1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vazhdojnë hetimet për ngjarjen e Gërdecit - Opozita kërkon dorëheqjen e Berishës

Bilanci i të vrarëve nga shpërthimi i municioneve në Gërdec arriti , të enjten në 20, pasi u zbuluan trupat e karbonizuar të dy banorëve të tjerë të zonës.

Gërdec, 17 mars 2008

Gërdec, 17 mars 2008

Prokuroria e Përgjithshme ka zhvilluar seancat e para të pyetjeve për Mihal Delijorgjin, presidentin e kompanisë privatë Alba Demil, që merrej me çmontimin e municioneve në Gërdec si edhe të Ylli Pinarit, Drejtor i Kompanisë shtetërore të tregtimit të armëve, MEIKO. Dy të arrestuarit nuk kanë pranuar se ishin në dijeni se çfarë behej në Gërdec dhe nuk e kanë pranuar akuzën e deritanishme për mosrespektim të rregullave të sigurimit teknik për lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive me pasojë vrasje dhe dëme të rënda materiale.

Opozita braktis parlamentin dhe kërkon dorëheqjen e Berishës

Në kundërshtim të mbylljes se debatit parlamentar për ngjarjen tragjike të Gerdecit opozita braktisi parlamentin dhe paralajmëroi se nuk do te kthehet atje nëse Berisha nuk jep dorëheqjen. Lideri i saj, Edi Rama, i drejtoi Prokurores së Republikës, Ina Rama, nje apel për t´i kërkuar Parlamentit votimin për heqjen e imunitetit të deputetit të PD-së, Sali Berisha dhe ndjekjen e tij penale. “Si një i pandehur i zënë në grackën e opinionit publik, kryeministri ynë në një përpjekje sinqerisht skandaloze, për të fajësuar me një gjuhë të denjë për një bos qarqesh ilegale ata që e kane investiguar me kohë zullumin e tmerrshëm dhe ata që po e nxjerrin me kurajo në dritën e diellit, na e ktheu në fakt çka mjafton për Prokuroren e Përgjithshme për të kërkuar imunitetin e tij dhe për ta kthyer Berishën në një të pandehur të Prokurorisë. I kërkojmë kryeministrit të dorëhiqet. Edhe për këto dy javë që e ndajnë Shqipërinë nga një stacion historik që të mos kthehen në dy javët e një dështimi po aq historik për të gjithë ne, për Shqipërinë e shqiptarët, ” tha Rama.

Një organizatë e formuar kohët e fundit, Grupimi 99, kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Berisha dhe paralajmeroi sensibilizimin e gjithë opinionit publik për domosdoshmërinë e ndarjes tani nga politika e vjetër të përfaqësuar nga Berisha. Kryetari i grupimit Erion Veliaj tha se „duke filluar nga dita e sotme G 99 do të jetë kudo, në çdo cep të Shqipërisë për të bërë të mundur ndryshimin. Nëse Berisha do të ngurrojë të japë dorëherqjen atëhere ne, si qytetarë do të japim dorëheqjen nga Berisha “, tha Erion Veliaj

Burime nga Prokuroria në Tiranë thanë për DW se deri tani janë marë në pyetje rreth 130 vetë, dëshmitarë dhe ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes. Rrethi i të pyeturve do të rritet ne ditët e ardhshme madje mund të ketë edhe arrestime të
tjera.

  • Data 20.03.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DRyW
  • Data 20.03.2008
  • Autor Ani Ruci / Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DRyW