1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Varësia e Moldavisë nga ekonomia ruse

Rusia reagon ndaj kursit proevropian të ish-republikës sovjetike me masa ndëshkuese ekonomike: eskportet agrare do të vështirësohen, zgjatja e vizave për punëtorët moldavë në Rusi vihet në pikëpyetje.

Edhe këtë herë Rusia e mbajti fjalën: Republika e Moldavisë do të ndëshkohet ekonomikisht për shkak të ratifikimit të marrëveshjes së Asociimit dhe asaj për tregti të lirë me BE-në. Me veprim të menjëhershëm ndalohet hyrja e çdo lloj produkti frutor nga Republika e Moldavisë në Federatën Ruse, madje nuk lejohen as ato në bagazhin e dorës apo për konsum gjatë udhëtimit. Më shumë akoma: Ministria e Ekonomisë në Moskë do t'i japë fund regjimit tregtar sipas të cilit prodhimet moldave, përfshirë verën, mishin, perimet dhe drithërat, nuk i nënshtrohen doganës. Avantazhet për Republikën e Moldavisë do të hiqen ashtu siç ndodhi me Ukrainën. Republika e Moldavisë në fund të qershorit nënshkroi së bashku me Gjeorgjinë dhe Ukrainën një marrëvëshje me BE-në që rregullon shkëmbimin e lirë të mallrave. Moska kishte lënë disa herë të kuptohej se do të reagonte ekonomikisht dhe politikisht ndaj një afrimi evropian të këtyre ish- republikave sovjetike. BE është prej disa vitesh partneri më i rëndësishëm tregtar i Republikës së Moldavisë, Rusia mbetet megjithatë partneri më i madh direkt në plan bilateral.

Reagimi nga Kishinau

Ministri moldav i Bujqësisë Vasile Bumacov e sheh këtë masë të njëanshme të Moskës si një reagim qartësisht të tepruar ndaj nënshkrimit të marrëveshjes së asociimit të vendit të tij me BE-në. Shkaku, që paraqiti autoriteti rus për mbrojtjen e konsumatorit është i sajuar. "Na u bë e ditur se në konservat e eksportuara nuk korrespondon pesha e deklaruar me peshën reale. Ndërkohë që as një për qind e eksporteve tona nuk është kthyer mbrapsht deri tani për mangësi", tha Bumacov. Prodhuesit moldavë janë shembullorë dhe nuk kanë asnjë faj, tha ministri. Bumacov vlerëson se nga embargo ruse vendi do të ketë një humbje prej 80 milionë eurosh këtë vit, shumë para për një vend të vogël dhe të varfër. Ai i bëri thirrje bashkëqytetarëve të veprojnë si në rastin e ndalimit të importeve për verën moldave në vitin 2006. Asokohe prodhuesit e verës iu drejtuan 100 për qind tregjeve të tjera dhe thuajse nuk u prekën fare nga embargo ruse. Ngjashëm duhet të veprojnë tani edhe prodhuesit e fruta-perimeve dhe të gjejnë tregje të reja. "Qeveria moldave do t'i mbështesë me masa konkrete që kjo ëndërr e keqe të harrohet", shtoi ministri.

Iurie Leanca: qendrimi i Rusisë forcon afrimin me BE

Kryeministri moldav Iurie Leanca e sheh zhvillimin e fundit edhe si një shans për vendin e tij. "Vendimi Rusisë për këtë embargo të prodhimeve moldave do të përshpejtojë zbatimin e marrëveshjes së asociimit", tha ai. Ai i bëri thirrje qeverisë së tij të fillojë konkretisht me këtë, në mënyrë që eksporti i rrushit, mollëve dhe kumbullave në BE të fillojë që në 1 gusht, dy muaj më parë nga sa ishte planifikuar. Gjithashtu Leanca propozoi edhe një program në mbështetje të fermerëve. Çdo nxënës, çdo ushtar do të marrë një mollë në ditë. Me këtë program, që do t'i kushtojë qëverisë rreth 10 milionë euro, duhet të kompensohen një pjesë e humbjeve që pësojnë fermerët moldavë nga embargoja ruse. Kryeministri premtoi dhe kompensime të tjera për fermerët.

Që në vjeshtë BE do të dyfishojë kuotat e importeve për frutat dhe perimet moldave. Këtë e deklaroi Komisioneri i BE-së për Shëndetin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit Tonio Borg. Ai konfirmoi se standadet për këto produke janë shumë të larta dhe se frutat dhe perimet moldave përmes qasjes në tregun e BE-së mund të përfitojnë qasje edhe në tregjet e tjera në botë.

Objektivi i ardhshëm i Rusisë, punëtorët moldavë

Masa e ardhshme kundër Republikës së Moldavisë që pritet tani në Kishinau është dëbimi i punëtorëve moldavë nga Rusia. Shoqata e diasporës moldave bëri të ditur se Moska ka ndaluar zgjatjen e lejes së punës për shtetas moldavë. Kështu rreth 265.000 punëtorë moldavë mund të dërgohen në shtëpi, tha një zëdhënës i shoqatës. Sipas statistikave ruse, aktualisht në Federatën Ruse punojnë mes 500.000 dhe 700.000 moldavë. Paratë që këta emigrantë dërgojnë në atdhe përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë moldave. Në vitin 2013 transfertat nga Rusia ishin rreth 1 miliard euro, pra plot 19 për qind e BIP moldave dhe më shumë se gjysma e remitancave nga jashtë.

Nëse këto transferta do të ulen edhe më shumë në Kishinau druajnë për rënie të konsumit dhe përkeqësim të përgjithshëm të standardit të jetesës së popullsisë. Nga ana tjetër dënimi i punëtorëve nga Rusia mund të kishte si pasojë rritjen e numrit të moldavëve në kërkim të punës në BE. Shumë shtetas moldavë, sipas burimeve zyrtare rumune më shumë se 300.000, zotërojnë një pashaportë rumune, pasi kanë rrënjë rumune. Kështu ata mund të fillojnë punë në mënyrë të ligjshme në Bashkimin Evropian.