1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Vakuumi i qeverisjes në Kosovë - Partitë në seancë dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese

PDK dhe koalicioni opozitar LDK, AAK, Nisma si dhe Lëvizja Vetëvendosja, paraqitën argumentat e tyre lidhur me zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar kuvendi në seancën konstiuuese të parlamentit më 17 korrik.

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës u mbajt (21.08) seanca dëgjimore, ku PDK dhe blloku i partive në koalicion LDK, AAK dhe Nisma, paraqitën argumentet dhe kundër-argumentet e tyre. Kjo seancë dëgjimore u thirr pasi PDK-ja zgjedhjen e Isa Mustafës kryetar të parlamentit më 17 qershor në seancën konstituuse e konsideron antikushtetuese. Pasi rasti i zgjedhjes së kryetarit të kuvendit u adresua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e pezulloi postin e kryetarit të kuvendit deri në një vendim përfundimtar.

Në prezantimin e argumenteve të PDK-së gjatë seancës dëgjimore, deputeti e kësaj partie Arsim Bajrami, tha se me zgjedhjen e Isa Mustafës në postin e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituuese, nuk janë respektuar procedurat kushtetuese dhe në këtë linjë ai kërkoi që Gjykata ta shpallë si antikushtetues vendimin e zgjedhjes se kryetarit të kuvendit të Kosovës. "Ne kërkojmë që Gjykata Kushtetuese ta shpallë jo kushtetues vendimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si për sa i përket procedurave të ndjekura ashtu edhe për nga përmbajtja, për faktin se ky vendim është nxjerrë në bazë të interpetimit të gabuar kushtetues për grupin më të madh parlamentar. Kërkesa jonë e dytë është që Gjykata Kushtetuese të konstatojë që grupi më i madh parlamentar në mbledhjen konstituuse është ai i PDK-së me 37 deputetë", kërkoi deputeti Arsim Bajrami.

Ndërkohë, përfaqësuesja e bllokut nga koalicioni LDK, AAK dhe Nisma, Vjosa Osmani, tha se zgjedhja e Isa Mustafës kryetar kuvendit ishte në përputhje me kushtetutën dhe ai duhet të njihet nga Gjykata Kushtetuese. "Kërkojmë nga kjo Gjykatë e nderuar që kërkesa e deputetëve të PDK-së është e papranueshme, sepse nuk është në përputhje me kushtetutën dhe e dyta, si alternativë dhe vetëm e vetëm nëse kjo Gjykatë vendos ta shpallë kërkesën të papranueshme, atëherë kërkojmë nga Gjykata të vendos që zgjedhja e kryetarit të kuvendit ishte në përputhje me kushtetutën", tha Vjosa Osmani.

Pas seancës dëgjimore në Gjykatën Kushtetuese, paneli i gjyqtarëve do të vazhdojë konsultimet e brendshme deri në marrjen e vendimit, i cili duhet të jetë i fshehtë. Sipas afatit ligjor, vendimi mund të merret deri më 18 shtator.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën më 8 qershor, PDK, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi, doli partia e parë. Katër partitë tjera që e pasuan atë, LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosja, AAK-ja dhe Nisma, arritën një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën pika e parë ishte që asnjëra prej tyre të mos hyjë në koalicion me PDK. Ky bllok po vazhdon t'i përmbahet qëndrimit të vet duke shprehur bindjen se do ta formojnë qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Ramush Haradinajn.