1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Varfëria është më shumë se mungesë parash

Një në gjashtë fëmijë në Gjermani vlerësohet si i varfër. Këtë e thotë rezultati i një studimi të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Fëmijë me logon e OSDE.

Një në gjashtë fëmijë në Gjermani vlerësohet si i varfër.

Nuk është hera e parë që në një studim për varfërinë e familjeve Gjermanisë i jepen nota të dobëta, megjithë se Gjermania jep rreth 20 përqind më shumë para për familjen se sa vendet e tjera të industrializuara. Ku qëndron problemi?

Atij që në Gjermani i lind një fëmijë, mund të marrë ndihma financiare nga shteti dhe institucioneve të tjera. Rreth 40 përqind e ndihmave të përgjithshme i jepen familjeve, ndërsa shuma tjetër jepet për projekte të ndryshme, kopshte për fëmijë dhe institucione të tjera. Në disa raste më shumë përfitojnë prindërit e punësuar, ndërsa në rastet tjera të papunët. Që prej fillimit prindërit marrin për një fëmijë 164 euro në muaj. Nëse dikush ka më shumë se tre fëmijë, shuma rritet.

Drekë pedagogjike në Shverin.

Ndihmat e drejtëpërdrejta për fëmijët janë shumë të vogla.

Gratë me punë paguhen një vit prej arkave të sigurimit. Rroga e plotë paguhet prej gjashtë javë para lindjes deri në tetë javë pas lindjes. Më pas prindërit mund të kërkojnë të ashtuquajturat para për prindër. Deri në 14 muaj pas lindjes, shteti paguan dy të tretat e rrogës së fundit neto - maksimumi 1.800 euro, e minimumi 300 euro në muaj, në qoftë se personi ka qenë i papunë. Për të kuptuar më mirë: të ardhurat bruto mesatare në Gjermani janë rreth 3.300 euro në muaj. Pas pagesës së tatimeve dhe të dhënave të tjera, mbeten rreth 1.800 euro neto.

Fëmijët e të papunëve kanë të drejtë të kërkojnë ndihma të tjera. Ndihmat janë varësisht prej moshës mes 215 deri në 360 euro në muaj. Ka dhe ndihma të tjera shtesë, por këto shifra duhen kuptuar mirë. Minimumi ekzistencial për një të rritur në vitin e kaluar ishte 6.000 euro, ndërsa për fëmijë 3000 euro. Kritikët thonë se ndihmat e drejtëpërdrejta për fëmijët janë shumë të vogla. Sipas Shoqatës për Mbrojtjen e Fëmijëve, një fëmijë 13- vjeçar ka në ditë vetëm dy euro për ushqim, që në një vend si Gjermania nuk mjaftojnë.

Tina Laux e Xhakonisë në Bon, së bashku me bashkëpuntoret e saj, është këshilltare e njerëzve në gjendje të rëndë financiare apo familjare. Ajo pohon se varfëria nuk pasqyron vetëm gjendjen materiale të një personi. „Varfëria është shumëdimensionale. Varfëri do të thotë mungesa e sigurimit shëndetësor, mungesa e arsimit, kulturës por dhe mungesa e vendbanimit të duhur. Shumë njerëz banojnë në objektet sociale, të cilat janë në gjendje shumë të keqe dhe me një rrethimë shumë problematike.“

Kështu është për shembull në pjesën e Bonit, Dransdorf. „Gjithmonë na thonë se ne kemi marrë mjaft, por ndihma marrin vetëm ata të cilët edhe ashtu kanë para boll. Ata kanë lehtësime tatimore ose ndihma të tjera, ndërsa për ne mbeten shumë pak ndihma. Unë vetëm mund ta mendojë se si do të ishte të shkoja në punë, që djali im të shkollohet si duhet dhe të marrin ndihma shtesë prej shtetit…“

Fotografi simbolike për varfërinë e fëmijëve në Gjermani.

Gjermania jep rreth 20 përqind më shumë para për familjen se sa vendet e tjera të industrializuara.

Për një pjesë të të ardhurave nuk ka nevojë të paguhen tatime. Kjo shumë prej rreth 6.000 eurove duhet të shërbejë si një lloj minimumi për fëmijë. Shtesat e fëmijëve llogariten në këtë shumë. Vetëm pesë përqind e atyre që fitojnë më shumë, mund të kenë lehtësime financiare. Mirëpo ekspertët paralajmërojnë se ata që fitojnë më shumë, nuk do të thotë se duhet të marrin më pak shtesa se të tjerët dhe të trajtohen më keq. Shkaku i pagesave është fëmija e jo të ardhurat e prindërve.

Kritikët janë të mendimit se më mirë do të ishte që paratë të shkojnë në institucione të ndryshme dhe të shpenzohen për qëllime të caktuara. „Fëmijët dhe familjet me aftësi të kufizuara kanë nevojë për mbështetje dhe trajtime intensive. Në situatën e tyre familjare, ku janë të papunë dhe nuk kanë të ardhura, ngarkesat janë jashtëzakonisht të mëdha. Ata s'kanë çfarë të bëjnë gjatë ditës, sepse nuk kanë punë, por kjo nuk do të thotë se janë të kënaqur me jetën e tyre."

Të papunët kanë nevojë për një perspektivë të re për të dalë nga gjendja e mjerë. Organizatat e ndihmës, autoritetetet dhe institucionet e ndryshme, mund të ndihmojnë, mendon Tina Laux.„Duhet të investohet në kopshte për fëmijë dhe trajtimin më të mirë. Edukatorët duhen paguar më në fund si duhet, sepse ata punojnë me fëmijë dhe familje, që është një problem i madh i shoqërisë. Nuk mjafton vetëm rritja e shtesave për fëmijë, por kemi nevojë për shumë, shumë gjëra të tjera."

Autor : Daphne Grathwohl / Bahri Cani

Redaktoi : Aida Cama

  • Data 19.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JkaD
  • Data 19.09.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JkaD