1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

1914 - Lufta e I Botërore

Vazhdimësi në rrethana të tjera

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mund të vazhdojë të qeverisë. Por koordinatat e sistemit politik kanë ndryshuar në mënyrë dramatike, mendon Ute Schaeffer.

default

Kancelarja mund të qëndrojë në post. Por qeveria e udhëhequr nga ajo do të ndryshojë. Detyra për krijimin e qeverisë i mbetet Angela Merkelit, Unioni i saj CDU/CSU fitoi 42 për qind të votave dhe është partia më e fortë në parlamentin gjerman. Por CDU e ka humbur partnerin e saj liberal. Gjermania me sa duket do të qeveriset në katër vitet e ardhshme - ose nga një koalicion mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve, ose vetëm nga kristiandemokratët.

Bonusi si kancelare i Angela Merkelit ishte i paarritshëm - dhe partia e saj, CDU, përfitoi nga reputacioni i kandidates kryesore. CDU-ja arriti fitoren më të madhe në zgjedhje që prej dy dekadash! Rezultati zgjedhor solli edhe një rënie historike të partnerit të vogël në qeveri: FDP-ja, e cila katër vjet më parë hyri në qeveri me rezultatin e saj më të lartë zgjedhor prej 14 për qind, nuk arrin të hyjë në Bundestag. Një humbje absolute për partinë dhe një pikë e vërtetë kthese në peizazhin politik në Gjermani, për shkak se liberalët kanë qenë të përfaqësuar që nga themelimi i Republikës Federale Gjermane në vitin 1949 në Bundestag.

Ute Schaeffer

Ute Schaeffer

E përfytyrueshme një politikë e Merkelit me socialdemokratët

Me sa duket sukseset e qeverisë së koalicionit janë parë si sukses i kancelares: Gjermania ka normën më të ulët të papunësisë në Evropë, një rritje solide ekonomike, nivel të ulët borxhi. Dhe të gjitha këto pa shtërngesa të vërteta për shumicën e gjermanëve. Kjo i ka bindur votuesit. Ata donin vazhdimësinë, stabilitetin dhe sigurinë - dhe këto i lidhin me Angela Merkelin. Pas tetë vjetësh në post ajo është vërtet një politikane me pushtet. Ajo i ka bllokuar në mënyrë konsekuente temat qendrore të opozitës: më tepër drejtësi sociale, lehtësi për familjet, heqja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, mosndërhyrje në Libi apo Siri, inicimi i transformimit në fushën e energjisë. Qeveria e koalicionit e katër viteve të kaluara ishte vërtetë një koalicion konservator në letër - por në shumë çështje ajo ndoqi një politikë socialdemokrate e nganjëherë madje edhe të gjelbër. Pragmatizëm i pastër: ky është parimi Merkel, dhe ky pëlqehet nga populli!

Për Merkelin - dhe padyshim edhe për mbështetësit e saj - vazhdimi i veprimtarisë politike në një koalicion të madh nuk do të jetë problem. Përkundrazi së bashku me socialdemokratët me siguri do të jetë më e lehtë për të përballuar rezistencën në Këshillin e Federatës që dominohet prej SPD-së dhe Të Gjelbërve. Aktualisht ky institucion ku përfaqësohen landet gjermane, bllokon ligje të rëndësishme.

Erozion i sistemit partiak

Peizazhi politik i Gjermanisë po ndryshon. Koordinatat janë zhvendosur. SPD dhe Të Gjelbërit nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin e tyre. Megjithë shtimin e dukshme të simpatisë për kandidatin kryesor të SPD-së Peer Steinbrück në javët e fundit të fushatës zgjedhore, partia arriti të fitonte vetëm tre për qind më tepër vota, gjithësej 26 për qind. Kjo shifër është më e ulët nga sa shpresonte SPD-ja. Partia Socialdemokrate është duke luftuar për statusin e saj si një parti popullore. Kjo lidhet pjesërisht me faktin se temat socialdemokrate u përvetësuan nga politika e kancelares. Dhe nga ana tjetër se SPD-ja vetë nuk mundi të tregohej bindëse. Një çerek shekulli pas ribashkimit të Gjermanisë partia E Majta - partia pasardhëse e ish-Partisë së Bashkuar Socialiste të Gjermanisë (SED) të RDGJ-së - është bërë partia e tretë më e madhe në vend. Partitë e vogla, para së gjithash "Alternativa për Gjermaninë", tregoi profil të qartë. Kjo parti e cila është skeptike ndaj euros mori votat e votuesve protestues, atyre të paorientuar dhe të të zhgënjyerve nga të gjitha kampet politike.

Jashtë zonës së rehatit

Balanca e pushtetit ka ndryshuar tërësisht. Por pse ndodh kështu? Shumë parti, sidomos Të Gjelbrit dhe Liberalët ishin të preokupuar kryesisht me veten. Për diskutime vanitoze dhe anti-tema si rritja e taksave - votuesit nuk kanë mirëkuptim. Lufta elektorale u zhvillua pa pasione të mëdha dhe polemika. Një efekt i kësaj politike të butë, me pak dallime ishte se një e treta e votuesve nuk e dinte as pak para zgjedhjeve, se për cilën parti do të votonte. Kancelarja dhe opozita e prezantuan politikën e tyre si shërbim ndaj votuesve. Në venf të debateve politike pati reklama për produktin politik. Kjo nuk është një prirje që prek vetëm Gjermaninë: megjithatë politika sot është edhe më pak politike se sa në të kaluarën. Gjermania në vitin 2013 ka zënë vend në zonën e rehatit!

Pyetje të rëndësishme për të ardhmen presin përgjigje

Si "Zgjedhje që vendosin për Evropën", u konsideruan zgjedhjet në vendet në krizë dhe vendet fqinje të Gjermanisë. Shumë nga fqinjët tanë presin një kurs më të moderuar, më pak të ashpër në menaxhimin e krizës financiare, në rast se Gjermania do të qeveriset nga një koalicion i madh.

Por këto ishin edhe zgjedhje që vendosin për çështje të rëndësishme për të ardhmen në Gjermani. Si do të sigurohen pensionet në Gjermani me popullsinë në plakje? Si do të financohet kthesa në fushën e energjisë? Ç'qëndrim do të mbajë Gjermania ndaj krizës Siri? Dhe cili është - përtej menaxhimit të pastër të krizave - vizioni ynë i vërtetë politik për një Evropë të zgjeruar? Këtu prej Gjermanisë kërkohet politikisht shumë më tepër se sa duan të besojnë udhëheqësit politikë. Gjermania - ekonomia më e madhe e Evropës dhe e katërta më e madhe në botë - kërkon komoditetin dhe merret me veten. Gjithësesi me shumë sukses.

Fund administrimit politik

Detyra e politikës është të tërheqë vëmendjen e votuesve dhe të jo-votuesve për këto çështje dhe t'i ftojë për të diskutuar dhe menduar. Demokracia është gjithmonë negociim kompromisesh të reja. Këto sikurse dihet nisen nga pozicione të ndryshme dhe janë rezultat i një debati. Politika duhet të bëhet përsëri politike, kështu mendoj unë. Jo vetëm administrimi politik i Gjermanisë, por formësimi - kjo është detyra për qeverinë e re, për përbërjen e së cilës do të negociohet ditët e ardhshme.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,17106180,00.html