1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Vatikani: vizita e Papës në Jeruzalem është pelegrinazh, jo vizitë politike

Vizita e Papës në Lindjen e Afërt sipas Vatikanit nuk ka karakter politik, ajo u dedikohet të krishterëve në këtë rajon. Marrëdhëniet me Izraelin janë tensionuar prej incidentit me mohuesin e holokaustit, Williamson.

Papa Benedikt XVI përshëndet nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan

Papa Benedikt XVI përshëndet nga sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan

Papa vjen si pelegrin besimtar dhe jo si politikan në vendin e shenjtë. Kështu e karakterizoi përfaqësuesi i tij diplomatik në Jeruzalem, arqipeshkvi Antonio Franco, arsyen e qëndrimit pesëditor të Benediktit XVI në Izrael dhe në territoret palestineze. Nga data 11 deri me 15 maj kreu i kishës katolike do të qëndrojë në Jeruzalem, në Betlehem në Jordanin perëndimor të pushtuar, si dhe në Nazareth në veri të Izraelit. Është fjala për një vizitë pastorale, që u bëhet të krishterëve në këtë rajon, bëri të ditur nunci apostolik dhe theksoi:

"Vizita nuk është politike, vizita është fetare dhe Papa vjen si kreu i kishës katolike. Ai nuk vjen si kreu i shtetit të Vatikanit për të bërë një vizitë politike."

Në Jeruzalem Papa do të bisedojë me presidentin Shimon Peres dhe qeverinë izraelite, si dhe me rabinët e lartë, me muftiun e madh musliman, si dhe me përfaqësues të tjerë të bashkësive të ndryshme fetare në qytet. Papa do të shkojë edhe te Muri i Vajtimeve dhe në Malin e Tempullit. Në monumentin përkujtimor të holokaustit,Yad Vashem, Benedikti XVI do të përkujtojë viktimat e shfarosjes dhe do të lutet, kumtoi arqipeshkvi Franco.

Muri i vajtimeve në pjesën e vjetër të Jeruzalemit

Muri i vajtimeve në pjesën e vjetër të Jeruzalemit

Megjithatë Benedikti XVI nuk do të hyjë në muzeun e qendrës memoriale, që kujton vrasjen e gjashtë milionë hebrejve evropianë nga Gjermania naziste, ku ndër të tjera gjendet edhe një fotografi e papës Piu XII me një tekst, në të cilin Papës së atëhershëm i atribuohet, citojmë: „heshtja dhe mungesa e qëndrimit udhërrëfyes“ gjatë holokaustit. Por arqipeshkvi Franco thotë :

"Aty gjendet fotografia e përfolur, por ne nuk e varim vizitën prej këtij teksti shoqërues, një gjë të këtillë nuk e kemi thënë kurrë.“

Yad Vashem-i dhe një institut studimor katolik kanë bërë kërkime të përbashkëta për rolin e Papës Piu XII gjatë kohës së nazizmit, theksoi nunci. Duke iu referuar mohimit të holokaustit nga peshkopi britanik Richard Williamson dhe apelit të Vatikanit për revokim peshkopi Franco shtoi në Jerusalem:

"Eshtë një realitet i tmerrshëm i historisë sonë dhe kisha katolike dhe Vatikani nuk kanë lënë asnjë dyshim për këtë. Kjo është diçka, që duhet dënuar, që është për të ardhur keq, që duhet dënuar, është diçka që në të ardhmen nuk duhet të ndodhë më."

Papa Benedikt do të mbajë një meshë nën qiell të hapur në Jeruzalem, Betlehem dhe Nazaret. Në meshën në Nazaret priten 40.000 deri 50.000 besimtarë, në radhë të parë nga rajoni. Këtu është fjala për katolikët në mesin e izraelitëve arabë. Në meshën në Betlehem lejohen të marrin pjesë edhe besimtarë nga Rripi i rrethuar i Gazës, këtë qeveria izraelite ia ka premtuar Vatikanit. Në Gaza ka një bashkësi shumë të vogël katolike me rreth 300 vetë.

Clemens Verrenkotte/Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 11.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H9o6
  • Data 11.03.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H9o6