1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Varoufakis jep dorëheqjen

Ministri grek i Financave kishte shumë shkaqe për gëzim të hënën, sepse rezultati i referendumit ishte sipas dëshirës së tij. Por vetëm një ditë më vonë, u detyrua të japë dorëheqjen. Cilat janë shkaqet?

Vendimi ishte një befasi e madhe: pak orë pasi festoi fitoren në referendum, ministri i Financave Janis Varoufakis bëri të ditur dorëheqjen e tij nga ky post. Disa anëtarë të Eurogrupit i kishin bërë shumë të qartë se do ta përshëndesnin faktin sikur ai të mos merrte pjesë në të ardhmen në takimet e tyre, kumtoi Varoufakis, në blogun e tij në internet. Largimi i tij nga posti i ministrit të Financave shihet si "një ndihmë potenciale" edhe nga kryeministri Aleksis Cipras. Për këtë shkak ai ka vendosur që sot të largohet nga ministria e Financave.

Pasardhësit e mundshëm

Pasardhësi i Varoufakisit do të emërohet sot (06.07) në takimin e krerëve qeveritarë në Athinë. Takimi është paralajmëruar nga zëdhënsësit e qeverisë. Ndërsa si kandidatë kryesorë për pasardhës të mundshëm të tij konsiderohen ministri i Ekonomisë Georgios Stathakis dhe koordinatori në negociatat me kredidhënësit, Euklid Cakalotos. Në bursa dhe në institucionet ndërkombëtare financiare është pranuar pozitivisht dorëheqja e Varoufakisit, i cili kredidhënësit i ka quajtur si "terroristë dhe shantazhues" të popullit grek. Largimi i tij mund të përmirësojë pozitën e Ciprasit për marrëveshje me partnerët evropianë. Ekspertët thonë se ky vendim sjell pak mirëbesim mes negociatorëve.

DW.COM