1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Varfëria, terrorizmi, klima - sfidat e Indisë në 60-vjetorin e Kushtetutës

Edhe pse me 1,3 miliardë banorë India për shkak të etnive të shumta, feve, gjuhëve dhe madhësisë gjeografike vlerësohet si vend i paqeverisshëm, ajo është demokracia më e madhe në botë.

Gra indiane me liber ne dore

Rrokaqiejt që shkëlqejnë nën diell, dyqanet ku mund të blesh veshjet më të fundit të markave Gucci, Prada ose Dior, apo makinat luksoze si BMW dhe Audi nëpër rrugë, bëjnë që në vështrim të parë India të duket sikur nuk ka të bëjë me Indinë, e cila u bë e pavarur nga Britania e Madhe në vitin 1947, me një kushtetutë që hyri në fuqi më 26 janar 1950, pra para 60 vjetësh.

Panoramaformat Indien Gigant an der Schwelle

India - vend i kontrasteve

Por rritja e konsiderueshme ekonomike e Indisë, nëntë përqind vitin e kaluar, nuk mbërrin deri tek njerëzit që jetojnë në fshat. India është vërtet një gjigand në sektorin e telekomunikacionit dhe të elektronikës, megjithatë dy të tretat e popullsisë jetojnë ende nga bujqësia, e cila vlerësohet si joproduktive.

40 përqind e popullsisë në Indi jeton me më pak se një dollar në ditë

Eksperti për Indinë, Christian Wagner, nga Instituti Shkenca dhe Politika, në Berlin vlerëson se sfida më e madhe sociale për qeverinë indiane është hendeku gjithnjë në rritje midis të varfërve dhe të pasurve: "Natyrisht, që India ka pasur suksese ekonomike në 60 vjetët e saj. Sipas statistikave ndërkombëtare 40 përqind e popullsisë në Indi, jeton sot me më pak se një dollar në ditë. Kjo do të thotë se format e shpërndarjes sociale dhe ekonomike nuk janë zhvilluar, siç mendohet se duhet të ndodhë kur flet për format e demokracisë."

Megjithë problemet demokracia në Indi është e gjallë

Sociologu Yogendra Yadav mendon ngjashëm. Problemet sociale mund të zgjidhen kur njerëzit kanë besim tek sistemi. "Nëse republikë do të thotë që njerëzit duhet të marrin vendimet, atëherë kjo për Indinë është vetëm ëndërr. Dhe do të kalojë kohë derisa ëndërra të bëhet realitet. Sidomos, në fshatra ku ka varfëri, uri dhe ku njerëzit nuk ndihen shumë afër me qeverinë e tyre. Megjithatë, kushtetuta respektohet edhe sot, demokracia është ende e gjallë, dhe njerëzit vazhdojnë edhe sot të kenë besim tek sistemi.“

Pamje nga një ceremoni elektorale për Parlamentin e Indisë, 2009

Pamje nga një ceremoni elektorale për Parlamentin e Indisë, 2009

Çdo qeveri indiane ka premtuar të luftojë varfërinë. Të luftojë diskriminimin e pakicave dhe të grupeve të popullsisë. Të nxisë shkollimin, kryesisht të vajzave. Në të gjitha këto fusha duken sukseset e para. Për shembull, dy të tretat e popullsisë indiane di të shkruajë ose të lexojë.

Lufta ndaj terrorizmit dhe problemet me Pakistanin fqinjë

India lufton edhe kundër një armiku të rëndësishëm, terrorizmit. Siguria e brendshme e vendit kërcënohet nga maoistët, që jetojnë në Indinë qendrore dhe bëjnë sulme për të tërhequr vëmendjen. Me një ofensivë të madhe pesë vitet e fundit, kryeministri Manmohan Singh ka arritur të ketë suksese. Megjithatë, shumë kritikë paralajmërojnë se popullsia përkrah fshehurazi maoistët, sidomos në verilindje të shtetit federal, sepse ata luftojnë kundër marrjes së tokës dhe rrëmbimit të lëndëve të para të rajonit. Por edhe terrorizmi ndërkombëtar e ka Indinë në fokus, si tregoi sulmi në metropolin financiar Bombei (Mumbai), në vitin 2008.

Indien, Erdrutsch nach heftigen Regenfällen

Sulmet terroriste të Bombeit kanë rigjallëruar grindjet e Indisë me Pakistanin, armikun e vjetër. Atentatori i vetëm që i shpëtoi sulmit, Mohammad Ajmal Kasab është nga Pakistani dhe ndërkohë është vërtetuar se sulmet e Bombeit ishin organizuar në Pakistan. Dy vendet fqinjë kanë zhvilluar tri luftra me njëri tjetrin, dy prej tyre për Kashmirin. Por çështja e Kashmirit vazhdon të jetë e pazgjidhur.

Probleme fatale me ndryshimin e klimës

Lumi Jamuna në Nju-Delhi, tejet i ndotur prej plehrave dhe prej mbetjeve industriale

Lumi Jamuna në Nju-Delhi, tejet i ndotur prej plehrave dhe prej mbetjeve industriale

Probleme të mëdha shohin vitet e ardhshme për Indinë studiuesit e klimës. Të gjitha sukseset e arritura mund të shumëzohen me zero, thotë studiuesi i klimës Adil Najam: "Problemi më i madh është uji. Ngrohja e klimës rrit nivelin e ujit, prej të cilit shkaktohen përmbytje. Kurse nga shkrirja e akullnajave shkaktohet thatësirë. Shumica e njerëzve në rajon jetojnë nga bujqësia. Dhe kjo ka pasoja për ta, për zhvillimin e përgjithshëm.“

Autor: Priya Esselborn/Aida Cama
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 26.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lgw2
  • Data 26.01.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Lgw2