1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Vakuum pushteti në aparatin amerikan të mbrojtjes?

Emërimi i ministrit të ri të Brendshëm të SHBA-së dhe shefit të CIA-s është bllokuar nga grindjet e brendshme partiake. Më i rëndësishëm është megjithatë posti i kryekomandantit të ri të NATO-s.

Republikanët në Senatin amerikan kanë bllokuar përkohësisht emërimin e anëtarit të partisë së tyre, Chuck Hagel, si ministër të ri të Mbrojtjes të administratës Obama. Emërimi i John Brennan si drejtor i ri i CIA-s gjithashtu është shtyrë dhe disa kritikë druajnë se po krijohet një vakuum pushteti, në poste qendrore të aparatit të sigurisë së SHBA-së.

Kandidati për postin e ministrit të Mbrojtjes, Chuck Hagel

Kandidati për postin e ministrit të Mbrojtjes, Chuck Hagel

"Pasojat këtu nuk janë dhe aq të rënda. Të dy në fund do të miratohen", u shpreh Xenia Dormandy, nga instituti i studimeve Chatham House në Londër, në bisedë për Deutsche Welle-n. Ndërkohë Leon Panetta dhe Michael Morell do të mbeten në postet e tyre në krye të Pentagonit dhe CIA-s, pra nuk do të ketë vakuum pushteti.

Por rastet Hagel dhe Brennan treguan qartë se sa shumë ndikohet SHBA-ja nga politika partiake, thotë Dormandy. Tensione nuk ka vetëm mes republikanëve dhe demokratëve, por edhe në radhët e partisë së Presidentit Barack Obama. Në fund të fundit shkak për shtyrjen e emërimit të Brennan u bë një grindje në mesin e demokratëve, shpjegon Dormandy.

Pas rizgjedhjes Obama shpresoi në fakt për më shumë bashkëpunim përtej kufijve partiakë. Lora Anne Viola, eksperte për politikën e jashtme në Institutin John F. Kennedy pranë Universitetit të Lirë të Berlinit, thotë se caktimi i Hagel ishte menduar si një "urë drejt republikanëve".

Luftëra për pushtet

"I gjithë debati rreth Hagel dhe Brennan pasqyron vetëm luftërat e brendshme për pushtet mes republikanëve dhe demokratëve", thotë Viola. "Çështja ka pak të bëjë me një debat të mirëfilltë për sigurinë kombëtare. Veç kësaj Obama nuk i ka zgjedhur të dy vetëm sepse donte të jepte një sinjal për bashkëpunim ndërpartiak. Brennan ka qenë për vite me radhë një këshilltar i ngushtë i Obamës dhe mes tyre ekziston një raport i fortë besimi." Sa i takon Hagel, Viola mendon se Obama nuk donte të merrte në ekip një person, i cili do ta çonte politikën e jashtme në një drejtim, me të cilin ai nuk do të ishte dakord.

Këshilltari i Obamës dhe drejtori i ardhshëm i CIA-s, John Brennan

Këshilltari i Obamës dhe drejtori i ardhshëm i CIA-s, John Brennan

Mark Jacobson, nga "German Marshall Fund" në Uashington, është i bindur se refuzimi i përkohshëm i Hagel ka të bëjë madje me luftën e parë në Irak. "Kjo është politikë partiake republikane dhe në radhët e republikanëve ka disa që mendojnë se Hagel e ka tradhëtuar partinë duke u zhvendosur drejt qendrës", thotë Jacobson për Deutsche Welle-n. Ndërkohë senatorët republikanë John McCain dhe Lindsey Graham kanë njoftuar se nuk do ta pengojnë më emërimin e Hagel. "Republikanët e kanë kuptuar se strategjia e tyre e bllokadës në lidhje me Hagel dhe Brennan nuk rezultoi shumë e suksesshme", shpjegon Viola. "Ajo i dëmtoi më shumë republikanët në vend që të arrinin diçka si pozicion i fortë kundër Obamës."

Asnjë ndryshim kursi në politikën e jashtme

Por kritikët ngulin këmbë: Hagel nuk tregon sa duhet mbështetje për Izraelin dhe është shumë i butë në pozicionimin ndaj Iranit. Pika e fundit i bashkohet kritikës së përgjithshme të republikanëve për politikën e Obamës ndaj Iranit. "Megjithëse Obama ka thënë se në lidhje me Teheranin të gjitha opsionet janë mbi tryezë, është relativisht e qartë se ai nuk është për një ndërhyrje ushtarake dhe këtë pikë e ka theksuar edhe një herë me caktimin e Hagel", thotë Viola.

Hagel nuk do të jetë motori për qasje të reja politike, por më shumë një faktor mbështetës. Obama në katër vitet e para të mandatit të tij e ka bërë të qartë se është vet ai që i mban në dorë frerët e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare. Ekspertët janë të një mendjeje se edhe katër vitet e ardhshme nuk do të ndryshojë gjë në këtë drejtim. Jacobson beson se çdo vendim i rëndësishëm në lidhje me politikën e jashtme dhe sigurinë kombëtare, ashtu si dhe më parë, do të vijë nga Shtëpia e Bardhë. "Dhe kështu duhet të jetë, bëhet fjalë për vendimet më të rëndësishme për vendin tonë", thotë eksperti.

Në kërkim të një komandanti për NATO-n

Philip Breedlove, komandant i armës ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë.

Philip Breedlove, komandant i armës ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë.

Në plan ndërkombëtar grindja e brendshme rreth Hagel dhe Brennan nuk luan asnjë rol. "Unë besoj se evropianët thjesht duan të jenë të sigurtë se do të kenë një drejtues të fuqishëm ushtarak në Ministrinë e Mbrojtjes, pasi natyrisht do t'u duhet të bashkëpunojnë shumë me atë ministër", shpjegon Dormandy.

Më e rëndësishme për evropianët është se kush do ta marrë komandën e NATO-s në Bruksel. "Ky është një pozicion i rëndësishëm dhe nuk janë të shumtë ata që mund ta mbajnë", thotë Dormandy. Gjenerali amerikan John Allen, ish-komandant i trupave të NATO-s në Afganistan, ka deklaruar se nuk do ta pranojë një ftesë përkatëse të Obamës, pasi do të kujdeset për familjen dhe gruan e tij të sëmurë. Veç kësaj Allen ishte i përfshirë në skandalin rreth ish-shefit të CIA-s David Patraeus. Si kandidat i mundshëm për postin në NATO diskutohet tani Philip Breedlove, aktualisht komandant i armës ajrore të SHBA-së në Evropë dhe Afrikë.

Gjenerali John Allen ka tërhequr kandidaturën

Gjenerali John Allen ka tërhequr kandidaturën

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni ende nuk e kanë bërë të ditur kandidaturën për postin në NATO. "Natyrisht kërkohet një kandidat, i cili e njeh mirë situatën në Afganistan nga përvoja personale. Deri në fund të vitit 2014 Afganistani do të mbetet një temë e rëndësishme, pasi duhet organizuar tërheqja e trupave", thotë Dormandy. "Tema e ardhshme e rëndësishme do të jetë: Si mund të ruhet për të ardhmen përvoja nga bashkëpunimi në Afganistan?"

Por kryekomandanti në NATO duhet ta njohë mirë edhe Evropën, mendon Viola. "Obama ka të ngjarë të përpiqet të gjejë dikë që është tashmë në Evropë dhe që ka lidhje të mira në kontinent", shpjegon ajo. Kjo do t'i qetësojë frikërat se këtë post kaq të rëndësishëm në NATO, mund ta marrë një person i panjohur.

Një tjetër kualifikim i rëndësishëm është sipas Jacobson një lloj përvoje me koalicione. "Punonjësit vijnë nga më shumë se 28 vende dhe komandohen trupa që nuk vijnë nga SHBA-ja. Për këtë nevojitet një personalitet që kupton se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për politikën amerikane por për politikën e 28 shteteve të ndryshme."