1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanjë: Ushqim nga kazanët e mbeturinave

Christian Ignatzi / A. Verbica25 Nëntor 2013

Spanja del nga ombrella e shpëtimit të euros, por shpëtimi shpesh nuk duket në horizont për të rinjtë spanjollë. Shumë prej tyre janë të papunë dhe jetojnë në varfëri.

https://p.dw.com/p/1AONA
Fotografi: T. Wagner

Domatet e kuqe shkëlqejnë për mrekulli në diell, pranë tyre patëllxhanët e zinj me shkëlqim të vjen t'i kafshosh. Po t'i shohësh ata para panoramës me majat e mbuluara me borë të Sierra Nevadës, mendon me vete, sa mirë që jetohet në Andaluzi. Por këto gjërat e mira janë gjetur të gjitha në plehra. Bea gati sa nuk ka rënë brenda në kazanin e mbeturinave, duke u përkulur në buzën e tij të lartë, për të nxjerrë që andej perimet.

Asaj i duhet të nxitojë, që të mos ketë përsëri telashe me rojet në tregun e Granadës, ku ajo merr nga mbeturinat. Tregtarët i hedhin gjërat që u bien nga kutitë dhe nuk lejohet t'i shesin më. Për njerëz si Bea ky është një shans për të marrë falas perime për një javë të tërë.

Një herë në shtatë ditë spanjollja 30 vjeçare shkon me autobus në treg dhe merr nga kontejnerët, aq sa është në gjendje të mbajë. Në shumicën e rasteve perime. Ato nuk prishen aq shpejt. Nëse do mish, apo peshk, pyet tregtarët, kur ka fat, merr diçka, që ka tepruar.

Bea jeton në një shpellë
Bea jeton në një shpellëFotografi: T. Wagner

Në fakt Bea vjen nga Madridi. Ajo donte të bëhej mësuese. Në Itali ajo ka studjuar histori arti, në Romë ka diplomuar. Pastaj ajo u vendos në Berlin për disa vjet, ku punoi në një qebaptore. Ajo ka qenë gjithmonë e hapur për rrethanat e pazakonta të jetesës.

Pastaj u kthye përsëri në Spanjë. Në Granada bëri një kurs pasuniversitar për mësimdhënie dhe dha provimin e shtetit. Pastaj erdhi kriza ekonomike dhe me të siguria se Bea nuk do të gjente më punë.

Në mesin e refugjatëve dhe lypësve

Sot, ajo duket e lodhur, kur kujton këtë kohë. Me vështrim të zbrazët shtrëngon me duar tasin e kafesë, që e ngroh. Në vjeshtë mund të bëhet ftohtë në Sierra Nevada dhe Bea nuk ka ngrohje. Ajo jeton në një shpellë. Në Grenada kjo nuk është diçka e pazakontë. Shumë njerëz jetojnë buzë qytetit jugor spanjoll në shpella. Pa energji elektrike dhe ujë, si banorë të paligjshëm të shpellave shekullore në male.

Arsyet janë të shumta. Në mesin e banorëve ka prej atyre, që duan të largohen nga shoqëria në kërkim të një jete më të plotësuar, refugjatë nga Afrika, që kërkojnë strehë, ose lypös, të cilët nuk kanë gjetur vend tjetër për të jetuar. Që Bea, akademikja e re, do të përfundonte ndonjëherë këtu, në vend të një apartamenti komod tredhomësh në qendër të Madridit, për këtë ajo i vë fajin shtetit. Megjithatë 30 vjeçarja fillimisht erdhi për të jetuar në shpellë jo nga varfëria, por nga dëshira për aventurë.

Nga kursi i teatrit në shpellë

Shumë kohë për të menduar!
Shumë kohë për të menduar!Fotografi: T. Wagner

Arsyeja: në një kurs teatri ajo ra në dashuri. Kjo ka ndodhur tre vjet më parë. Tani ajo buzëqesh, kur mendon për të. Dendi i ri studionte në Granada dhe jetonte në një shpellë. Për Bean kjo ishte interesante, ajo shkoi të jetojë me të. Por dashuria nuk zgjati shumë. I dashuri e braktisi Bean dhe shpellën. Tani ajo jeton vetëm në mes të pyllit. Frikë ajo nuk ka natën në errësirë. "Deri tani nuk ka ndodhur asgjë", thotë ajo.

Ajo gatuan, ndërsa tregon. Në një zjarr jashtë para shpellës ajo zien perimet e marra në treg. Për shkak të krizës financiare Spanja ka bërë shkurtime të mëdha në sektorin e arsimit. "Nuk ka vende pune për mësuese në shkollat shtetërore", thotë Bea. Mësues të panumërt pushohen nga puna, në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë bëhen shkurtime të vazhdueshme. "Për mua nuk kishte vend në profesionin, për të cilin kisha studiuar."

Momente lumturie megjithë vështirësitë e mëdha

Tani ajo ka mbetur në Granada, jeton në një shpellë dhe nuk e di me të vërtetë se si do ta ndryshojë jetën e saj. "Këtu ke shumë kohë për të menduar.” Ajo luan me duar në flokët e saj të errët, që i ka mbledhur pas. "Jeta në shpellë është për mua si një përvojë e brendshme. Unë jam këtu thellë në tokë, këtu është qetësi e plotë, edhe të lexosh në dritën e qiriut, ka në vetvete diçka romantike", thotë ajo.

Në këto momente, kur ajo përshkruan avantazhet e situatës së saj, duket sikur lodhja i kalon papritur. Atëherë Bea duket sikur e ka vendin pikërisht këtu, me një joint në dorë dhe me aromatizuesit në formë shkopinjsh tek pragu i dritares. Sikur të mos kishte menduar kurrë, që të gjente dikur një vend të rregullt pune. Por në momentin tjetër zhduket përsëri shprehja e butësisë në sytë e saj. "Mendoj se ajo që ndodh këtu, është një proces i natyrshëm. Burimet janë të kufizuara, njerëzit punojnë shumë për pak para."

Larja në një çezme te kisha

Edhe Bea gjen herë pas herë punë, për të mbajtur veten. Në verë ajo punon për disa javë në bujqësi në Francë, si ndihmëse në korrje në mënyrë që të blejë gjërat e nevojshme, si librat, apo radion me energji diellore, për të mos u ndjerë shumë vetëm. Nëse e ndjen mungesën e jetës në qytet, apo oraret e rregullta të punës, të ardhurat e sigurta? "Ndoshta një dush të ngrohtë?” Në verë si dhe në dimër ajo mund të lahet vetëm tek një çesme te kisha, që është disa qindra metra më tutje në qytet.

Vendi për t'u larë në verë dhe dimër
Vendi për t'u larë në verë dhe dimërFotografi: T. Wagner

Nëse ka ëndrra apo synime? Jo shumë. "Unë në fakt kam shumë dyshime, por mund ta imagjinoj që të riparoj shtëpinë time, apo të mbjell vetë ushqimin tim. Po për të krijuar një familje të veten? Kur do të jetë kjo më vonë? "Gjithsesi jo tani, thotë Bea. "Tani jam në një fazë të gjetjes së vetvetes."

Kur ajo viziton komunën, ku ka jetuar më parë në Madrid, nuk e gjen më dot veten. Jeta është shumë e shpejtë, njerëzit janë të çmendur për të blerë shtëpi. "'Castillos en el aire", "kështjella në erë", i themi kësaj në spanjisht. Për këtë arsye plasi flluska e imobiljeve dhe filloi kriza. Dhe për këtë arsye ajo nuk do të ndryshojë shpejt diçka në jetën, që bën sot. Sepse një gjë ka shkaktuar në rradhë të parë kriza te Bea: ajo nuk i beson më shtetit.