1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

"Vaclav Klaus nuk ishte figurë pajtuese!"

Pas dhjetë vjetësh presidenti çek Vaclav Klaus largohet nga posti por jo në harmoni. Për DW ekspertja për Çekinë Jennifer Schevardo, e përshkruan atë si një president me karakter të spikatur dhe kritik ndaj BE-së.

Vaclav Klaus paralajmëronte vazhdimisht për rrezikun e ndikimit të BE-së, shprehte dyshime për ndryshimin e klimës dhe polarizonte sa herë kishte mundësi. Të premten politikani kontrovers (8.3.2013) do të largohet nga zyra e tij shtetërore pasi përfundon mandatin si president i Republikës Çeke.

Nuk është një ndarje pozitive. Senati votoi për një padi për tradhëti të lartë kundër 71 vjeçarit. Bëhet fjalë për amnestinë e kontestuar për të burgosurit, me të cilën u ndalën edhe shumë procese për akte penale me natyrë ekonomike. Veç kësaj ai akuzohet se ka sabotuar për kohë të gjatë miratimin çek për marrëveshjen e Lisbonës dhe ka dëmtuar kështu vendin e tij. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese pritet më e herëta në fund të marsit. Megjithatë nuk pritet që padia të ketë sukses. Edhe ky epilog juridik tregon sipas ekspertes për Çekinë, Jennifer Schevardo, sa i dyzuar ka qenë Klaus si president.

DW: Znj. Schevardo, Klaus ka qenë president për dy mandate pesëvjeçare. Si është për Ju bilanci i kësaj presidence?

Jennifer Schevardo: Vaclav Klaus ishte pa dyshim një president me karakter. Ai ia doli t'i japë postit dinjitetin e nevojshëm dhe ta mbushte atë maksimalisht. Posti i presidentit në Çeki, ngjashëm me Gjermaninë, ka më shumë karakter reprezentativ. Megjithatë ai tregoi se sa hapësirë mund t'i ofrojë ky post një personaliteti të fortë. Unë besoj se ka një dallim shumë të madh mes perceptimit të Vaclav Klausit jashtë vendit dhe mendimit për të në Çeki. Kam parasysh këtu para së gjithash Gjermaninë dhe qendrimin e tij kritik ndaj BE-së.

Në Çeki jo gjithnjë ishin dakord me të sa i takon përmbajtjeve. Prezantimi i tij ishte për shumë çekë disi turpërues. Pikërisht rreth fundit të mandatit të tij të dytë ai shpesh i kaloi kufijtë e shijes së mirë. Aktualisht diskutohet për amnestinë e tij për të burgosurit, e cila u prit shumë keq.

DW: Një gazetë gjermane e ka cilësuar një herë Klausin si njeriun që minon BE-në. Presidenti ka shfrytëzuar thuajse çdo rast për zënka me Brukselin. Në kujtesë ka mbetur veçanërisht fjalimi i tij para Parlamentit Evropian në shkurt 2009. Atëherë ai vuri në pikëpyetje rolin e eurodeputetëve dhe shumë prej tyre u laguan nga salla në shenjë proteste. Ku bazohet refuzimi i tij ndaj BE-së?

Jennifer Schevardo: Vaclav Klaus nuk është edhe aq kundër integrimit ekonomik, por është shumë kundër atij politik. Kjo lidhet me frikën se vendi i tij mund të humbasë të drejta të sovranitetit dhe këtë ai e ka kundërshtuar gjithmonë. Kjo natyrisht lidhet shumë edhe me zhvillimin e shteteve në transformim në përgjithësi, të cilët pas rënies së perdes së hekurt në 1989 filluan të rigjenin identitetin e tyre kombëtar dhe të ushtronin në mënyrë të pavarur të drejtat kombëtare.

Por sigurisht ka të bëjë edhe me përfytyrimin personal të Klausit për ushtrimin e pushtetit. Vaclav Klaus, i cili ka qenë për kohë të gjatë në qeveri e më pas president, e sheh si dobësim të pozicionit të tij kur Republika Çeke si anëtare e BE-së u kalon disa të drejta institucioneve evropiane.

DW: A e ka çuar qëndrimi i tij Çekinë drejt një lloj izolimi në Evropë?

Jennifer Schevardo: Unë besoj se roli që ka luajtur Vaclav Klaus ka ndikuar shumë negativisht për Çekinë para së gjithash në plan ndërkombëtar. Ai nuk e ka fshehur kurrë qëndrimin e tij skeptik ndaj BE-së. Gjatë viteve të fundit ky qëndrim madje u ashpërsua shumë. Ai nuk i ka shmangur as fjalët jodiplomatike. Në këtë mënyrë ai kontribuoi për krijimin në mbarë Evropën të një imazhi të çekëve si skeptikë ndaj BE-së. Kjo e ka dëmtuar shumë vendin.

DW: Pasuesi i Klaus do të jetë presidenti i tretë i Çekisë që nga pavarësia e vendit në 1993. Kryetari i parë i shtetit, nga 1993 deri 2003, ishte Vaclav Havel, i cili vlerësohej shumë si antikomunist edhe përtej kufijve të vendit. Nëse Havel vlerësohej si pajtues, çfarë e karakterizoi Klausin? A ishte ai alternativa politike ndaj Havelit?

Jennifer Schevardo: Sa i takon Havelit duhet thënë se edhe për të preceptimi brenda vendit është i ndryshëm nga ai jashtë vendit. Natyrisht Havel nderohet shumë edhe në Çeki. Madje disi më shumë nga sa e justifikon roli i tij si president. Por ka edhe një lloj mbivlersësimi. Gjatë kohës si president nuk kanë munguar qëndrimet kritike ndaj tij. Ai nuk ishte politikan dhe deri në fund nuk e ushtroi si politikan mandatin e presidentit por si njeri, me të gjitha të mirat dhe të metat njerëzore, për të cilat edhe është kritikuar.

Klaus nga ana tjetër nuk është pajtues. Ai nuk është as njeriu që ngjall simpati me mënyrën si e ka ushtruar detyrën. Për të mendimet janë të ndara. Ai ka gjetur fjalë të qarta për shumë gjëra. Edhe pse nuk kishte gjithnjë të drejtë ai ngjallte diskutime dhe unë besoj se kjo është diçka e rëndësishme. Në këtë mënyrë ai i ka dhënë postit një karakter të veçantë, që do të jetë i dobishëm edhe për pasuesin e tij, nëse do të dijë ta mbushë atë hapësirë. Pra që presidenti mund të ketë influencë politike dhe që ajo që thotë presidenti është e rëndësishme. Por kjo bart sigurisht edhe një rrezik, pasi Klaus ka shkuar shumë larg. Vitet e fundit ai ka marrë pjesë në punët e qeverisë dhe do të ishte problematike nëse kjo do të vazhdonte.

DW: Pasuesi i Vaclav Klausit është politikani me orientim të majtë, Milos Zeman. Çfarë politike evropiane përfaqëson ai?

Jennifer Schevardo: Milos Zeman i përket Partisë Socialdemokrate, e cila e ka të ankoruar në program integrimin evropian. Ai do të ketë qëndrim pozitiv ndaj BE-së.

Dr. Jennifer Schevardo është specialiste për Çekinë dhe Sllovakinë dhe për marrëdhëniet gjermano-çeke në Shoqërinë Gjermane për Politikë të Jashtme (DGAP). Veç kësaj ajo merret me studimin e procesve të transformimit në Çeki, Sllovaki dhe Poloni.