejt me migrantët e lajmëruar në Hungari, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. “Procesi i kthimit të tyre bëhet duke u bazuar në Marrëveshjet e ri-pranimit. Pra, e tërë procedura zhvillohet me kërkesë të shtetit përkatës, i cili kërkon ri-pranimin e shtetasve që kanë hyrë dhe qëndrojnë në më nyrë të paligjshme. Gjatë kësaj jave me rrugë ajrore pritet të realizohet kthimi i 100 personave nga Hungaria. Kështu do të vazhdojë kthimi në vazhdimësi. Procedura e kthimit është e shpejtë dhe efektive. Me t'u pranuar kërkesa në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion fillon verifikimi i tyre në bazën e të dhënave për të vërtetuar shtetësinë e Kosovës dhe menjëherë i kthehet përgjigja pozitive për konfirmimin e riatdhesimit”.

Qeveria e Kosovës me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës po koordinojnë veprimet për kthimin e azilkërkuesve që tashmë kanë mbërritur në vendet e Evropës si dhe parandalimin e këtij fenomeni. Edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka shprehur shqetësim në lidhje me rritjen e numrit të emigrantëve ilegalë nga Kosova drejt vendeve anëtare të BE-së. Sipas ekspertëve, arsyet kryesore të rritjes së fenomenit të migrimit janë ekonomia e dobët dhe papunësia e madhe. Ndërsa, përmbushja e planit të veprimit për liberalizimin e vizave do të ndikonte në ndaljen e trendit të azilkërkuesve nga Kosova.