1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Valë refugjatësh nga konflikti në Kongo

Rreth 100.000 njerëz janë larguar javët e fundit nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve në Kongo. Në periferi të provincës Goma ka filluar shpërndarja e ushqimit, por furnizimi i refugjatëve është i vështirë.

Shtëpitë janë bërë prej kashte dhe disa tenda janë lidhur njëra me tjetrën - asgjë e qëndrueshme që do të mbronte njerëzitë nga shiu, i cili aktualisht bie në Goma pothuajse çdo natë. Kampi Muganga, i cili ndodhet në periferi të kryeqytetit të provincës është një nga pikat ku mblidhen refugjatët. Salama Swaz erdhi këtu para dy ditësh me pesë fëmijët e saj. Më i vogli është ende foshnje - ajo e bart atë në shpinë të mbështjellur me një peshqir. "Ne kemi ardhur këtu, sepse po qëllohet nga të gjitha anët. Nuk na mbeti tjetër veçse të arratisemi për të shpëtuar jetën tonë."

Gruaja e re vjen nga Sake, një qytet, i cili shtrihet rreth 30 kilometra larg Goma-s, ku ka kohë që po zhvillohen luftime në mes të forcave qeveritare dhe rebelëve. Tani edhe këtu kontrollin e kanë grupet rebele të M23. Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara në javët e fundit nga shtëpitë e tyre janë larguar rreth 100.000 njerëz. Furnizimi i tyre me ushqime është shumë i vështirë për shkak se transporti pjesërisht është i rrezikshëm. Megjithatë në periferitë e Goma-s tani fillon shpërndarja e ushqimeve, thotë kreu i Programit Botëror të Ushqimit Wolfram Herfurth. "Sot ne do të ndihmojmë rreth 80 mijë njerëz me racione të vogla. Ata do të marrin nga ne nga një racion treditor me nga katër produkte.

Goma

Goma

Ushqim me pakicë nga frika e dhunës

Miell misri, vaj, kripë dhe disa kokrra fasule - një pako shumë modeste. "Përse vetëm kjo sasi e vogël? Nuk është në pyetje bujaria. Kjo është thjesht një masë mbrojtëse. Së pari, njerëzit duhet t'i bartin këto ushqime mbi kokën e tyre. Dhe së dyti, një sasi më e madhe do të rrezikonte gratë, të cilat pastaj mund të përdhunohen apo grabiten. Pra do të kishim një problem të sigurisë", sqaron Herfurth.

Programi Botëror i Ushqimit është duke u angazhuar që të paktën një pjesë e refugjatëve të kthehet sërish në shtëpitë e tyre. Në veri të Goma-s gjendja është qetësuar sërish, thotë Herfurth. Njerëzve u ndahet edhe nga një kovë për ujë dhe sapun. Me to ata duhet të marrin rrugën për në shtëpitë e tyre. Por këtë siç duket do ta bëjnë pak prej tyre. "Unë do të shkoja me dëshirë në shtëpi. Por kjo është shumë e rrezikshme. Tani shpresojmë që këtu do ta kemi më mirë pasi që po marrim edhe ushqim", thotë një burrë i moshuar.